LAJMI I FUNDIT:

Agjërimi pa shpërblim

Ndodhemi në Muajin e Shenjtë të Ramazanit thelbi të cilit është i përbërë nga dy elementë kryesorë , ndërprerja e ushqimit me vullnet për t’iu bindur urdhrit të Zotit me qëllim pastrimin shpirtëror dhe arritjen e devotshmërisë dhe sinqeritetit si dhe sprovimin me uri për të kuptuar gjendjen e të varfërve që na rrethojnë, që shërben për të nxitur dhe zhvilluar brenda nesh ndjenjën më të konsoliduar humane.

Përpara se të fillojë Muaji i Ramazanit në minierën e Bulqizës u ngujuan në grevë urie 20 burra . Me qellim që greva e tyre e urise të shërbejë si alarm për plotësimin e disa kërkesave që kanë të bëjnë me ngritjen e pagës , përmirësimin e kushteve të punës largimin e firmave të paliçensuara si dhe largimin e administratorit të ACR-së. Kanë kaluar tashmë dy javë nga fillimi i grevës dhe askush nuk ka berë diçka konkrete në emër të zgjidhjes së shqetësimit të këtyre burrave, institucion apo individ, përveç mediave vizive dhe të shkruar që kanë dhënë përpjekje reale, të mundimshme për pasqyrimin e kësaj greve. Mos vallë ka një ngatërrim në këtë mes ngaqë ndodhemi në muajin e Ramazanit? Se mos kanë vendosur t’i lënë deri në përfundim të agjërimit?


Këtij hamendësimi dashakeq dua t’i jap një përgjigje. Nuk është agjërim nëse nuk e ke qëllimin për të, pa harruar që agjëruesit ushqehen dy herë në ditë dhe nuk rrinë qindra metra nën toke. Agjërim nuk do te thotë të rrish pa oksigjen në lagështirë ku plevitosja tashmë është një gjë e papërfillshme në krahasim me dëmtimet shëndetësore të parikuperueshme të këtyre grevistëve. Grevistët nuk kanë bërë qëllim lartësimin dhe pastrimin shpirtëror me anë të grevës, kështu edhe shpërblimin e “agjërimit” të tyre nuk do e marrin. Megjithëse në një muaj ku mosngrënia të çon në devocion dhe shpërblehet sipas kushtetutës hyjnore, mosushqyerja e tyre është për një qëllim tjetër, kështuqë këta të shkretë mbeten të privuar edhe nga një miklim shpirtëror. Po si do bëhet halli i tyre?

Mes djersëve të ftohta akull dhe ujit që pikon, rrezikuar nga shembjet e dheut ku çdo kapsitje e syve është një gjendje të fikëti, ku minutat janë orë e orët ditë. Janë tashmë 13-të burrat më të vendosur për të mos e çuar mundin e tyre dëm, janë burra që barqet e tyre nuk kane pare ndonjëherë tendosjen e dhjamit. Janë njerëz hallexhinj me familje që trishtohen tek i shohin në televizor çdo natë megjithëse ditën e kalojnë në grykën e minierës, megjithëse ua dëgjojnë rënkimet nga 1400 metra thellësi, gjëmime si shpirtra ferri.

Në këtë vend njeriut nuk i dhimbset njeriu, në këtë vend njeriut i dhimbset 20 përqindëshi. Në këtë vend njeriut nuk i dhimbset jeta i dhimbset materialja. Apo do i lëmë të bëhen martirë te punës si shembull frike për të gjithë pas ardhësit. E mbi mozeoleum të shkruhet kështu përfunduan të gjithë ata që guxuan të kërkojnë 20 për qind.