Aitana Bonmati, ylli i Barcelonës dhe kombëtares së Spanjës, bëri histori duke u bërë futbollistja e parë femër që fiton tre Topa të Artë me radhë.

27-vjeçarja siguroi çmimin edhe këtë vit në Paris, duke vazhduar dominimin e lojtarëve të Barcelonës dhe Spanjës, të cilët kanë fituar pesë nga shtatë çmimet e dhëna deri tani.


Në një intervistë pas ceremonisë, Bonmati u shpreh se ishte pak e befasuar nga fitorja:

“Çdo gjë mund të kishte ndodhur. Çmimi mund t’i kishte shkuar ndonjë kolege tjetër, dhe për këtë arsye unë nuk isha plotësisht e sigurt”.

Ajo foli edhe për të ardhmen e saj në klub:

“Për momentin kam edhe tre vite kontratë. Kam qenë në Barcelonë për 14 vjet, dhe nuk më pëlqen të flas shumë për të ardhmen. Më pëlqen të jetoj në të tashmen. Barça është shtëpia ime dhe klubi im i përjetshëm, dhe shpresoj të qëndroj këtu për shumë kohë”.


Duke komentuar ndikimin e këtij çmimi në futbollin e femrave, Bonmati theksoi përparimin e madh që po bëhet:

“Vërtet ka qenë një vit i mrekullueshëm. Çdo vit po bëjmë përparime. Gjenerata jonë ka shansin të jetë një shembull i madh, jo vetëm për vajzat, por edhe për djemtë, gratë dhe burrat; në futboll nuk ka gjini”.

“Të jesh këtu në Paris, me gjithë vëmendjen dhe ndikimin që ka kjo ceremonie, ndihmon shumë futbollin e femrave që të shihet qartë se po ecim drejt barazisë. Sot, për shembull, në gala çmimet u dhanë në të njëjtën mënyrë për meshkujt dhe femrat. Nuk kanë kaluar shumë vite që Topi i Artë nuk ekzistonte për femrat”.

“Është një nder i madh të mund të vendosim futbollin e femrave në këtë skenë, dhe unë kam luftuar për këtë barazi. Jam shumë krenare që përfaqësoj futbollin e femrave në këtë mënyrë”, ka thënë Bonmati.

Në lidhje me ndikimin personal të fitimit të Topit të Artë, Bonmati shtoi:

“Mendoj se Topi i Artë është një skenë globale që ndryshon jetën. Të ndihmon të arrish në më shumë shtëpi dhe të njohësh. Sa herë vij këtu, dhe kam pasur fatin ta fitoj tri herë, më ka ndihmuar shumë. Jam shumë mirënjohëse dhe me fat që jam këtu”.

Ky sukses i Bonmatit jo vetëm që shënon një moment historik për të, por edhe për futbollin e femrave në mbarë botën, duke nxitur më shumë vëmendje dhe barazi në sport. /Telegrafi/

telegrafi sport app