A do të zbardhë EULEX-i edhe vrasjet politike si dhe pasurimin marramendës të qeveritarëve!?
Është koha e fundit që Kosova të ndahet nga e kaluara e dhembshme kur njerëz e intelektualë, gazetarë e veprimtarë, shkrimtarë a ushtarakë, janë vrarë vetëm pse i takonin një partie apo grupimi. Koha po ikë për të treguar se kush ng ata që sot ndodhen në institucione, ka luftuar për liri e pavarësi, kush për pasuri e karrierë pa zgjedhur mjetet dhe kush po krijon fantom klasën politiko-ekonomike e cila po zhvatë Kosovën ende në terr dhe ende pa ujë të mjaftueshëm të pijshëm!
Lajmi i këtij fundmuaji se “EULEX i përgatitë për gjyq dosjet e UNMIK-ut” duket se kaloi i heshtur nga institucionet dhe subjektet politike e jopolitike në Kosovë. Kjo heshtje është e papranueshme për ata që “kanë mizën mbas veshi” por bëhet kuptimplote kur kihet parasysh përgjumja e qytetarëve që nuk patën mundësi pushimesh, por edhe e atyre që në plazhet e vendeve të ndryshme të rajonit e të botës rrezitin përgjumjen dhe vetkënaqësinë e asaj lirie tashmë botërisht të konceptuar si e korruptuar dhe e stërkequr.
Pyetja esenciale, duke përshkuar deklaratën e EULEX-it, përkatësisht të kryetares së gjykatësve të këtij misioni, zonjës Maria Çivinini, për 200 rastet e pranuara nga UNMIK-u, është se a thua përfundimisht duhet të pranohet fakti se UNMIK-u ka dështuar, sidomos në gjyqësi, dhe si do të dali tashmë misioni i Bashkimit Evropian në segmentin më të përfolur të jetës në Republikën e brishtë të Kosovës?!
Çivinini ka deklaruar se kanë pranuar 200 raste nga UNMIK-u dhe se këto raste janë nga më të rëndësishmet në vitet e fundit. Sipas saj rastet e pranuara janë të ndryshme, disa kanë të bëjnë me krime të luftës, krim të organizuar, terrorizëm, por edhe krime kundër njerëzimit.
Ajo që do të duhej të mendohej thellësisht nga kjo deklaratë, kujtoj se do të ishte brengë e parë e institucioneve lidhur me pohimin se ka raste që kanë të bëjnë me krime të luftës. Kjo do të duhej të ishte brenga e kryeministrit të vendit i cili vjen nga një subjekt politik i cili këmbëngulë se ka udhëhequr luftën për lirinë e Kosovës. Hiq më pak nuk do të duhej të qëndronte indiferent as kryetari i shtetit pa rrymë e pa ujë i cili mbase pas këtyre 200 rasteve do të duhej të shkrihej edhe në subjektin politik i cili ka pranuar një koalicion të panatyrshëm dhe tejet refuzues nga të dyja anët e anëtarësisë në zgjedhjet e 2007-ës.
Mbase edhe kryetari e edhe kryeministri, pra PDK e LDK, e kuptojnë më mirë se ne, qytetarët e rëndomtë, se çfarë paraqet termi “krim i organizuar, terrorizëm dhe krime kundër njerëzimit”. Nëse jo, mbetet që dikush në Parlamentin e përçudshëm të vendit, të ngritet e ta sqarojë publikisht domethënien e këtyre fjalëve dhe të fjalive të Çivininit.
Nga përvoja e të qenit shikues i disa seancave parlamentare, këtë do të mund ta sqaronte më së miri dr. Sabri Hamiti, viktimë e plagosjes nga “të panjohur”. Mirëpo jo vetëm kaq, parlamentarët që do të duhej ta prezantojnë elektoratin e Kosovës, do të duhej të ngritnin disa çështje kur ata besojnë se flasin për sigurinë në vend si dhe stabilitetin e përgjithshëm. Ky stabilitet nuk u lëkund as nga vjedhja e narkotikëve në dhomën e dëshmive në policinë e Kosovës, as nga vjedhja e lap-topit të drejtorit të Agjensionit Anti Korrupsion dhe që duket se nuk u trondit as nga konkluza e EULEX-it se në Kosovë paska pasur (dhe dihet botërisht se ka ende) krim të organizuar, krime lufte dhe çka është më e keqja, terrorizëm.
Rasti i fundit, i dyti për 2 vjet, i djaloshit nga Kosova që do të gjykohet për terrorizëm në SHBA, nuk ka lëkundur fare hiq stabilitetin që e shohin vetëm ata që “me punën e Kuvendit të Kosovës gjatë sesionit pranveror janë ndarë të kënaqur vetëm Qeveria, grupet parlamentare të partive në pushtet dhe udhëheqja e Parlamentit”.
