Albin Kurti prezanton Artan Abrashin kandidat për kryetar të Prizrenit

Lëvizja Vetëvendosje ka zyrtarizuar kandidaturën e Artan Abrashit për kryetar të Komunës së Prizrenit në zgjedhjet e ardhshme lokale që pritet të mbahen më 12 tetor.
Në një ngjarje festive buzë Lumbardhit dhe pranë Xhamisë së Sinan Pashës, me pjesëmarrjen e kryeministrit në detyrë Albin Kurti dhe drejtuesve të tjerë të lartë të VV-së, përfshirë deputetët Arbër Rexhaj, Albena Reshitaj, Salih Zyba, si dhe ish-kryetarin e komunës Mytaher Haskuka, u konfirmua përkrahja për Abrashin.
"Prizrenit i duhet një kryetar i ri që punon fort e nuk qëndron vetëm duke u ankuar", u theksua në fjalimet e mbajtura, ndërsa kandidati u përshkrua si njeriu i duhur për të sjellë ndryshim, zhvillim dhe barazi në qytetin historik të Lidhjes.
Kurti tha se Abrashi është kandidati i duhur për Prizrenin.
“Me përkushtim dhe aftësi udhëheqëse, Artan Abrashi është kandidati ynë dhe i duhuri për Prizrenin”, tha Kurti.
Sipas LVV-së, Artan Abrashi do ta udhëheqë qytetin me ndershmëri dhe përkushtim, duke kthyer komunën në duart e qytetarëve që e ndërtojnë dhe e përbëjnë atë./Telegrafi/

















































