Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pranuar sot letrat kredenciale të ambasadorit të Australisë në Kroaci, me akreditim jorezident në Kosovë, Glenn Robert Morrison.

Haxhiu i ka uruar mirëseardhje ambasadorit Morrison dhe sukses në detyrën e tij të re, duke shprehur mirënjohje për mbështetjen që Australia i ka dhënë Kosovës gjatë periudhave të rëndësishme për vendin.


“E çmojmë lart mbështetjen që Australia i ka dhënë Kosovës në periudha vendimtare për vendin tonë, si dhe përkrahjen e saj të vazhdueshme pas shpalljes së pavarësisë”, tha Haxhiu.

Gjatë takimit është diskutuar për mundësitë e zgjerimit të mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Australisë, veçanërisht në fushën e ekonomisë, investimeve, arsimit, teknologjisë dhe sigurisë.

Haxhiu ka theksuar se, pavarësisht distancës gjeografike, Kosova dhe Australia kanë ndërtuar marrëdhënie të mira, të cilat, sipas saj, janë forcuar edhe përmes komunitetit shqiptar në Australi.

“Pavarësisht largësisë gjeografike, vendet tona kanë ndërtuar marrëdhënie të mira, të cilat forcohen edhe nga komuniteti shqiptar që prej dekadash është pjesë e shoqërisë australiane. Ka hapësirë që këtë afërsi ta shndërrojmë në bashkëpunim edhe më të madh në fusha me interes të përbashkët”, theksoi Haxhiu.

U.D. Presidentja ka folur edhe për progresin që, sipas saj, Kosova ka shënuar ndër vite në forcimin e shtetit dhe demokracisë, avancimin e pozitës ndërkombëtare, si dhe synimet për zhvillim të mëtejshëm. /Telegrafi/