Please enter at least 3 characters.

Diçka është qelbur në këtë mes

Sot kemi një set-up logjik e psikologjik të shtrembëruar që prodhon tituj të tillë që lënë përshtypjen se fajet i kanë shqiptarët që bëjnë rrugë, fajet i ka zhavorri, apo kushdo tjetër, por assesi ai që e gjuan gurin, që ven flakën, që qëllon policinë me plumba.

“Shtrimi i rrugës me zhavorr tensionon situatën te Kroi i Vitakut”. Disa gazeta ditore e kanë botuar një lajm me një titull pak a shumë si ky. Qëlloi që gazetat t’i lexoja me një person jo-kosovar dhe interpretimi i tij për këta tituj ishte se “problemi qëndron tek zhavorri”. Pra, banorët kërkojnë rrugë më të mirë, jo me zhavorr.

Është ky një shembull që tregon qartë se si gazetarët, mediat, po edhe qytetarët në Kosovë tashmë mendojnë me një filtër që është montuar diku në kokat e tyre. E vërteta është se situata tek Kroi i Vitakut tensionohet nga dhuna serbe, por kjo nuk regjistrohet në titujt e gazetave kosovare.

“Gazetarë kujdes! Ju keni përgjegjësi! Ne ju monitorojmë!”, thotë pak a shumë një audio-klip i KIM (Kosovski Institut Medie) që është një projekt monitorues i financuar nga USAID, por që në fund të audio klipit, jo rastësisht, dëgjohet “ky projekt financohet nga Ambasada Amerikane”.

Ekzistojnë dy aspekte të kësaj fushate që i tërheq vërejtjen komunitetit shqiptar dhe komunitetit të gazetarëve shqiptar për një kontroll, por këtu do t’i trajtoj vetëm dy nga to. Së pari eteri kosovar është i mbushur me vërejtje që vijnë nga “miqtë tanë”, të cilat shpesh efektivisht janë patronizuese. “Gazetarë kujdes! Ju keni përgjegjësi!”. Mirëpo, siç e dimë, e vërteta është se dhuna në Kosovë gati në të tëra rastet, për vite me radhë, buron nga komuniteti serb. Në anën tjetër, mediat shqip në Kosovë janë tashmë të disiplinuara, përveç ndonjë përjashtimi.

Natyrisht KIM, sikur edhe cilado organizatë që merret me median, mund të monitorojë median, por ky monitorim do duhej të kishte prioritet komunitetin prej nga buron dhuna dhe gjuha urrejtje-nxitëse. Në mediat shqip nuk ka gjuhë urrejtje-nxitëse. Nuk jam ndonjë përcjellës i madh i mediave serbe, por duke pasur para sysh praninë e vazhdueshme të dhunës serbe në Kosovë mund të supozoj se mediat serbe nuk janë duke e kryer punën e vet. Prandaj, Ambasada Amerikane, USAID, por edhe mekanizmat tjerë që monitorojnë median duhet të kenë prioritet këtë nëse kërkohet adresimi i potencialit të dhunës.

Aspekti tjetër është mënyra patronizuese që përdoret në fushata të tilla. Vërejtjet që iu bëhen gazetarëve janë direkte dhe përmbajnë një presion të mbështjellë me kërkesën për “tolerancë”. Gazetarë kujdes! Ju keni përgjegjësi! Jeni duke u monitoruar! Çka i mungon kësaj? Fotografia e Vëllait të madh?

Kjo natyrisht se ka pasur për “by-produkt”, që mund të ketë qenë vetë qëllimi, një kontroll të tepruar të medias dhe gazetarëve. Situata me të cilën e fillova këtë shkrim është një ilustrues i mirë. Disa gazeta vejnë titullin që nënkupton se rruga me zhavorr ka tensionuar situatën tek Kroi i Vitakut, jo gurët e hedhur nga serbët. Pastaj, gjithmonë kur flitet për dhunën serbe gjuha thekson jonatyrshëm për dikë që nuk jeton në ambientin kosovar, por që kosovarëve tashmë u vjen natyrshëm. Për shembull, rrallë gjen në median kosovare që të quhet ekstremizëm, ose dhunë kur serbët gjuajnë me gurë, bllokojnë një rrugë, djegin një ndërtesë publike, pengojnë ndërtimin e shtëpive. Por kur dikush nga komuniteti shqiptar tenton të bëjë shtëpi, rrugë, tenton të jetojë në pronat e veta, ky është problemi. Tentimi i shqiptarëve për të jetuar tensionon situatën tek Kroi i Vitakut dhe gjetkë, në Veri, apo kudo ku të pranishëm janë serbët.

Ngjashëm veprohet edhe tek projektet e gazetarisë në nivel rajonal. Ta zëmë, nga rrjete të ndryshme të “gazetarisë hulumtuese” në vazhdimësi u raportua për dyshimet shumë të paqëndrueshme për trafikim organesh, por nga të njëjtat nuk u raportua për burgosjen e agjentëve serbë që ofronin shuma të majme parash për të dëshmuar kundër UÇK-së.

Kjo gjendje psikologjike e gazetarit kosovar nuk është arritur brenda dite. Me vite të tëra nëpërmjet propagandës së njëanshme ndaj komunitetit të gazetarëve shqiptar është zhvilluar ndjeshmëria ndaj çfarëdo dhune ku viktima kanë qenë serbët dhe është injoruar tërësisht dhuna që serbët ushtrojnë. Në këtë formë sot kemi një set-up logjik e psikologjik të shtrembëruar që prodhon tituj të tillë që lënë përshtypjen se fajet i kanë shqiptarët që bëjnë rrugë, fajet i ka zhavorri, apo kushdo tjetër, por assesi ai që e gjuan gurin, që ven flakën, që qëllon policinë me plumba. Diçka është e qelbur në këtë mes.

Autori është bashkëthemelues i Organizatës ÇOHU!