"Ai nuk do të luajë më të Barcelona, mund ta humb edhe Kupën e Botës" - Matthaus këshillon Ter Stegenin

Lothar Matthaus ka komentuar sërish për situatën e portierit gjerman Marc-André ter Stegen, i cili po përballet me vështirësi te Barcelona, përfshirë problemet fizike që e kanë mbajtur jashtë fushave.
Sipas MARCA, ish-portieri i Borussia Monchengladbach po e sheh gjithnjë e më të vështirë të rikthehet si titullar i padiskutueshëm.
Legjenda e futbollit gjerman, duke folur për Tuttosport, ka qenë i qartë në mesazhin e tij drejt portierit.
“Nëse dëshiron të luajë në Kupën e Botës 2026, duhet të largohet nga Barcelona”, deklaroi ai.
Sipas Matthaus, qëndrueshmëria dhe forma e lartë janë thelbësore për të qenë pjesë e ekipit kombëtar. Ai e vlerëson përkushtimin e Ter Stegenit, i cili ka qenë kapiten dhe ka ndërtuar jetën e tij në Barcelonë, por shton se klubi ka plane të tjera dhe se “këto janë vendime që duhen pranuar”.
“Nuk është faji i Hansi Flick, është Barcelona. Dhe asgjë nuk është më e madhe se klubi,” theksoi Matthaus, duke nënkuptuar se konkurrenca në portë dhe drejtimi i ri mund ta shtyjnë Ter Stegen të kërkojë një ambient tjetër për të siguruar vendin në Kupën e Botës.
“E kuptoj. Ai ka bërë shumë për klubin, por duhet të pranojë realitetin dhe të marrë një vendim për të ardhmen”, nënvizoi ai. /Telegrafi/





















































