Politikani shqiptar nga Maqedonia e Veriut dhe njëri nga ish-themeluesit e UÇK-së, Ali Ahmeti, iu bashkua protestës së organizuar nga OVL-UÇK në Prishtinë, ku mbajti edhe një fjalim të fuqishëm në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

Ahmeti theksoi se lufta e UÇK-së ishte e drejtë, çlirimtare dhe kurrë nuk është drejtuar kundër civilëve apo ndonjë komuniteti etnik në Kosovë.


“UÇK-ja asnjëherë nuk është marrë me të pafajshmit, asnjëherë nuk ka vrarë fëmijë e pleq. Lufta e saj ishte vetëm dhe vetëm për çlirim”, u shpreh ai para mijëra qytetarëve të mbledhur.

Duke nënvizuar mbështetjen masive të shqiptarëve nga të gjitha trojet, Ahmeti tha se “shqiptarët nga Struga, Gostivari, Shkupi e Kumanova vërshuan rrugët për të kërkuar drejtësi për çlirimtarët”, duke shtuar se nderi dhe dinjiteti i tyre po rrezikohet padrejtësisht nga Gjykata Speciale.

Ai kujtoi se që nga viti 1994, UÇK-ja i është përmbajtur ligjeve ndërkombëtare dhe Konventës së Gjenevës, ndërsa lufta e saj kurrë nuk ka pasur karakter të ndonjë lufte kundër popujve të tjerë.

“Nuk është luftë tradhtare e as terroriste. UÇK-ja me udhëheqësit e saj solli ndryshime pozitive gjeostrategjike, duke sjellë Perëndimin, Amerikën dhe Evropën në Ballkan,” theksoi Ahmeti, duke kërkuar lirimin e çlirimtarëve që po përballen me akuza në Hagë.

Protesta u mbajt për të kundërshtuar padrejtësitë që, sipas OVL-UÇK-së dhe përkrahësve të saj, po u bëhen figurave kryesore të luftës për çlirim të Kosovës.