Please enter at least 3 characters.

AAK hap fushatën për zgjedhjet lokale 2025, prezanton kandidatët për kryetarë të komunave

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka hapur sot zyrtarisht fushatën për zgjedhjet lokale 2025.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj tha se Kosova po kalon ditë të errëta dhe se siç tha ai vendi ynë kurrë s’ka qenë në një situatë kaq të ndjeshme.

Krahas kësaj, Haradinaj iu drejtua kandidatëve për kryetarë të komunave nga AAK-ja se tani Kosova ka nevojë më shumë se kurrë për një qeverisje të mirë e të duhur.

Ai iu drejtua kandidatëve për kryetarë të komunave duke u thënë se ata i japin dritë, jetë e shpresë qytetarëve të tyre përmes qeverisjes së mirë.

Në hapjen e fushatës, nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini, tha se Bashkim Ramosaj ka bërë një revolucion në Komunën e Deçanit, ndërsa Smajl Latifi e ka shndërruar Rahovecin në një destinacion jo vetëm për Kosovën, por edhe për rajonin.

Ai shtoi se Klina ka nderin që ka pasur kryetar Zenun Elezajn.

Gjini tha se kandidatët që garojnë për herë të parë siç potencoi ai kanë hyrë në “klasën më të mirë politike në Kosovë – më të ndershmen, më të pastrën dhe më punëtoren”.

Ai shtoi se në çdo komunë ndërtohet një vizion, dhe se ky vizion nuk ndërtohet nga një individ i vetëm, por së bashku me qytetarët.

Kandidati për kryetar të Prishtinës nga AAK-ja, Bekë Berisha tha se qëllimi është që kryeqytetin ta kthejnë në metropol, porse siç potencoi ai ka shumë punë bazike për t'u bërë që kanë mbetur peng që nga e kaluara, raporton kp.

Ai tha se Prishtina përbën simbolin e historisë dhe të ardhmes, një qytet i mbushur me trashëgimi kulturore dhe historike.

Beka theksoi se AAK-ja ka dëshmuar në praktikë se është një forcë politike që e mbështet zhvillimin kudo që ka qeverisur apo bashkëqeverisur.

Kandidatja për kryetare të Fushë Kosovës nga AAK-ja, Vildane Latifi, tha se është rritur në Aleancë duke parë njerëz që kanë treguar suksese në çdo nivel të udhëheqjes.

Latifi deklaroi se ajo që ka mësuar në AAK është se udhëheqja konsiderohet si përgjegjësi që duhet të mbahet dhe të respektohet në çdo nivel të saj.

Ajo tha se edhe gratë dinë dhe mund të udhëheqin më mirë së burrat.