Ulësja e Kuvendit të Kosovës vazhdon të mbetet një objektiv i preferuar për shumë politikanë, të cilët shpesh herë shprehin ambiciet e tyre për të arritur postin e deputetit. Ata shpesh para qytetarëve bëjnë premtime të ndryshme, në përpjekje për të bindur elektoratin dhe siguruar mbështetjen e nevojshme.

Në zgjedhjet e 9 shkurtit, në listën e kandidatëve për deputet ishin edhe ata që tashmë ishin në shërbim të qytetarëve në pozita të ndryshme, siç janë kryetarët ose nënkryetarët e komunave, transmeton Telegrafi.


Përveç kandidatëve të tjerë, në mesin e atyre që kërkuan vota për një vend në Kuvendin e Kosovës, ishin edhe dy nënkryetarët e Prishtinës, Alban Zogaj dhe Jehona Lushaku-Sadriu.

Alban Zogaj ishte emëruar nënkryetar i Prishtinës në vitin 2021, ndërsa Jehona Lushaku-Sadriu ishte emëruar në vitin 2024.

Në zgjedhjet e 9 shkurtit, dyshja Zogaj dhe Lushaku-Sadriu arritën të grumbullojnë mjaftueshëm vota për t'u bërë deputetë, duke lënë pas pozitat e tyre si nënkryetarë të komunës së Prishtinës dhe duke u bërë pjesë e Kuvendit të Kosovës.

Paga e një nënkryetari të komunës është rreth 1 mijë euro, ndërsa ajo e një deputeti është rreth 2 mijë euro.

Në të njëjtën kohë, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka emëruar dy nënkryetarët e rinj, Shkëmb Manaj dhe Florian Dushi.

Lidhja Demokratike e Kosovës, në zgjedhjet e 9 shkurtit, u rendit si partia e tretë, duke vazhduar të jetë një nga lojtarët kryesorë në politikën kosovare./Telegrafi/