LAJMI I FUNDIT:

Agjendat e rrugës

Agjendat e rrugës

Fehmi Ajvazi

1.


Ditë më parë, shqiptarët u trazuan nga thellësia e një agjende pak a shumë jo transparente. Por, kur agjendat janë të ndjeshme dhe delikate, mungesa e transparencës vjen si rezultat i mbylljes ose i kufizimit të politikave shtetërore dhe marrëdhënieve ndërkombëtare për publikun.

Absolutisht, pajtohem që jo çdo punë dhe çdo vendim shtetërorë duhet të ndahet domosdoshmërish me publikun, dhe kjo s’ka të bëjë me lëndimin e demokracisë dhe transparencën. Prandaj, nuk më ka bërë shumë përshtypje “jo konfirmimi publik” i agjendës lidhur me sjelljen e helmeve kimike siriane për shkatërrim në territorin e Shqipërisë. Ishte epilogu, në fakt orteku i kësaj agjende, ai që më shtyri të ndjehem jo vetëm i irrituar, por edhe dëshpëruar përballë “dramës shqiptare” e cila e krijoi në pak ditë një ciklon të çuditshëm.

E përcolla hap pas hapi hyrjen, narracionin dhe epilogun e zhvillimit të këtij cikloni, që u duk sikur e tmerroi shoqërinë shqiptare, gjithandej…! Por, pa të keq të gjithë atyre që sinqerisht u ndjenë me të drejtë të hutuar dhe të frikësuar (frika e çastit, është dyfish më e madhe dhe më tronditëse se frika që vjen ngadalë), tutje u shfaq e u shpërfaq një “trishtim” i dyzuar që kishte mënjanë ata që përpiqeshin t’i jepnin zgjidhje agjendës që vinte nga lartë, dhe ata që i jepnin zjarr kësaj agjende: me improvizime, me politika intrigante, me dezinformime, me një fjalë me kaos…! Individë, grupe, organizata, parti politike që historikisht janë formuar dhe kanë mbetur gjallë prej incidenteve dhe politikave jo parimore e kaosit (brenda dhe jashtë Shqipërisë), shtyheshin e silleshin vërdallë në qendër të Tiranës që cikloni i çuditshëm, të vinte një çast dhe të përlante jo vetëm Shqipërinë, por edhe rajonin.

2.

Në kontekst, kam kujtuar këtyre ditëve shumë ngjarje brendashqiptare të ndodhura në dy-tri dekadat e fundit, për të kapur pakëz shpjegim për vetën time konform asaj që ndodhi në katër-pesë ditët e para 15 nëntorit. Si konstatim “kujtese”, pak a shumë, vazhdoj të mendoj dhe të besoj që shoqëria jonë vuan jashtëzakonisht shumë nga sensi i trazimit psikologjik dhe shpirtëror, dhe se ky trazim që buron nga faktorë të ndryshëm natyrorë, historikë, politikë, socialë, ambientalë etj., nuk është analizuar sa duhet, dhe aq më pak nuk është zbërthyer e trajtuar nga parametra materialë, shkencorë, institucionalë etj.

Ky “trazim”, e që në fakt e pasqyron gjendjen e shkallës së vetëdijes dhe të personalitetit të individit dhe shoqërisë sonë, operon si i pakontrolluar dhe me tempo rrëmbyese, duke prodhuar kësisoj pasoja shumëdimensionale në përmasa të gjera. Megjithatë, në këtë shkrim, unë nuk kam për qëllim që ta trajtojë gjendjen politike, psikologjike, sociale, historike etj., të njeriut shqiptar. Por, shfaqjet e kohëpaskohshme të situatave si kjo e “15 nëntorit”, na shtyjnë të mendojmë dhe të gjykojmë se disa aktivitete dhe veprime të individit dhe të shoqërisë shqiptare, i nënshtrohen vetëdijes dhe dinamikës së veprimeve të paqarta, i nënshtrohen rrëmujës, psikologjisë dhe shpirtit kaotik etj. Ngjarjet që lidhen me “15 nëntorin”, po ashtu na shtyjnë të analizojmë dhe të gjykojmë se individi dhe shoqëria jonë vuan shumë edhe nga sedra e urrejtjes, e destruksionit. Mbi të gjitha, kjo ngjarje na shtynë që të gjykojmë dhe të besojmë se rruga është një nga vendet dhe hapësirat e preferuara ku individi dhe shoqëria shqiptare ideon dhe përpiqet t’i zgjidhë problemet e veta: qoftë ato individuale, qoftë ato grupore, shoqërore etj.

