LAJMI I FUNDIT:

Ambasadorët e “skaduar” të Kosovës po e vazhdojnë punën

Ambasadorët e “skaduar” të Kosovës po e vazhdojnë punën

Shtatë ambasadorë dhe konsuj të përgjithshëm të Kosovës, po e vazhdojnë punën e tyre, pavarësisht përfundimit të mandatit prej katër vjetëve. Ministria e Punëve të Jashtme e Qeverisë në detyrë të Kosovës, ka më gjatë se tetë javë që ka kërkuar tërheqjen e tyre dhe kthimin në Kosovë, por presidenti Hashim Thaçi nuk e ka nënshkruar dekretin, andaj procesi ka mbetur i bllokuar.

Sabri Kiçmari, këshilltar i lartë politik i ministrit të Jashtëm, Glauk Konjufca, thotë se mosveprimi i presidentit e ka bllokuar gjithë procesin. Sipas tij, kompetencat e presidentit të Kosovës në këtë rast janë të precizuara, por edhe të limituara.


“Ministri i Jashtëm i Republikës së Kosovës ka kompetenca për të propozuar emërimin dhe tërheqjen nga detyra të një ambasadori. Në rastin në fjalë, pesë ambasadorë dhe dy konsuj të përgjithshëm janë emëruar në detyrë për një mandat katërvjeçar. Sipas Ligjit për Ministrinë e Jashtëm dhe shërbimit diplomatik, ambasadorët politikë mund të qëndrojnë në një mandat katërvjeçar, por jo më gjatë se kaq”, tha Kiçmari.

Në lidhje me këtë çështje, REL i ka drejtuar pyetje edhe Zyrës së Presidentit të Kosovës, por ajo nuk ka dhënë ndonjë përgjigje.

Ndërkaq, kohë më parë, gjatë një konference për gazetarë, presidenti Thaçi pati thënë se ai do të marrë vendim konform Kushtetutës, ligjeve dhe interesit të shtetit.

“Nuk do të marr ndonjë qasje apo orientim politik të motivit politik. Zyrtarët e shtetit të Kosovës do të vazhdojnë t’i kryejnë punët e veta në përputhshmëri me Kushtetutën dhe ligjet. Për çështje të rëndësishme nuk duhet të ndodhin veprime të nxituara sepse dërgojmë mesazh të keq para botës, por edhe para vetvetes dhe mund të instalojmë praktikë të keqe, e cila pastaj mund të përsëritet dhe të paguajmë çmim të gjithë”, ka thënë Thaçi.

Në anën tjetër, Sabri Kiçmari thotë se ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca do t’i drejtohet edhe njëherë presidentit për të bërë dekretimin e kthimit të tyre, por në qoftë se ky veprim nuk ndërmerret, ai nuk e përjashton që çështja të përfundojë edhe në Gjykatën Kushtetuese.

“Pra ai duhet të nënshkruajë formalisht dekretin, por propozimin për emërimin dhe tërheqjen e bën Ministria e Jashtme e Kosovës”, thotë Kiçmari.

Ai thotë po ashtu se emërimi i ambasadorëve të rinj nuk mund të bëhet pa përfunduar procedura me dekretimin e kthimit të ambasadorëve aktualë, që u ka skaduar mandati.

“De fakto presidenti e ka bllokuar ndërrimin normal në Shërbimin e Jashtëm dhe në një mënyrë e ka dëmtuar këtë shërbim, duke mos dekretuar kthimin e tyre”, thekson Kiçmari.

Sipas tij, ideja e ministrit të Jashtëm është që Kosova të ketë sa më pak ambasadorë politikë dhe të ketë sa më shumë ambasadorë të karrierës.

“Të investohet sa më shumë dhe të hapen mundësitë për ambasadorët e karrierës që do të qëndrojnë në Shërbimin e Jashtëm me vite të tëra dhe jo për të plotësuar, le të themi, dëshirat politike të qeverive dhe zyrtarëve të lartë shtetërorë”, thotë Kiçmari.

Ministri i Jashtëm në detyrë, Glauk Konjufca, më 20 shkurt, ka shkarkuar 14 persona që ishin angazhuar si konsuj nëpër ambasada e konsullata të ndryshme të Kosovës në botë. Kurse më 3 mars kishte propozuar tërheqjen nga misionet diplomatike të shtatë ambasadorëve dhe konsujve të përgjithshëm, të cilëve u kishte përfunduar mandati katërvjeçar.

Personat e propozuar për tërheqje nga misionet diplomatike janë: Vlora Çitaku (Uashington), Edon Cana (Sofje), Lirim Grejçevci (Hagë), Shpend Kallaba (Budapest), Mimoza Ahmetaj (Strasburg), Ylber Hysa (Podgoricë) dhe Ramadan Avdiu (Gjenevë).

Megjithatë, procesi ka mbetur i bllokuar në mungesë të dekretit të presidentit, dhe si i tillë mund të mbetet përderisa të mos qartësohet edhe çështja e formimit të Qeverisë së ardhshme të Kosovës, proces ky i varur nga aktgjykimi në pritje i Gjykatës Kushtetuese. /REL/Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Lajme
Përfundon takimi në Bruksel, Bislimi: Serbia kërkon që strukturat ilegale të financohen deri në krijimin e Asociacionit

Përfundon takimi në Bruksel, Bislimi: Serbia kërkon që strukturat ilegale të financohen deri në krijimin e Asociacionit

Lajme
Pas takimit me Bislimin në Bruksel, Petkoviq: Bisedime të vështira dhe të tensionuara

Pas takimit me Bislimin në Bruksel, Petkoviq: Bisedime të vështira dhe të tensionuara

Lajme
Avokatja: Me të thënë “je e bukur”, “je sharmante” – nuk është ngacmim seksual

Avokatja: Me të thënë “je e bukur”, “je sharmante” – nuk është ngacmim seksual

Drejtësi
Arrestohen 17 persona në Serbi, falsifikonin dokumente të pronave të serbëve për shqiptarët nga Kosova

Arrestohen 17 persona në Serbi, falsifikonin dokumente të pronave të serbëve për shqiptarët nga Kosova

Lajme
Përplasje mes deputetëve të PDK-së dhe LVV-së për planin e ndërtimit të tunelit në rrugën Prizren - Tetovë

Përplasje mes deputetëve të PDK-së dhe LVV-së për planin e ndërtimit të tunelit në rrugën Prizren - Tetovë

Lajme
Kalo në kategori