Please enter at least 3 characters.

Cila vote, për cilin subjekt dhe në cilën kohë”?

Arsyet që me shtyrën në këtë titull, ishte një shkrim tejet me vend në një të përditshme tonë kosovare, e cila me te drejtë kishte identifikuar një nevojë, apo më mirë me thënë, një kureshtje të mëhershme nga ana partive të mëdha politike në Kosovë për të bërë secila veç e veç sondazhe apo hulumtimin e pulsit të opinionit kosovar, në fushatën e sivjetme parazgjedhore.

Me siguri janë harxhuar me mijëra e mijëra para vetëm e vetëm të “dihet” përafërsisht shkalla e popullaritetit të tyre ne publik. Por të shohim pse bëhen këto sondazhe dhe cila është porosia e tyre, jo vetëm tash për publikun por edhe për të tjerët që pak a shumë dinë diçka për këtë çështje. Në fakt, tashmë nëpër shumicën e shteteve të cilat kanë traditë të hulumtimit të opinionit publik, bëhen bilance dhe analiza të ndryshme dhe të shumta rreth sjelljes së elektoratit sidomos para fushatës para zgjedhore. Kjo bëhet jo vetëm që të parashikohet shkalla e ekzaktësisë së opinioneve parazgjedhore, por para së gjithash edhe për shkak të rindërtimit të strategjive për joshjen dhe mobilizimin e kontingjenteve të reja votuese që në rastin e Kosovës thuhet se për çdo vit hyjnë mbi 35.000 votues të rinj në listat votuese.

Përvoja ka treguar se interesi pra, që të parashikohen sa më përafërt rezultatet e zgjedhjeve nëpër vendet e ndryshme, posaçërisht në ato në transicionit, sa është një çështje e admirueshme dhe falënderuese, aq është edhe problematike! E admirueshme dhe falënderuese ngaqë, rezultatet çfarëdo qofshin ato(!) partive të mëdha politike zakonisht u shërbejnë si barometër për ta parë vetën në sytë e qytetarëve para se ata të vendosin të votojnë, pastaj mjetë mjaftë të sofistikuar për ta animuar potencialin e abstenuesve (që në rastin e Kosovës në zgjedhjet 2007 ishte tejet i madh, e që akoma pritet të bjerë!?), si edhe për ta shtuar shkallën e animimit të trupit elektoral gjatë dhe pas fushatës elektorale, pastaj shtresat qe ata i përkrahin, si edhe potencialet e tyre reale ne tregun e gjerë mediatik.

Kjo do të ishte në pika të shkurtra ajo pjesa admiruese, por çështja e parashikimit të rezultateve para zgjedhore përmes kësaj metodologjie thamë se ngandonjëherë din të bëhet edhe shumë problematike si në nivelin global(rastet më freskëta, Irani, Pakistani, Moldavia, etj) ashtu edhe atë rajonal (rasti i Shqipërisë, ku një OJQ kosovare bëri disa sosh) edhe për faktin se hulumtimet e tilla ani pse paguhen shtrenjtë për shumicën agjencive dhe për hulumtuesit shkencor mbesin shpesh herë një e panjohur, kurse të mos flasim për diletantët në media dhe OJQ-ët që pretendojnë të merren me këtë problematikë shumë serioze dhe përgjegjëse.

Do theksuar se në vendet me traditë demokratike, sidomos në SHBA, ekzistojnë agjenci dhe grupe të tëra ekspertësh (shkencorë) të cilët merren me thellësinë e sjelljeve, pastaj përcjelljen e elektoratit gjatë dhe pas situatave zgjedhore. Në këtë drejtim për një ekspert me përvojë natyra komplekse e hulumtimeve të këtilla e sidomos e sjelljeve apo qëndrimeve të verdiktit në situatat parazgjedhore, do të mund të reduktohej apo identifikohej në një kalkulim të vetëm dhe të mundshëm; “Cila vote, për cilin subjekt dhe në cilën kohë”, ashtu siç veprojnë sidomos hulumtuesit amerikan mbi sjelljet e elektorateve parazgjedhore.

