Sipas tyre, me udhëheqjen e VV-së me kryeqytetin shërbyesit civil do të mund ta zgjidhnin çështjen e banimit, me pagat që ata i marrin, të cilat, sipas Ahmetit, janë nën mesataren e pagës në Kosovë.

Kandidati për kryetar i VV-së, Shpend Ahmeti, ka thënë se kostoja e rritur e banimit po largon njerëzit nga qyteti, duke shkaktuar kështu një lëvizje të popullatës prej zorit e jo nga dëshira.


Ai ka thënë se dita ditës numri i njerëzve që duan të punojnë si mësues, arsimtar punëtor të shëndetësisë publike, zjarrfikës, është në rënie e sipër. Ahmeti është shprehur se ka njerëz që për shkak të mungesës se vendeve të punës, detyrohen, jo për shkak të vullnetit të zgjedhin punën në sektorin publik.

“Projekti ynë Prishtina qytet edhe për mësues e mjekë kombinon përvojat e Holandës, Anglisë, SHBA-së, Kanadasë me një përshtatje të kushteve të Kosovës. Ky projekt synon përmirësimin e banimit për punëtorët e sektorit publik të cilët do të kenë mundësinë e blerjes së banesave në Prishtinë, edhe me të hyrat me të cilat disponojnë. Pra, përderisa të punësuarit në sektorin privat me të hyra me shumë se 500 euro kanë mundësi të blejnë banesa që ofrojnë banesa në Prishtinë, punëtorit në sektorin publik të cilët kanë të hyra me të ulëta janë të diskriminuar nga e drejta e banimit me kosto të përballueshme”, ka thënë Ahmeti, transmeton KP.

Pretendenti për të parin e kryeqytetit me tutje ka shtuar se kjo politikë e tyre do të arrinte disa qëllime.

“Do të planifikohej ndërtimin e lagjeve të reja për banim kolektiv në përputhje me planin zhvillimor të Prishtinës. Kjo do të motivonte punëtorët e tanishëm të sektorit publik dhe do të motivonte kuadro të reja për ta përmirësuar këtë sektor të rëndësishëm të zhvillimit tonë. Do të ndihmonte sektorin lokal të ndërtimtarisë, si atë në materiale ndërtimore ashtu edhe atë të konstruksionit, sepse projektet do të ndërtoheshin nga kompanitë e mirëfillta që kanë punuar në mënyrë ligjore në të kaluarën”, ka shtuar, me tutje, Ahmeti.

Ndërsa, në anën tjetër, Sherif Makolli, kryetar i shëndetësisë primare për Prishtinën, njëkohësisht, kandidat i Vetëvendosjes për kuvendin komunal, ka thënë se punësimi në sektorin publik përben një sakrificë, sepse kushtet në sektorin publik nuk janë si në atë privat.

Sipas tij, kjo kosto e papërballueshme po i shtyn shërbyesit civil ta braktisin punën publike për atë private, duke menduar se do të bëjnë zgjidhje me të mirë.

Ndërsa, anëtari i kryesisë së VV-së, Dardan Sejdiu, ka prezantuar më në detaje planin e Ahmetit dhe VV-së, për zgjidhjen e problemit të banimit për gjithë shërbyesit e sektorit publik në komunën e Prishtinës.

Sipas tij, Komuna e Prishtinës i ka 4634 të punësuar, prej të cilëve 724 janë të punësuar në shëndetësi, 728 janë të punësuar në administratë dhe 3182 janë të punësuar në arsim. Ndërsa, paga mesatare është 399 euro në sektorin publik, ku në administratë paga është 362 euro, në arsim është 372 ndërsa, në shëndetësi është 544 euro.

Sejdiu ka thënë se duke pasur parasysh se kostoja mesatare e blerjes se banesës në Prishtinë për metër katror është rreth 700 euro, kjo është e papërballueshme për qytetarët që punojnë në sektorin publik. Ai ka pohuar se nëse të punësuarit në sektorin publik dëshirojnë ta blejnë një banës prej 50 metra katror, dhe mendojnë të marrin një kredi dhjetë vjeçare me kamatë 8.9 për qind, kësti mujor i bie 441 euro, që tregon pamundësinë e rregullimit të banimit për punëtorët e sektorit publik.

“Plani dhe projekti Shpendit dhe Lëvizjes Vetëvendosjes, për Prishtinën u mundëson të punësuarve të sektorit publik që shërbejnë dhe punojnë për shtetin, mundësinë që të bëhen pronar të banesave duke bërë jetë me të mirë edhe me të dinjitetshme. Por si bëhet kjo?! Këto banesa do të ndërtoheshin nga Komuna dhe financim nga organizatat ndërkombëtare që përkrahin projekte të banimit të përballueshëm, e që këto janë shumë”, ka thënë Sejdiu.

Ai ka pohuar se të tilla projekte janë të ngjashme si në vendet evropiane, derisa projektet do të ndërtoheshin nga kompani vendore. /Telegrafi/