LAJMI I FUNDIT:

Amantia dhe varret e saj

Amantia dhe varret e saj

Duke kryer gërmime arkeologjike shpëtimi në qytetin antik Amantia, u zbulua një varr me muraturë tulle si dhe një inventar i pasur objektesh arkeologjike, kryesisht enë qeramike.

Dikur ilirët e fisit amant e kishin ndërtuar qytetin emërmadh që sheh gjithandej luginës së lumit të Vlorës. I identifikuar nga arkeologët me fshatin Ploç, në rrethin e Vlorës, Amantia është prova e jetës urbane që veshi peizazhet pranë malit të Kudhësit.


Në ditët e fundit të nëntorit, specialistët e DRTK-së në Vlorë, duke kryer gërmime arkeologjike shpëtimi në varrezën antike (Nekropolin) dhe qytetin e sipërm (Akropolin) të Amantias, pas akteve vandale që ishin kryer në muajin gusht të këtij vitit, zbuluan varr me muraturë tulle si dhe një inventar të pasur objektesh arkeologjike, kryesisht enë qeramike. Në fakt, ashtu si në Apoloni, edhe në këtë rast të bën përshtypje reagimi i vonë i DRTK-së dhe, në njoftim, përveç faktit të dhunimit nuk zbulohet asnjë përgjegjës apo çfarë bilanc dëmtimi ka.

Njoftimi që shpërndan drejtoria rajonale e Vlorës, është: “Përgjatë kësaj jave specialistët e D.R.T.K-Vlorë dhe I.K.T.K kryen gërmime arkeologjike shpëtimi në varrezën antike (Nekropolin) dhe qytetin e sipërm (Akropolin) të Amantias. Në zbatim të vendimit Nr. 280, datë 17.08.2020 të Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale, u gërmua dhe dokumentua varri me muraturë tulle, i cili ishte dhunuar nga akte vandale në muajin Gusht të këtij viti gjatë punimeve për gërmimin e varrit monumental në hyrje të parkut arkeologjik. Nga gërmimi i tij u zbulua dhe dokumentua një inventar i pasur objektesh arkeologjike, kryesisht enë qeramike”. Njoftimi vlerëson paraprakisht se varri n duhet ti përkasë shek. III-II p.Kr. “Gjithashtu në zbatim të vendimit Nr. 381 datë 06.11.2020 të K.K.T.K.M, u krye dokumentimi i një varri cist pranë hyrjes monumentale në akropolin e Amantias. Nga gjetjet e inventarit varri rezulton se i përket periudhës otomane, duke na dhënë për herë të parë një informacion të rëndësishëm për vendbanimin e kësaj periudhe. Krahas pasurimit të parkut arkeologjik me monumente të reja për t’u vizituar dhe të dhëna me rëndësi për historinë e qendrës antike, nga gërmimet e këtij viti u rikuperuan objekte të një rëndësie të veçantë që do të pasurojnë stendat e muzeve lokal dhe kombëtar.” (sic.)

Lajmin e ka konfirmuar për mediat edhe kreu i Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore, Orges Feimi, i ka quajtur këto zbulime si tejet të rëndësishme. “Brenda këtij varri janë gjetur edhe objekte të ndryshme si enë qeramike”, ka thënë Feimi teksa ka bërë me dije se këto gjetje konfirmojnë datimin preliminar të varrit me muraturë tulle.

Gërmimet kanë nxjerrë në dritë edhe një varr tjetër pranë portës me hark në Amanti. Por, për arkeologët, ky varr, në bazë të gjetjeve, duhet të jetë shumë më i vonshëm.

“Nga vlerësimet tona paraprake mendojmë se ky varr i përket periudhës osmane pasi, përveç enëve qeramike, janë gjetur edhe disa monedha”, ka thënë Feimi.

Teksa janë paralajmëruar gërmime edhe në pika të tjera brenda hapësirës së Parkut, kreu i Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore ka thënë se objektet e gjetura do të ruhen e do të studiohen me qëllim që të ekspozohen para publikut.

“Këto varre janë të rëndësishme në karakterin historik, por edhe për infrastrukturën e parkut arkeologjik pasi janë vlerë e shtuar për monumentet që mund të vizitohen në këtë qendër”, ka vlerësuar Feimi.

Amantia, që qëndron në një sukë të fortifikuar kodrinore, në një distancë prej 34 kilometrash nga qyteti tjetër i lashtë Aulona, zenitin e zhvillimit e arriti në shekullin e tretë para erës sonë, aq sa në vitin 268 preu monedhat e veta. Është përmendur për herë të parë në shekullin e katërt p.e.s. nga Pseudo-Skylaksi, në një përshkrim për gjeografinë e Mesdheut të vjetër. Emri Amantia (në burimet e vjetra Ἀμάντια) është lidhur edhe me fjalën shqipe “amë” që shënon shtratin e lumit.

Qysh në lashtësi, qyteti kishte ngacmuar interesimin e shkrimtarëve të vjetër për historinë e tij: kështu, sipas Pauzanit, qyteti qe themeluar prej lokërve nga abantët që vinin prej Eubesë, kurse një tjetër më i vonë përmendte shprehimisht faktin se Amanta u ngrit në “tokë ilire” prej abantëve “që ktheheshin prej luftës së Trojës”.

Ndonëse ndërtuesit e tij ishin ilirë, siç dëshmohet nga muret, Amantia me kalimin e kohës do të përfitonte modele të urbanizimit helenistik, siç vihet re nga fortifikimet, mënyra e ndërtimit dhe arkitektura. Në kohën e pushtimit romak, Amantia gëzonte njëfarë autonomie të brendshme, pozitë që shpjegohet se ajo, njësoj si Bylisi e Apolonia, mbajti anën e Romës gjatë luftërave kundër shtetit ilir dhe atij maqedonas. Brenda perimetrit të hapësirës urbane të Amantias, siç dëshmojnë gjetjet arkeologjike, në shekullin e dytë para erës sonë ishte ndërtuar stadiumi me 300 vende, ndërkohë që në anën jugore jashtë mureve është zbuluar edhe themeli i një tempulli antik.

Në vitin 2003, Qeveria shqiptare e ka shpallur Amantinë si Park Arkeologjik.