Sipas kësaj skeme, pjesa e pare e sentencës “ cila vote, për cilin subjekt”, për çdo ekspert të metodologjisë ë hulumtimit empirik ka të bëjë para së gjithash me strukturën; socioekonomike, sociokulturore dhe atë demografike të trupit votues, pastaj me konstatimin e karakteristikave specifike të votuesve të partive të ndryshme, si edhe mostrën që është shumë shumë e rëndësishme dhe e ndjeshme në gjithë këtë proces investigues.

Kurse pjesa e dytë e sentencës (“në cilën kohë”), si duket është me e vështirë për t’u diagnostifikuar, meqë duhet dëshmuar për ç’shkak votuesit përcaktohen vazhdimisht vetëm për njërën parti politike, ku më pastaj do të hulumtoheshin shkalla e stabilitetit si edhe preferencat tyre në situatat para dhe pas zgjedhjeve. Pra fjala është për referencat që kanë të bëjnë me natyrën e asaj që mediet e quajnë opinioni publik.

Ç’është në fakt opinioni publik?
Definimi më i njohur sociologjik për opinionin është se ai: “është një tiran vulgar, i pa respektueshëm dhe anonim, që në mënyrë të kujdesshme e bënë të padurueshme jetën e secilit individ që nuk është i kënaqur me të qenurit njeri mesatar…”. Raporti i opinionit publik me natyrën e hulumtimit , mund të themi se sot mund të interpretohet në dy mënyra; Njërën, që ka të bëjë me forcimin e proceseve demokratike, përkatësisht shtimin e pjesëmarrjes së qytetarëve në proceset politike, dhe tjetrën, e cila ka të bëjë me manipulimin e opinionit publik nga ana e medieve dhe elitave të ndryshme politike për qëllime të përfitimit apo animimit të këtij opinioni .

Në rastin e parë, hulumtimet e opinionit publik munden t’i shtyjnë partitë politike që t’i rishqyrtojnë strategjitë e tyre, gjithnjë duke u bazuar në referencat dhe disponimin e zgjedhësve, si edhe të ndikojnë në edukimin dhe krijimin e klimës demokratike.

Hulumtimi i referencave partiake përmes sondazheve në kushtet dhe rrethanat në të cilat gjendet aktualisht niveli i emancipimit politik i elektoratit Kosovar, do të thoshim mund të bëhet jo nga diletantët e aq më pak nga mediet, ku jo rrallë here gjatë fushatës paraelektorale në Kosovë, ka ngjarë që redaktorët dhe gazetarët e ndryshëm (pa kurrfarë përgatitje paraprake profesionale!?) sondazhet e tilla i kanë shfrytëzuar (apo më mirë me thënë keqinterpretuar!?) jo rrallë herë si pjesë të qëllimeve të tyre jo edhe aq politike sa atyre sensacionale dhe rritjes së rejtingut të tyre medial!

Është e njohur, se në rastet e tilla, mediet më tepër janë të prira t’i konsumojnë sondazhet si sensacione, në mënyrë që ata të mbijetojnë në tregun e pamëshirshëm të konkurrencës, bile tash në këtë krizën globale . Kjo ndodhë kështu, gjithnjë kur lihet pasdore shkenca (sociologjike që me kompetenca merret me këtë aspekt) e cila më së miri I dine adresimet dhe rekomandimet e hulumtimit të opinionit publik. Themi kështu, ngaqë edhe ne si shoqëri duhet të mësohemi që shkenca të mos pajtohet me statusin e sajë kabinetik të konfirmimit të ideve, dhe Projekteve hulumtuese, por të marrë aktivisht pjesën e përgjegjësisë që I takon në ndërtimin e raporteve të reja të demokracisë në Kosovë.

