LAJMI I FUNDIT:

AI-ja nuk po ecën mbarë: Çfarë nëse nuk mund të rregullohet?

AI-ja nuk po ecën mbarë: Çfarë nëse nuk mund të rregullohet?
Ilustrimi: Gary Neill / FT

Nga: Henry Mance / The Financial Times
Përkthimi: Telegrafi.com

Çetboti fliste marrëzira. “Për të ringjallur virgatin, është e nevojshme të futësh kërcimtarët në grup”, i tha një përdoruesi. “Jam pranë. Jam brenda. Jam për, jam nga, jam ai”, tha një tjetër.

Disa përdorues bënë shaka se kishte marrë drogë – ose e kishte lexuar shumë James Joycein. Të tjerët thanë se fliste si një turist anglez në Marbella të Spanjës: “Muchas gracias për mirëkuptimin tuaj, y ju siguroj se tani e tutje do jemi të pastër como la uji”. Ishte 21 shkurti dhe ChatGPT-ja ishte prishur.


OpenAI, e cila e drejton ChatGPT-in, e pranoi problemin dhe shpejt e rregulloi – që mbase është më e pakta gjë që mund të prisni nga kompania e vlerësuar së fundmi me 80 miliardë dollarë. Shpjegoi se një përditësim kishte “futur një defekt në mënyrën se si modeli e përpunon gjuhën”.

Megjithatë, janë dukuri rutinore mangësitë më pak dramatike të ChatGPT-së. Tani duhet të përgjigjet ndaj pyetjeve me paralajmërime dhe me kontekst, të cilat janë futur si veçori sigurie. “A është problemi tek unë apo ChatGPT4 po bëhet më pak e mirë në punën e vet? Gjithnjë e më e marrë?”, u ankua muajin e kaluar fizikani David Deutsch, adoptues i hershëm i teknologjisë.

ChatGPT-ja gjithashtu ka “halucinacione” – domethënë, krijon informacion të pasaktë. Kur u pyet për të gjeneruar abstraktet shkencore, shpiku 30 për qind të referencave; nuk e kishte asnjë përmirësim të vërtetë midis performancës së versionit 3.5 dhe versionit 4.

Këtë mund ta provoni vetë duke kërkuar nga ChatGPT-ja që të emërojë kryeministrat britanikë me dy “T”-ja në emrin e tyre. Përgjigja e saj vlen të citohet e plotë: “1. Margaret Thatcher; 2. Winston Churchill (derisa emri i tij i plotë nuk ka dy “t”, mbiemri i tij ka dy shkronja të njëjta); 3. Tony Blair; 4. Matt Hancock. (Shënim: Që nga përditësimi im i fundit në prill 2023, Matt Hancock nuk ka shërbyer si kryeministër, por përfshihet këtu si plotësim në rast të ndonjë konfuzioni apo rëndësie në të ardhmen.)”

Çështja nuk është nëse Matt Hancock ka ndonjë rëndësi në të ardhmen (megjithëse vlen të përmendet se deri në prill 2023 kishte njoftuar se do të largohej si anëtar i Parlamentit). Jo, ajo që është interesante është implikimi më i gjerë.

Si reagojmë ndaj teknologjisë që është edhe e mirë dhe gjysmë e formuar? Nuk është vetëm ChatGPT-ja. Google-it iu desh të nxirrte jashtë linje gjeneratorin e fotografive të inteligjencës artificiale [AI], Gemini, pasi prodhoi imazhe historikisht të pasakta dhe fyese, të tilla si njerëzit me ngjyrë si nazistë. Mjetet e tilla dështojnë në mënyrë të qartë: nuk janë mjaft të besueshme për t’u përdorur gjerësisht dhe rregullisht. Prandaj, vjen shakaja së cilës iu dha jehona nga vetë bashkëthemeluesi i OpenAI-së, Sam Altman: AI-ja është çdo gjë që ende nuk funksionon.

Përgjigja më popullore është të supozohet se mjetet përmirësohen. E kemi kaluar këtë më parë. Wikipedia dikur ishte siç ishte; tani (falë punës njerëzore) është e paçmueshme. Përdorimi i ChatGPT-së ka rënë pas ngritjes fillestare – por, këto janë ditët e para. Më 5 dhjetor 2000, The Daily Mail botoi titullin: “Interneti ‘mund të jetë thjesht një modë kalimtare, pasi miliona njerëz po heqin dorë prej tij’”. Si optimistët ashtu edhe pesimistët e AI-së, supozojnë se teknologjia do të marshojë mbarë edhe këtë herë. Elon Musku, kohët e fundit parashikoi: “Në vitin e ardhshëm, inteligjenca artificiale ndoshta do të jetë më e zgjuar se secili njeri”. Geoffrey Hinton, ish-inxhinier i Google-it, ka paralajmëruar se mund të zhduk njerëzimin.

