Aksident tragjik në Mushnikovë të Prizrenit, vdes një person

Një person ka humbur jetën sot në fshatin Mushnikovë të Prizrenit, pasi vetura që kishte lëvizur mbrapa e ka rrëzuar nga një mur mbi gjashtë metra i lartë.
Zëdhënësi i Policisë Rajonale të Prizrenit, Shaqir Bytyqi, bëri të ditur se ngjarja u raportua rreth orës 12:17.
Sipas informacioneve fillestare, viktima po vendoste një gur për të siguruar automjetin, kur ky i fundit u lëviz papritur dhe e goditi.
"Viktima, pasi kishte parkuar veturën dhe po vendoste një gur për siguri, është goditur nga lëvizja prapa e automjetit dhe është rrëzuar nga një mur mbi 6 metra i lartë”.
Fillimisht policia konstatoi se ai kishte ende shenja jete, por vdiq gjatë transportit drejt Ambulancës së Reçanit.
Në vendngjarje kanë dalë njësitë policore dhe është informuar Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar fillimin e rastit “Hetim i Vdekjes”./Telegrafi/













































