Aktori Jonah Hill duket thuajse i panjohur ndërsa transformohet plotësisht në xhirimet e filmit të ri

Një yll shumë i njohur i Hollywood-it është bërë pothuajse i panjohshëm, pasi ka treguar fizikun e tij dukshëm më të dobët.
Aktori 41-vjeçar, i cili ka luajtur në shumë filma të suksesshëm, është parë në xhirime duke treguar trupin e tij të tonifikuar për filmin e ri.
Bëhet fjalë për Jonah Hill, i cili ka befasuar fansat me ndryshimin e madh në pamje pas humbjes së konsiderueshme në peshë, shkruan The Sun.

Ylli i “21 Jump Street” ka treguar një fizik shumë më të hollë teksa po xhironte projektin më të fundit, “Cut Off”.
Jonah ishte veshur me një paruke me ngjyrë rëre, mjekër të rritur dhe veshje të frymëzuara nga vitet ’60, duke hyrë plotësisht në rolin e tij të ri. Ai u pa duke lexuar skenarin ndërsa dilte nga karvani për të filluar xhirimet.

Në set ishte edhe bashkëaktorja e tij, Kristen Wiig, por ajo që tërhoqi më shumë vëmendje ishte transformimi fizik i Hill, i cili dukej shumë më ndryshe në xhirimet e realizuara në Los Angeles.
Gjatë viteve, Jonah ka përjetuar ndryshime të shumta në peshë. Aktori, i cili ka folur hapur për sulmet e ankthit, ka pranuar se mbipesha në fëmijëri e ka ndikuar thellë emocionalisht.

“Kur isha fëmijë, ushqimi dhe ushtrimet më prezantoheshin sikur kishte diçka që nuk shkonte me pamjen time,” ka treguar ai në dokumentarin e Netflix-it, Stutz.
“Asnjëherë nuk më është thënë që ushtrimet dhe ushqyerja mund të kenë ndikim në shëndetin mendor. Do të doja që kjo t’u shpjegohej njerëzve ndryshe”.
Ai shtoi se ende ndjehet sikur “është ai djali 14-vjeçar, mbipeshë, me akne dhe që ndihet i padëshirueshëm nga bota”.

“Në thelb, unë ende ndjej se jam ai person që askush nuk e do,” tha aktori. “Por puna që po bëj me veten është drejt pranimit që është mirë të jesh ky person — edhe pse kjo mbetet e vështirë.”
Jonah u bë i njohur fillimisht me komeditë Accepted (2006) dhe Superbad (2007).

Ai ka rrëfyer se bashkëylli i tij në “21 Jump Street”, Channing Tatum, e kishte inkurajuar të punonte me një trajner personal dhe një nutricionist në vitin 2011.
“E thirra Channing-un dhe i thashë: ‘Nëse ha më pak dhe stërvitem, do të hyj në formë më të mirë?’ Ai më tha: ‘Po, budalla, sigurisht që po. Është gjëja më e thjeshtë në botë’,” ka treguar Hill me humor në emisionin The Tonight Show në vitin 2016.

Pas kësaj, ai arriti të humbte rreth 18 kilogramë, por peshën e riktheu sërish gjatë xhirimeve të The Wolf of Wall Street (2013).
Megjithatë, pas filmit War Dogs (2016), Jonah u përkushtua sërish ndaj stilit të shëndetshëm të jetesës dhe që nga ajo kohë ka arritur ta mbajë trupin në formë të shkëlqyer. /Telegrafi/





























