Por, zhurma e vitit të kaluar për inteligjencën artificiale, ka hapur gjithashtu kërkesën për një perspektivë rivale: ndjenjën se teknologjia mund të jetë paksa zhgënjyese. Me fjalë të tjera, jo optimizëm apo pesimizëm, por skepticizëm. Nëse e gjykojmë AI-në vetëm nga përvojat tona, e ardhmja nuk është marrëveshje e përfunduar.

Ndoshta njeriu më i zhurmshëm për AI-në është Gary Marcus, një shkencëtar kognitiv i cili e bashkëthemeloi një startap të AI-së dhe atë ia shiti Uber-it në vitin 2016. Altman shkroi një herë në Twitter: “Ma jep besimin për një skeptik mediokër që futet në mësim të thellë”; Marcus supozoi se ishte referencë për të. E preferon termin “realist”.

Nuk është fatalist ai i cili beson se AI-ja do të mashtrojë dhe do të na kthejë të gjithëve në kapëse letre. Ai dëshiron që AI-ja të ketë sukses dhe beson se do të ketë sukses. Por, në formën aktuale, argumenton se po i mëshon murit me kokë.

Modelet e mëdha të sotme të gjuhës [LLM], kanë mësuar të njohin shabllonët, por nuk i kuptojnë konceptet themelore. Prandaj, gjithmonë do të prodhojnë gabime të pakuptimta, thotë Marcus. Është “qesharake” ideja se kompanitë e teknologjisë do të prodhojnë inteligjencë të përgjithshme artificiale [AGI] deri në vitin 2030.

AGI-ja po thith para, energji elektrike, ujë, të dhënat me të drejta autoriale. Nuk është e qëndrueshme. Mund të nevojitet një qasje krejtësisht e re. Ed Zitron, ish-gazetar për lojëra i cili tani është publicist dhe kritik për teknologjinë – dhe i cili jeton në Nevadë – e shpreh këtë më qartë: “Mund të jemi në kulmin e inteligjencës artificiale”.

Skepticizmi i tillë është tërheqës, pjesërisht për shkak se e gërryen vetërëndësinë e liderëve të teknologjisë, si Altman dhe Musk. Kush nuk kënaqet duke derdhur dush të ftohtë mbi miliarderët e vetëkënaqur? Kush nuk e ngushëllon veten ndonjëherë me mendimin se gjërat mund të qëndrojnë ashtu siç janë? Edhe nëse nuk e artikulojmë në mënyrë eksplicite atë qasje skeptike, e mbështesim në mënyrë implicite me sjelljen tonë. Nuk bëjmë shumë për t’u përshtatur me AI-në (ose ndryshimin e klimës), sepse nuk besojmë te përmbysja derisa ajo nuk vjen.

Por, skepticizmi është gjithashtu i vështirë, sepse teknologjia po përmirësohet kaq shpejt. Në vitin 2013, Marcusi shkroi se si motori i fuqishëm i kërkimit i Google-it nuk mund të përgjigjej në pyetjet të cilat të rriturit nuk ia kanë bërë më parë, si: A mund të vrapojë një aligator pengesat deri në 100 metra? Tani, ChatGPT-ja me lehtësi mund t’i përgjigjet kësaj pyetjeje.

Edhe optimistët e teknologjisë e shohin veten të mbërthyer. Kreu i AI-së në META, Yann LeCun, më 13 shkurt u tha udhëheqësve botërorë se nuk ishte i mundur shërbimi i AI-së i cili tekstin e bën video: “Në thelb, nuk dimë se si ta bëjmë këtë”. Disa ditë më vonë, OpenAI e zbuloi modelin e tij tekst-në-video – Sora. Nëse thoni me zë të lartë se AI-ja kurrë nuk do të jetë në gjendje të bëjë diçka, ekziston mundësia se dikush po qesh në Luginën e Silikonit.

