Një aksident i rëndë ka ndodhur pasditen e së hënës në autostradën Fier-Vlorë, pranë “Kthesës së Pojanit”.

Në aksident janë përfshirë shtatë automjete që udhëtonin në drejtim të Vlorës.


Si pasojë e përplasjes së fortë, dy persona kanë mbetur të lënduar dhe janë dërguar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Fierit për trajtim mjekësor.

Disa të tjerë përfshirë edhe një foshnje janë dërguar vetëm për kontroll mjekësor.

“Rreth orës 15:00, në bypass-in Fier-Vlorë, janë përfshirë në aksident rrugor automjetet me drejtues shtetasit A. B., E. Gj., Sh. K., A. B., V. N., R. M. dhe M. V. Si pasojë e përplasjes janë dëmtuar dy pasagjeret, shtetaset M. Rr., 52 vjeçe dhe S. Rr., 32 vjeçe, si edhe kanë shkuar në spital për kontroll mjekësor tre prej drejtuesve, shtetasit R. M., 46 vjeç, M. V., 45 vjeç, V. N., 22 vjeçe dhe një foshnjë 1 vjeçe”, njoftoi policia.

Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit, si dhe për normalizimin e trafikut në zonë.