Dukuria e grykësisë për sondazhe dmth. qasjeve apo pretendimeve që të merremi me prognozimet paraelektorale, tashmë ka hyrë në modë edhe tek ne në Kosovë. Bile pesë partitë e mëdha, siç kanë deklaruar edhe vetë publikisht kanë harxhuar me mijëra e mijëra euro për këtë destinim!? Por, për t’i ikur aspekteve të ndryshme të politizimit të interpretimit të rezultateve të ndryshme empirike në mjediset mediale publike, rezultatet e e hulumtimeve empirike shkencore patjetër do të duhej t’i interpretonin vetë hulumtuesit, përkatësisht ekspertët dhe shkencëtarët me thirrje shkencore, e jo njerëzit që nuk kanë të përfunduar asfarë përgatitje për këtë punë kaq të ndjeshme, siç ka ngjarë me disa parti parlamentare sivjet!

Konceptin e opinionit publik, zakonisht e hasim në shtyp dhe gjithnjë e ndërlidhim me jetën politike të një vendi, ku zakonisht thuhet se; aktet e ndonjë qeverie, p.sh. kanë (apo nuk kanë)përkrahjen e opinionit publik, apo aksioni ushtarak i një qeverie ka përkrahje të opinionit të vetë të brendshëm. Opinioni publik, din të bëhet ngandonjëherë pengesë e madhe për realizimin e shumë planeve (politike, ekonomike, apo ushtarake) të qeverive dhe vendeve të ndryshme sot.

Opinioni publik në perëndim
Në këtë kontekst, opinioni publik sot mund të përkufizohet si formë e jetës politike, në të cilën qeveritë dhe qytetarët duhet të kujdesën për përkrahje apo kundërshtim të qëndrimeve të ndërsjellat. Ta marrim bie fjala një shembull shumë të thjesht. Ruzvelti, p.sh. thuhet se e ka ditur që opinioni amerikan më 1941, ka qenë kategorikisht kundër involvimit të SHBA-ve në Luftën (e Dytë Botërore) e Evropianëve. Gjatë dhjetë viteve më vonë në luftën e Kosovës, tashmë edhe zyrtarisht hero ish Presidenti Bill Kllintoni, duke iu falënderuar egzaktësisë së hulumtimit të këtij opinioni (kombëtar dhe ndërkombëtar!), përmes NATO-s, u involvua në misionin paqësor në Kosovë. Këtij ndikimi edhe në luftën me Afganistanin iu desh t’i përmbahet edhe ish kryetari SHBA-ve, Xhorxh Bush.

Pra, si po shihet, diskursi mbi opinionin publik, më së ngushti ndërlidhet me atë të demokracisë, kurse në ditët tona, me të më së shumti, nënkuptojmë një lloj kundërpërgjigje ndajë pushtetit ekzekutiv të shoqërisë. Gjë që në rastin e Kosovës, akoma nuk ka arritur të nënkuptohet. Nëse i adresohemi pak a shumë historisë së sondazhomanisë , patjetër duhet përmendur se ai për herë të parë është përdorur në polisin grek dhe e kishte kuptimin e artikulimit të vullnetit të qytetarëve grek atëbotë...

Sot, botëkuptimi mbi opinionin publik, e ka humbur prefiksin e “vullnetit të popullit”(!), ngase thjesht mes mendimeve (përshtypjeve, qëndrimeve, qëllimeve) të qytetarëve dhe pushtetit ekzekutiv të shoqërive të ndryshme është ndërtuar një rrjetë e tërë e ndërmjetësuesve,siç janë; partitë politike, mjetet masovike të komunikimit (shtypi, radio, TV-ja e sidomos Interneti!), parlamenti dhe format tjera të komunikimit publik.

Së këndejmi edhe ne në Kosovë, duhet të mësohemi në këtë tip rrjetëzimi apo shkapërderdhje të asaj që e quajmë apo e definojmë si opinion publik. Për t’i ikur politizimit të referimit të rezultateve nga hulumtimet e ndryshme empirike, si edhe keqkuptimeve eventuale, hulumtimet rreth opinionit publik do të duhej interpretuar vetë hulumtuesit përkatësisht ekspertët e lëmive përkatëse pra shkencëtarët, e jo njerëzit jokompetentë që në rastin e Kosovës janë bërë si kërpudhat pas shiut.