Një ushtar Kosovar që ndihmonte në trajnimin e personelit të ushtrisë ukrainase, ka mohuar akuzat për sulm seksual.

Siç raporton BBC, Bali Hoxha 28 vjeçar, nga kampi Tofts Camp në Thetford, Norfolk, është akuzuar për përdhunim dhe dy raste të sulmit seksual ndaj një gruaje.


Sipas aktakuzës, sulmi i dyshuar ka ndodhur përgjatë një shtigje midis rrugës “Prince of Wales” dhe parkut “Riverside Retail Park”, rreth orës 23:30 më 17 shtator.

Hoxha është dërguar në paraburgim nga Gjykata e Kurorës në Norwich deri në gjykimin e tij, i cili është caktuar për 7 prill të vitit të ardhshëm, e që pritet të zgjasë pesë ditë.

BBC shkruan se Hoxha është i punësuar nga ushtria e Kosovës, por është i kontraktuar për të trajnuar ushtarë ukrainas në bazën stërvitore të ushtrisë britanike pranë Thetford-it, në kuadër të një kontrate me Ministrinë e Mbrojtjes.

Në seancë, ai foli vetëm për të konfirmuar emrin e tij, ndërsa avokati mbrojtës Jonathan Goodman i tha gjykatës se megjithëse anglishtja e klientit të tij ishte e mjaftueshme për seancën e paraqitjes së deklaratës, një përkthyes në gjuhën shqipe do të jetë i nevojshëm për gjykimin dhe çdo seancë ndërmjetëse.

Gjykatës iu bë e ditur gjithashtu se tre dëshmitarë do të kenë nevojë për përkthyes.

U tha se këta dëshmitarë ka të ngjarë të jenë të dislokuar në Kosovë në kohën e gjykimit, por ushtria e Kosovës do t’i lirojë ata për të marrë pjesë në seancë. /Telegrafi/