Agjencia e Mbikëqyrjes Policore e Shqipërisë (Rajoni Durrës - Kavajë) nën drejtimin e Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka arrestuar në flagrancë punonjësin e policisë K.K., me detyrë Trupë Shërbimi/ Patrullë e Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Krujë, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Kanosja” dhe “Shpërdorim i detyrës”.

Në njoftimin për media bëhet e ditur se arrestimi u bë i mundur pasi të enjten, punonjësi i policisë (jashtë shërbimit) në bashkëpunim më babanë e tij, shtetasin D.K., për motive të dobëta kanë kanosur dhe dhunuar fizikisht shtetasin B.K., i cili ka marrë ndihmën mjekësore në Spitalin e Traumës.


“Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të strukturave, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 9090, ose duke dërguar Email në adresën ankesa@amp.gov.al”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/