Nuk dyshohet që individi dhe shoqëria jonë vuan shumë edhe nga inercioni i kënaqësisë dhe frustrimit që prodhon rruga, në të vërtetë shkarkimi i energjisë revoltuese në rrugë, si një mënyrë tradicionale e shprehjes publike të revoltës. Sidomos, e shprehjes politike. “Rruga”, sa di unë, është një shpikje revolucionare e ideologëve të masave dhe të shoqërive në kriza politike dhe ekonomike. Historia tregon jo vetëm domethënien dhe strategjinë e rrugës, por disa herë edhe suksesin e saj: bie fjala, suksesi i revolucionit borgjez francez më 1879, suksesi i revolucionit iranian më 1979, thyerja e murit të Berlinit më 1989 etj. Nuk dua të shprehem pavëmendshëm, sidomos në raport me “njerëzit e rrugës”, por njeriu shqiptar (në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni etj.), mund të krenohet me përvojën historike të rrugës.

Rruga shqiptare e revoltave dhe e demonstratave ka luajtur një rol politik dhe historik revolucionar ta zëmë, në Kosovë. Pse? Sepse, ka pasur objektiva të qartë politik dhe nacional, dhe dimensionime konkrete në shërbim të shoqërisë dhe të vendit. Pa njerëzit e rrugës në Kosovë, Kosova s’do të ishte këtu ku është sot! Rruga e revoltave ka luajtur një rol revolucionar edhe demokratik edhe në Shqipëri, sa u përket ndryshimeve shoqërore dhe politike gjatë viteve të 90-ta të shekullit të kaluar, dhe sa u përket ndryshimeve politike të sistemit dhe qeverisjes. Prandaj, është evidente që rruga shqiptare e revoltave ka prodhuar situata dhe gjendje ndryshe, ashtu siç ka prodhuar edhe vizione e strategji lidhur me një apo më shumë probleme të karakterit nacional dhe shtetërorë.

Historia tregon gjithashtu se rruga disa herë mund të jetë e rutinshme, pa vizion apo dalje, me një fjalë kaotike. Më shumë se kaq, rruga mund të bëhet tragjike kur ajo është mbushur me njerëz që nuk e kanë të qartë se përse u ndodhën në rrugë ose më saktë, se përse janë revoltuar dhe kanë dalë në rrugë. Pra, jo në të gjitha rastet rruga ka dalje. E kur rruga s’ka dalje, ajo pëlcet në variantin që prodhon pasoja të theksuara. Për shembull, si në mars të vitit 1997 në Shqipëri, ose në mars të vitit 2004 në Kosovë etj.

Përse “rruga” pëlcet…? Kur njerëzit nxirren në rrugë, sidomos në masë të madhe, dalja e tyre duhet të ketë legjitimitet të besueshëm, shkas të analizuar mirë. Pastaj, duhet të ketë refleksione të qarta që prodhojnë inpute dhe outpute të qëndrueshme dhe në favor të “shkasit” të rrugës, më saktë: në favor të atyre që e përbëjnë dhe e përfaqësojnë turmën, masën. Pra, gjithmonë ka një apo më shumë agjenda që duhen parë, analizuar e studiuar përpara se preferencat dhe arsyet e ngadoardhura si rrjedhojë e “pretekstit dhe shkasit”, t’i yshtin grupet dhe turmat dhe masat që t’i mbushin rrugët.