Marcusi thotë se gjuha e LeCunit ishte “e shkujdesur”. Sora ende nuk është e disponueshme publikisht dhe disa nga të metat e saj tashmë janë të dukshme. AI-ja nuk i përfshin ligjet e fizikës. E prodhon një tabelë shahu 7×7 me tre mbretër. “Gjërat e sfidojnë gravitetin”!

Larg nga zmbrapsja, Marcusi është i guximshëm. I merr parasysh komentet e fundit nga Altmani i OpenAI-së, duke refuzuar të japë një afat kohor për përditësimin tjetër të madh të ChatGPT-së. Demis Hassabis, bashkëthemelues i Google DeepMind, ka thënë se arritja në AGI ndoshta do të kërkojë “disa risi të tjera”. Paratë e derdhura në inteligjencën artificiale sjellin “një grup të tërë të zhurmave dhe ndoshta disa shqetësime”, është ankuar ai.

“Të gjithë thanë se isha i çmendur”, thotë Marcus. “Një numër çuditërisht i madh i njerëzve janë bashkuar në gjërat të cilat unë i kam thënë gjatë gjithë kohës”. Testi i tij i aligatorit u mund, por “shpirti” i tij jo. “Parashikova halucinacione në vitin 2001 … Nuk ma ndien nëse nesër ndalen halucinacionet”.

Nga një këndvështrim, skepticizmi i teknologjisë është i çuditshëm. Dy dekada më parë, nuk kishim as iPhone. Por, pikërisht për shkak të revolucionit të iPhone-it, teknologjia e sotme mund të duket e dobët. Apple Watch doli të jetë matës i mirë. Vision Pro, pajisja e re e Apple-it, nuk duket se është përdorimi më i mirë kur ka çmimin prej 3,226 eurove. Metaversi është më i vetmuar sesa një vegjetarian në Nando.

Këtë javë, Amazon-i tha se do të ndalojë përdorimin e teknologjisë së saj të shumëpërfolur pa arka, nëpër supermarketet e saj në ShBA. Teknologjia dukej e sofistikuar, por mbështetej në mbi një mijë njerëz në Indi të cilët i shikonin videot e blerësve dhe etiketonin veprimet e tyre.

Ka precedentë për skepticizëm. Në vitin 1970, pionieri i AI-së, Marvin Minsky, parashikoi: “Në tre deri në tetë vjet do ta kemi një makinë me inteligjencë të përgjithshme sa një qenieje mesatare njerëzore”. Ueh. Në vitin 2016, Tesla tha se të gjitha makinat e saj të reja e kishin harduerin e nevojshëm për t’u drejtuar më sigurt sesa njerëzit. Përsëri, ueh. “Kam thënë, që nga viti 2016, se makinat vetëdrejtuese nuk do të ndodhin në vitin e ardhshëm”, thotë Marcus.

Një ndihmë tjetër për skeptikët është kriptoja. Për shumë vjet, kriptomonedha u hodh në lojë nga njerëzit shumë të zgjuar në Luginën e Silikonit. U paraqit si e pashmangshme. Funksionet e saj u shmangën. Nëse pyesnit për aplikimet e sakta, kampionët e tij shumë të zgjuar pothuajse e kthenin kokën: A nuk është e qartë? Kripto është revolucion. Blokçejni, teknologjia e lidhur mund të rindërtojë gjithçka.

AI-ja dhe kriptoja kanë lindur në të njëjtin mjedis. Altmani i OpenAI-t, në vitin 2019 e bashkëthemeloi një kriptomonedhë të quajtur Worldcoin. (Worldcoin skanon sytë e përdoruesve, në mënyrë që të mund të dallojë përdoruesit njerëzorë nga makinat. Këtë muaj, rregullatorët spanjollë e urdhëruan ndalimin e përdorimit të tij në Spanjë, për arsye të privatësisë.)

Ashtu si kriptoja, AI-ja i ka të metat e identifikueshme. LLM-të, si të OpenAI-së, nuk mund të përpunojnë gjithë njohuritë njerëzore. Janë trajnuar në grupe të dhënash të disponueshme – fjalë, imazhe dhe audio, por jo në ndërveprimin e drejtpërdrejtë me botën fizike. Edhe nëse grumbulloni më shumë të dhëna, a mund t’i adresoni kufizimet?

