Real Madrid po përballet tashmë me probleme të shumta para përballjes së Ligës së Kampionëve kundër Manchester Cityt të mërkurën mbrëma në “Santiago Bernabeu”, dhe një tjetër shqetësim i është shtuar Xabi Alonsos.

Trajneri bask është nën presion të madh, me disa raportime që e cilësojnë këtë ndeshje si “vendimtare”, por ai mund të detyrohet të luajë pa lojtarin e tij më të mirë.


Të dielën, Kylian Mbappemori fashim në dorë për shkak të një lëndimi në gisht dhe më vonë u konfirmua se kishte thyer një gisht të dorës së majtë. Fillimisht kjo nuk dukej të ishte problem serioz.

Megjithatë, situata u komplikua të martën, kur Mbappe nuk mori pjesë në seancën stërvitore, një praktikë që zakonisht nënkupton se lojtari do të mungojë, ose në rastin më të mirë, do të jetë në stol.

Sipas Marca, ai është shpallur një ‘dyshim serioz’ për përballjen e Ligës së Kampionëve, për shkak të shqetësimeve muskulore në këmbën e majtë.

Prania e tij nuk është përjashtuar ende, por gjithçka do të varet nga mënyra se si Mbappe ndihet para ndeshjes.

Përveç Mbappes, edhe Eduardo Camavinga dhe Dean Huijsen janë pothuajse të konfirmuar si mungesa.

Camavinga humbi ndeshjen kundër Celta Vigos për shkak të një ndrydhjeje në kyçin e këmbës, ndërsa Huijsen ka dy javë jashtë për shkak të dhimbjeve në gju dhe asnjëri prej tyre nuk u stërvit të martën.

Ata i bashkohen listës së gjatë të të lënduarve: Dani Carvajal, Trent Alexander-Arnold, David Alaba, Eder Militao dhe Ferland Mendy.

Kjo situatë do të thotë se Fede Valverde pritet të rikthehet në rolin e mbrojtësit të djathtë, ndërsa Antonio Rudiger dhe Raul Asencio pritet të formojnë qendrën e mbrojtjes./Telegrafi/

telegrafi sport app