Edhe ashtu, rrugët sot i kemi të mbushura – deng. Ditë, e natë. I kemi të mbushura me mbeturina, me mure e objekte të ndryshme të paligjshme dhe në kundërshtim me planet urbane, me të rinj të papunë që s’dinë se çfarë të bëjnë me vetën e tyre, me të varfër, me automjete, me kontrabandistë etj. Rrugët i kemi plotë edhe me falltarë, me lypsa profiterë, me belaxhinj, me thashethemexhinj, me propagandues të Zotit e të djallit, me militant partiakë, me narkomanë etj. Por, sot rrugët i kemi të mbushura edhe me shitës ambulantë që shesin mallra të skaduara e falco, me mashtrues ordinerë, me agjentë etj.

Në kësi realiteti, sot është fare e lehtë që një fabul të rastit, një shprehje injorante, një kauzë gjithëpërfshirëse, një parullë dinake etj., ta imponosh ose ta shndërrosh në çështje apo në agjendë të debatit publik, medial etj. Sot, po ashtu, nuk është e vështirë që një koncept apo një skemë politike, sociale, fetare etj., sidomos në vendet apo në shtetet jo stabile dhe me tradita të angështa demokratike, ta drejtosh kah rruga! Qysh? Ulesh para Internetit, dhe shkruan mesazhe në email ose në Facebook. Pastaj, ulesh në kafene dhe lidhesh me mobil me miqtë që shtrihen në kthinat e organizatave dhe të institucioneve brenda të cilave, vizatohen skicat e rrugës ose agjendat për turmat dhe masat në nevojë, për masat e pavetëdijshme, latente. Pastaj, shkruan edhe SMS. Sakaq, rrugët mbushen plotë!

Kështu mund të ndodh ose ndodh, mbi të gjitha, pasi që ai ose ata e kanë thurur një intrigë ose një agjendë në errësirë dhe larg publikut, në mos në një darkë frustuese. Rëndom, si rrjedhojë apo konstatim çasti destruktiv meqë, goditja mund të jetë përfituese pavarësisht rrethanave apo pasojave. Agjenda, me një fjalë brendia e saj, në kuptimin përgatitor – teknik, është një skemë përmes së cilës paralajmërohet një takim, një ngjarje, një zhvillim, punë, veprim etj. Brendia e agjendës nganjëherë mund të jetë e thjeshtë, minimale, aspak joshëse ose intriguese, me një fjalë pa fare rëndësi dhe e lokalizuar. Varësisht se ku është bërë, nga kush, pse…? Mirëpo, në disa raste “brendia” e agjendës mund të jetë e veçantë, ekskluzive, gjithëpërfshirëse etj., ta zëmë, si në rastin e “agjendës” për sjelljen e helmeve kimike siriane në Shqipëri.

3.

Te ky rast, e kisha mendjen dhe sinopsisin e këtij shkrimi, në fakt kontekstin, ndonëse e gjithë ngjarja ka përfunduar, dhe tashmë dihet epilogu. Megjithatë, analizat e ndryshme, komentet, intervistat etj., po vazhdojnë ta rekapitulojnë ngjarjen, sikur ajo të kishte ndodhur dje! Po bëhen edhe vlerësime, krahasime, konstatime etj. Personalisht, pa hyrë në analiza të thella-delikate, konsideroj që ngjarjet lidhur me “helmet ushtarake siriane”, u zhvilluan në mënyrë të jashtëzakonshme, dramatike. Faktorë të ndryshëm, pro et contra vendimit eventual, e shfrytëzuan “këtë agjendë” në dimensione të caktuara. Qysh? Së pari, u prodhua “lajmi” i cili jo vetëm që na zuri në gjumë, por edhe na trishtoi! Së dyti, ky lajm u hodh shpejt në publik sipas maksimës: “merre, reflekto ose do të vdesësh shpejt…!” Së treti, lajmit iu dhanë konotacione të ndryshme propagandistike dhe politike, konotacione paragjykuese, deri edhe konotacione tragjike. Ç’ka binte në sy…? Vakumi informativ, i arsyeshëm ose jo, si dhe mobilizimi i rrëmbyeshëm sipas një agjende me shumë protagonistë: të hapur, e të fshehtë.