Në podkastin e tyre Mystery AI Hype Theatre 3000, gjuhëtarja Emily Bender dhe sociologu Alex Hanna përpiqen ta veçojnë bumin e AI-së – duke përfshirë pretendimin e një ekzekutivi të Google-it se kompjuterët tashmë e kanë inteligjencën e përgjithshme artificiale dhe një parashikim të Goldman Sachsit se AI-ja do të zëvendësojë një të katërtën e punëve aktuale.

“Është e vërtetë që këto gjëra mund ta nxjerrin tekstin i cili për një larmi temash duket i besueshëm, por kjo është një mimikë e përgjithshme që nuk vlen asgjë”, thotë Bender. “Barra e provës qëndron te njerëzit të cilët bëjnë pretendime të jashtëzakonshme … Askush nuk po thotë se AI-ja është reklamë, por themi se reklama janë pretendimet tuaja për AI-në”.

Gary Marcus sugjeron se performanca mund të përkeqësohet: LLM-të prodhojnë rezultate të pabesueshme, të cilat më pas përthithen përsëri në LLM-të e tjera. Modelet kontaminohen përgjithmonë. Proceset e rishikimit të revistave shkencore do të mbingarkohen “duke çuar në rënie të shpejtë të reputacionit”, shkroi Marcus në kohët e fundit.

Mundësia tjetër e skeptikëve është të pyesin nëse njerëzit vërtet po e përdorin AI-në. Sa njerëz i njihni, të cilët rregullisht e përdorin ChatGPT-në? “Do të doja që të mund të kryente pjesët e mërzitshme të punës sime, por nuk mundet”, thotë Zitroni. Marcusi ka zgjedhur parashikimin se AI-ja ishte aq e mirë në analizimin e skanimeve MRI dhe CT, saqë do t’i linte radiologët pa punë. Në vitin 2022, ai shkroi: “Asnjë radiolog i vetëm nuk është zëvendësuar”.

Ka shembuj të tjerë. Zitroni e citon një studim nga Boston Consulting Group, i cili zbuloi se konsulentët që përdorën ChatGPT-në për të ndihmuar në zgjidhjen e problemeve të biznesit, rezultuan 23 për qind më keq sesa ata të cilët nuk e përdorën atë. (BCG zbuloi se mjeti me 40 përqind e rriti performancën në inovacionin e produktit.)

Shumëkush janë skeptikë për AI-në. Përafërsisht një e treta e amerikanëve thonë se AI-ja do t’i bëjë rezultatet më të mira për pacientët, një e treta tjetër thonë se do t’i përkeqësojë rezultatet dhe pjesa tjetër thonë se nuk do të bëjë shumë ndryshime.

Ajo që do të justifikonte skeptikët është ky lajm: falimentim i stilit WeWork, i lojtarit të madh të AI-së. Është e mundur. Kostot e tyre llogaritëse janë të mëdha. Shefi ekzekutiv i StabilityAI, një gjenerues imazhi që dikur vlerësohej në një miliard dollarë, dha dorëheqjen muajin e kaluar pasi investitorët u mërzitën për mungesën e të ardhurave.

Për më tepër, kompanitë e AI-së përballen me veprime ligjore nga mbajtësit e ndryshëm të të drejtave të autorit. Një nga paditë, nga Shoqata e Autorëve, akuzon OpenAI-në për “vjedhje sistematike dhe në shkallë masive”. Andreessen Horowitz, një firmë e kapitalit sipërmarrës ka paralajmëruar: “Përfundimi është ky: vendosja e kostos së përgjegjësisë aktuale ose të mundshme për të drejtat e autorit mbi krijuesit e modeleve të AI-së – ose do të vrasë ose do të pengojë ndjeshëm zhvillimin e tyre”.

Por, kjo lexohet si alarm për interesat personale. Mary Rasenberger, shefe ekzekutive e Shoqatës së Autorëve, thekson se OpenAI-ja tashmë është duke negociuar licencat me ofruesit e lajmeve.

Thotë se “duhen shumë para” për të licencuar librat. Ed Newton-Rex, themeluesi i Fairly Trained, një organizatë jofitimprurëse që certifikon praktikat e trajnimit të kompanive të AI-së, thotë se – nëse kompanitë do të paguanin për licencat – “progresi në industrinë e LLM-së do të vonohej, por në afat të mesëm do të përfundojë me modele shumë të afta”. (Rasenberger shton se ChatGPT-ja dhe të tjerët do të përballeshin me kufizimet në mënyrën se si i përdornin të dhënat e mbrojtura nga të drejtat e autorit: për shembull, nuk do të jenë në gjendje të ofrojnë tekst në stilin e autorit të caktuar.)