Ajo që do të duhej ta dallonte esencialisht EULEX-in nga UNMIK-u, sa i përket këtyre dosjeve, do të mbetet sfida e zbardhjes të disa vrasjeve politike që kanë ndodhur në dhjetëvjetëshin e fundit. Qytetarët e Kosovës, veçantë familjarët e atyre njerëzve që janë vrarë ose plagosur, ose janë detyruar të “ikin” vendeve të botës për të mbijetuar, do të duhej përfundimisht ta dijnë se kush i vrau: Afrim Maliqin, Enver Malokun, Amet Krasniqin, Xhemail Mustafën, Tahir Zemajn, Bekim Kastratin, Komandant Drinin dhe shumë figura tjera publike, politike e ushtarake.
Qytetarët e Kosovës do të presin me ankth që sistemi i drejtësisë i misionit të BE-së në Kosovë, të emërojë edhe ata që kanë zhvatur paranë publike dhe që i kanë prirë korrupcionit e keqpërdorimeve.
Nëse EULEX-i do të merret seriozisht me këto fenomene që në Kosovë po zgjasin trefish më shumë se në ish republikat që kanë dalë nga shkatërrimi i krijesës jugosllave, nëse ky mision i drejtësisë do të zbardhë krimet; vrasjet, plagosjet, shantazhimet, korrupsionin qeveritar dhe ata që qenkan marrë edhe me terrorizëm, atëherë dallimi nga UNMIK-u do të bëhet i prekshëm.
Pyetja e thjeshtë është se nga ky lëmsh, a thua do të përfundojë në drejtësi ndonjë qeveritar apo parlamentar që direkt apo indirekt ka qenë i përfshirë në raste të krimeve, korrupsionit, terrorizmit?! Kjo sidomos kur në media është thënë publikisht se pasurisë së qeveritarëve e parlamentarëve nuk i dihet prejardhja dhe se Kosova është ende larg efikasitetit në luftimin e korrupsionit.
Tahir Rrecaj, gjykatës në Gjykatën Supreme të Kosovës ka deklaruar se qytetarët e Kosovës janë dëshmitarë që një numër i madh i personave, në kohën e pasluftës, kanë bërë pasuri marramendëse dhe sigurisht atë pasuri nuk e kanë fituar në mënyrë të ligjshme.
Nëse ndodhë drejtësia dhe në pranga supozohet se mund të vihen edhe kategoria e aristokracisë politiko-ekonomike e shndërruar pothuaj në masoneri, qytetarët e Kosovës do të fillojnë t’u besojnë institucioneve të miqve amerikanë e evropianë. Apo ne, thjesht do të vazhdojmë ti shohim ata njerëz nga Evropa dhe SHBA si turistë dhe vetëm vëzhgues në një vend “potencialisht” të trazuar, por ku mbretëron paqja, njëfarë lirie dhe njëfarë sigurie si dhe ku pagat e majme të ndërkombëtarëve dhe mirëqenia e dyshimtë e qeveritarëve janë më të rëndësishme?!
Le të besojmë se EULEX e ka seriozisht dhe se Kosova duhet përballur me të vërtetën e dhimbshme. Atë që po përpiqen ta plasojnë në media gazetarë e mediume, por që shantazhohen dhe luftohen nga debillë e idiotë të fjalës së lirë dhe lirisë së shprehjes, të ulur në institucionet e vendit si zëdhënës, edhe sish që i kanë etërit ish spiunë të UDB-së.
Është koha e fundit që Kosova të ndahet nga e kaluara e dhembshme kur njerëz e intelektualë, gazetarë e veprimtarë, shkrimtarë a ushtarakë, janë vrarë vetëm pse i takonin një partie apo grupimi. Koha po ikë për të treguar se kush ng ata që sot ndodhen në institucione, ka luftuar për liri e pavarësi, kush për pasuri e karrierë pa zgjedhur mjetet dhe kush po krijon fantom klasën politiko-ekonomike e cila po zhvatë Kosovën ende në terr dhe ende pa ujë të mjaftueshëm të pijshëm!
Kosova ka një klasë nacionalromantikësh që ende mund të punojnë kreativisht për lirinë dhe shtetësinë si dhe progresin ekonomik e politik, por të cilët detyrimisht heshtin, sepse zgjedhjet e kaluara, vetëm kanë ricikluar një klasë politike e cila rrezikon të prodhojë masonerinë biznes-politike, që po duket se është shpenzuar e stërkequr në karrige e tenderë.
Nëse EULEX-i zbardhë krimet e çfarëdo lloji, atëherë rruga e progresit ekonomik do të hapet dhe shqiptarët e Kosovës më nuk do të mbesin “gogoli”i BE-së dhe procesit të integrimeve.