“Agjenda zyrtare”, ishte larg opinionit dhe publikut për arsye të caktuara (besoj unë), kurse “agjenda e rrugës”, e ndillte hatanë! Një gjendje e dyzuar shoqërore dhe shtetërore, na mbërtheu kudo…! Ajo që unë kuptova në fillim, ishte dalja e njerëzve në rrugë së bashku me tendencat për një solidarizim masiv, madje gjithëkombëtar. Dhe shpejt e shpejtë media e bëri të veten, ashtu si edhe interneti, komentet, debatet ad-hok etj. Çfarë po ndodhte…? Një vendim i presidentit sirian në luftë me popullin e tij, Bashar Al Assad, lidhur me pranimin për shkatërrimin e armëve të tija kimike (ky vendim i imponuar ndërkombëtarisht, e shpëtoi atë nga bombardimet amerikane), po shqyrtohej të rikuperohej në një “vendim tjetër”, në atë të kryeministrit shqiptar Edi Rama në mënyrë që Shqipëria të pajtohej që në territorin e saj të shkarkoheshin armët kimike të Basharit. Ja, ky ishte “shkasi” që rrugët shqiptare, ishin mbushur me protestues veçanë, më 15 nëntor. Pra, “agjenda zyrtare”, ishte zëvendësuar me “agjendën e rrugës”.

4.

E tëra, ishte duke ndodhur në një vend që është anëtar i NATO-s. E tëra, po ndodhte si në një film aksioni! Kësisoj, unë personalisht s’arrija ta kuptoja mirë problemin dhe në veçanti “trishtimin nacional”, pavarësisht që sa herë mund të përmenden helmet kimike, unë mund të dëshmoj se sa të trishtueshme janë ato dhe sa të rrezikshme janë ato meqë, e di kur Beogradi e përdori helmin ushtarak “Sarin” në shkollat shqiptar të Kosovës, fillimisht më 16. 03. 1991, e më pastaj disa herë me radhë. Porse, a duhej që të trishtoheshim në këtë mënyrë? A, ishte rreziku tek porta…? Sigurisht që jo, meqë edhe “agjenda” e, edhe “konteksti” ishin duke ndodhur në një vend që shtrihet nën ombrellën e NATO-s, dhe s’kishte arsye aq dramatike për t’u hedhur në rrugë. Fundja, ishin SHBA-të nunët e çështjes apo nunët e kësaj agjende dhe se, paragjykimet dhe përhapja e madhe e frikës, s’kishin vend në shtetin më strategjik të NATO-s në Evropën Juglindore.

Më besoni ose jo, deri më sot i kam lexuar lidhur me këtë ngjarje vetëm dy komente: atë të Fatos Lubonjës, dhe komentin e Andi Bejtjes. Kaç ka mjaftuar për të kuptuar se si “rruga” dhe “antirruga”, janë në përplasje të ashpër dhe, delikate. Kurse, ajo që s’do koment është fakti që kemi ndërtuar tepër pak logjikë dhe, vetëdije shtetërore. Rruga, pothuajse zëvendëson çdo gjë.

P.S. Kam kujtuar e analizuar shumëçka këtyre ditëve: që prej agjendës revolucionare të rrugëve për liri, demokraci e pavarësi, e deri te rrugët e agjendave të referendumeve zvicerane, të shamive islame, të legalizimeve të ndryshme biseksuale, të protestave ekologjike- ambientale etj. Ajo çka kam kuptuar esëll është fakti se nëpër “rrugët shqiptare”, qarkullon (si nëpër kozmos) një energji e cila përzihet shumë me energjitë frustuese dhe nganjëherë enigmatike. E çuditshme apo jo, bërthama e kësaj energjie disa herë nuk ka shpjegim dhe për më tepër, disa herë ka shpërthyer dhe vazhdon të shpërthejë me plotë atavizma e meskinitet, me plotë pluhur golemian, me plotë dramaticitet të shpifur, me plotë makiavelizëm. Asnjëherë, rruga nuk i zëvendëson institucionet. Tjetra: nuk është mirë të dalësh në rrugë pa një agjendë specifike, trajtuese dhe me destinacion të qartë. Shkaku, nuk është gjithmonë arsyeja…! Kurse, revolucionariteti i dikurshëm i rrugëve, sot duhet të zëvendësohet dhe të përfaqësohet sa më shumë që të jetë e mundur nga institucionet dhe ligji.