Ndërkohë, për besimtarët e AI-së, shfajësimi mund të vijë në formën e paraqitjes së një produkti të profilit të lartë të bazuar në AI. Hassabis, nga Google DeepMind, thotë se brenda disa viteve do të ketë ilaçe të dizajnuara nga AI-ja – për provat klinike. (Përgjigja e Marcusit: “Çështja është nëse ia vlejnë.”)

Nëse historia është udhërrëfyes, shfajësimi për secilën palë do të jetë i pjesshëm. Me shumë mundësi, debati do të vazhdojë. Inteligjenca artificiale do të përfshihet në shumë prapaskena të cilat i marrim si të mirëqena. Në vend që të fokusohemi nëse optimistët, pesimistët apo skeptikët kishin të drejtë, do të fokusohemi në atë që do të ndodhë më pas. A do të arrijë inteligjenca artificiale në inteligjencën e përgjithshme artificiale, d.m.th. të përputhet me njerëzit në një sërë testesh njohëse?

Për këtë pyetje, grupi i skeptikëve është shumë më i madh. Inxhinieri i Google-it, François Chollet, është ndër ata që argumentojnë se nuk ka asnjë rrugë të drejtpërdrejtë nga LLM-ja drejt AGI-së: “Në vitin 2033 do të duket krejtësisht e habitshme se si një grup i njerëzve të teknologjisë e humbën mendjen për gjeneruesit e tekstit”.

Marcus ia ka ofruar Elon Muskut një bast prej 10 milionë dollarëve, nëse inteligjenca artificiale do të tejkalojë inteligjencën njerëzore deri në vitin 2025. “Ka të bëjë me përgjegjshmërinë dhe jo me konkurrencën apo paratë”. Marcusi ankohet se njerëzit kanë mësuar se mund të “rrisin çmimet e aksioneve të tyre”, me premtime të tepruara.

Por, një bast i tillë gjithashtu pak gjëra sqaron. Musku i ka humbur rregullisht afatet për risitë në Tesla. Tesla ende është prodhuesi kryesor në ShBA i makinave elektrike, dhe Musku vlen 183 miliardë dollarë. Në mënyrë të ngjashme, për skemën e gjërave, duket mjaft ambicioze nëse inteligjenca e përgjithshme artificiale arrin më 2030 ose 2040.

E pyes Zitronin nëse ka frikë se gabon. “Nëse e kam gabim, e kam gabim – nuk më intereson. Nëse e kam gabim, do të shkruaj për këtë”.

Kohët e fundit, skepticizmi ka marrë një emër të keq, për shkak se lehtësisht ndjekësit kanë kaluar në konspiracion: duke dyshuar në informacione të besueshme për klimën, vaksinat dhe Ukrainën. Skepticizmi i AI-së deri tash e ka shmangur këtë. Marcusi thjesht argumenton se nuk kemi nevojë të pezullojmë gjykimin për LLM-të. “E dimë se si funksionojnë këto arkitektura. Kemi prova të mëdha për të thënë se halucinacionet nuk po shkojnë askund. Janë imitues shumë të mirë, me pak kuptim për atë që thuhet”.

Në të njëjtën kohë, skeptikët shpesh turbullojnë pyetjet për vetë teknologjisë, me mospëlqim të kompanive që qëndrojnë prapa. Industria nuk e ka humbur shpirtin: ua ka shitur kapitalistëve sipërmarrës, të cilët nuk kujdesen për përvojën e përdoruesve. Skeptikët tërhiqen nga paratë që derdhen në AI, ndërkohë që mijëra punonjës të teknologjisë po pushohen nga puna. Refuzojnë të pranojnë se njerëzit e tillë si Altmani, duhet të lejohen të lërojnë pa pengesa; refuzojnë mbulimin e çuditshëm mediatik që ai merr.

Zitroni u rrit në Mbretërinë e Bashkuar. E kujton intervistën e famshme agresive të Jeremy Paxmanit në Newsnight, me sekretarin e atëhershëm të Brendshëm, Michael Howard. “E dua atë – me Sam Altmanin”. Në qendër të tij, skepticizmi i AI-së është këmbëngulja se, çfarëdo makinerie që bëjnë perënditë e Luginës së Silikonit, vetë ata janë thjesht njerëz. /Telegrafi/