Profesori i pezulluar, Xhevat Krasniqi, i akuzuar për ngacmim seksual ndaj disa studentëve të Universitetit të Prishtinës, nuk e ka pranuar fajësinë në shqyrtimin fillestar gjyqësor që nisi sot më 01.07.2025 në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

“Jam absolutisht i pafajshëm”- tha i akuzuari Xhevat Krasniqi, në pyetjen e gjyqtarit Bujar Ahmeti, nëse  e pranon fajësinë.


Xhevat Krasniqi është ulur në bankën e të akuzuarve, sot më 01.07.2025 në Gjykatën e Prishtinës për tu përballuar më akuzat e Prokurorisë Themelore në Prishtinë të cilat rëndojnë ndaj tij.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori i shtetit, Xhevat Krasniqi tha se nuk e pranon fajësinë për akuzën e ngacmimit seksual.

Gjyqtari i çështjes, Bujar Ahmeti e njoftoi të akuzuarin dhe mbrojtësin e tij se në afat brenda 30 ditësh kanë të drejtë për kundërshtim të provave dhe kërkesë për hedhje të Aktakuzës.

KALLXO.com kishte raportuar më 11.04.2025 se ndaj Xhevat Krasniqit, Prokuroria e Prishtinës kishte ngritur aktakuzë lidhur me denoncimet e studenteve për ngacmim seksual. Xhevat Krasniqi ishte denoncuar nga 27 studente të Fakultetit të Mjekësisë për ngacmim seksual.

Sipas Prokurorisë së Prishtinës, ngacmimet seksuale nga Krasniqi pretendohet se kanë ndodhur nga janari i vitit 2022 deri në dhjetor të vitit 2023, në objektin e Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës.

Prokuroria pretendon se profesori Krasniqi është përfshirë në sjellje joetike-verbale të natyrës së ngacmimit seksual, me qëllim të cenimit të dinjitetit të personit tjetër.

Prokuroria ka vënë në pah edhe pozitën që i akuzuari ka pasur si Profesor universitar – duke pasur pozitën e autoritetit mbi të dëmtuarat.

Prokuroria në aktakuzën e saj ka listuar katër të dëmtuara.

Xhevat Krasniqi u pezullua nga puna për gjashtë muaj, më 23.04.2024, nga ish-rektori i UP-së Qerim Qerimi.

Pasi kaluan gjashtë muaj rektori i ri i UP-së Arben Hajrullahu mori vendim, më 23.10.2024, që t’ia vazhdojë pezullimin Krasniqit deri në përfundimin e hetimeve nga Prokuroria.

Ish-rektorit të UP-së Qerim Qerimi pezullimin e përkohshëm nga puna të profesorit Krasniqi, derisa të përfundojnë veprimet hetuese nga ana e Prokurorisë së Shtetit, ia kishte rekomanduar ish-Këshillit të Etikës të UP-së.

Këshilli i Etikës së UP-së që vendosi për rastin e Krasniqit përbëhej nga katër anëtarë burra: Iset Morina (Kryetar), Skënder Muji, Arben Hajdari dhe Rrezeart Galica. UP nga nëntori i vitit 2024 ka Këshill të ri të Etikës, në krye me Flamur Hysenin dhe anëtarët: Rajmonda Nallbani-Komoni, Qëndrim Gashi, Safet Merovci dhe Furtuna Sheremeti.

Vendimi për pezullimin e profesorit Krasniqi nuk u publikua nga Universiteti i Prishtinës, por vetëm u publikua një komunikatë që e përfolte Vendimin dhe bazën e tij në Rekomandimin e Këshillit të Etikës së UP-së.

Pas më shumë se një javë që u pezullua nga puna Krasniqi, ish-Këshilli i Etikës i UP-së doli me Vendim për këtë rast, të marrë në mbledhjen e datës 02.05.2024.

Marrja e Vendimit të ish-Këshillit të Etikës të UP-së që të pezullohet përkohësisht nga puna Krasniqi, derisa të përfundojnë hetimet nga Prokuroria u konsiderua “dështim” nga aktivistë e njohës të fushës së Drejtësisë, pasi ia pamundësoi studenteve të cilat e kanë raportuar rastin të ankohen ndaj këtij Vendimi.