Agjencia Pyjore e Kosovës pajiset me mjete të reja për mbrojtjen e pyjeve si dhe hapet qendra trajnuese në Blinajë

Programi “Mbështetje për fuqizimin e menaxhimit të qëndrueshëm dhe shumëqëllimor të pyjeve për të përmirësuar jetesën në zonat rurale dhe për të adresuar ndryshimet klimatike në Kosovë” ka organizuar ceremoninë e përurimit të Qendrës për Ndërtimin e Kapaciteteve për Pylltari në Blinajë.
Gjatë ceremonisë, tetë automjete tereni dhe një grup i dytë i pajisjeve portative – përfshirë Geo Vertex, matës diametri, kompas dhe mjete për menaxhimin e zjarreve në pyje – iu dorëzuan zyrtarisht Agjencisë së Pyjeve të Kosovës (APK), raporton Telegrafi.

Qëllimi i këtij donacioni është forcimi i kapaciteteve të APK-së për monitorimin më efikas të resurseve pyjore dhe parandalimin e veprimeve të paligjshme në pylltari.
Zëvendësministri i MBPZHR-së, Lazar Raduloviç, theksoi rëndësinë e këtij investimi, duke rikujtuar se 45 për qind e territorit të Kosovës është i mbuluar me pyje.

“Siç e dini, zonat pyjore të Kosovës mbulojnë 45 për qind të lokalitetit. Duke pasur parasysh projektet që ka bërë Qeveria e Kosovës për mbrojtjen e sektorit pyjor, gjatë viteve të fundit nga donacionet e fituara kemi arritur të ruajmë zonat pyjore”, tha ai.
Ai shtoi se situata e përgjithshme e sektorit pyjor është përmirësuar falë mbështetjes nga Ambasada e Suedisë dhe FAO-s.
“E gjithë kjo u bë e mundur nga Ambasada e Suedisë dhe në bashkëpunim me FAO-n, që sot pranojmë këtë donacion shumë të vlefshëm për fikjen e zjarrit dhe pajisjet që e bëjnë më të lehtë intervenimin në zona të ndryshme. Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural mbetet e përkushtuar për ruajtjen e sektorit pyjor, andaj me këto pajisje do të jemi më të pajisur për ruajtjen e pyjeve”, shtoi Raduloviç, përcjell Telegrafi.
Ndërkaq, Hubert Perr, shef i bashkëpunimit nga Zyra e BE-së në Kosovë, tha se ka arritur të njihet nga afër me sfidat e sektorit pyjor gjatë dy muajve të tij të parë në vend.

“Me këtë Qendër të re dhe pajisjet që po dorëzojmë sot, po investojmë jo vetëm në infrastrukturë, por edhe tek njerëzit që mbrojnë këto peizazhe për brezat që do të vijnë. Siç e tha edhe zëvendësministri, 45 për qind e Kosovës është e mbuluar me pyje, andaj Bashkimi Evropian së bashku me Ambasadën e Suedisë dhe FAO-n po dorëzojnë pajisje shumë adekuate për shuarjen e zjarreve. Ne gjithashtu do të dhurojmë edhe 8 vetura. Jemi shumë të lumtur që t’ju mbështesim në mënyrë që të kryeni punën në mënyrë më efikase”, deklaroi Perr.
- YouTube www.youtube.com
Henrik Riby, shef i bashkëpunimit për zhvillim në Ambasadën e Suedisë në Kosovë, tha se pyjet përbëjnë një aset strategjik për vendin dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit institucional.
“Siç dëgjuam nga Hubert pak më parë, pyjet këtu janë një aset strategjik. Ligji i ri për pyjet dhe përditësimet e politikave kanë qenë hapa të rëndësishëm. Megjithatë, sektori ende përballet me sfida serioze: prerje të jashtëligjshme, aktivitete të paligjshme dhe zbatim të kufizuar të ligjit. Nevojiten investime afatgjata. Ngjarja e sotme pasqyron një përgjegjësi të përbashkët për të forcuar sistemin që mbron këto burime”, u shpreh ai.

Ai shtoi se Suedia dhe BE-ja kanë investuar së paku 2.5 milionë euro në programin e FAO-s për mbështetjen e reformave, trajnimeve, sistemeve të informacionit dhe inventarizimit pyjor.
“Pra, mjetet dhe pajisjet janë një fillim i mirë, por nuk mjaftojnë. Ne do të dëshironim të shihnim një angazhim politik më të fortë, financim më të qëndrueshëm për agjencinë dhe një rol më aktiv të shoqërisë civile. Bashkëpunimi mes institucioneve dhe sektorit privat është i mirë, por mund të zhvillohet më tej në mënyrë transparente”, shtoi Riby.
Drejtori i Departamentit për Menaxhimin e Pyjeve në APK, Menderes Ibra, falënderoi Suedinë dhe Bashkimin Evropian për mbështetjen.

“Dëshiroj të shpreh falënderimin dhe mirënjohjen në emër të Agjencisë Pyjore të Kosovës për donatorët e këtij programi: Shtetin e Suedisë dhe Bashkimin Evropian. Përveç kësaj qendre për ngritjen e kapaciteteve në Blinajë, kemi pranuar tetë automjetet e reja, ndërsa më herët gjashtë të tjera për punë në terren. Gjithashtu kemi pranuar pajisje teknologjike të cilat kanë lehtësuar punën e stafit tonë, me synim rritjen e efektivitetit dhe efikasitetit në terren”, theksoi Ibra.
Naser Krasniqi, Udhëheqës i Ekipit Lokal në FAO, deklaroi se vlera totale e pajisjeve në këtë kontingjent është rreth 300,000 euro dhe se pjesa më e madhe e financimit është siguruar nga Bashkimi Evropian.

"FAO ka organizuar trajnime me njësitë e Agjencisë së Pyjeve të Kosovës dhe ka certifikuar trajnerët dhe udhëheqësit për të vazhduar sesionet e rregullta të zhvillimit të kapaciteteve mbi menaxhimin e integruar të zjarreve në pyje. Programi ka identifikuar gjithashtu disa vullnetarë që po trajnohen për të mbështetur parandalimin dhe shuarjen e zjarreve dhe përdorimin e pajisjeve në bashkëpunim me njësitë e APK-së", deklaroi Krasniqi.
“Programi për menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe Ambasada e Suedisë dhe i zbatuar nga FAO-ja në bashkëpunim me Agjencinë e Pyjeve të Kosovës, po dorëzon kontingjentin e pajisjeve që përfshijnë automjete për punë në terren, pajisje për matje në pyje dhe pajisje për parandalimin dhe luftimin e zjarreve".
"Të gjitha këto janë të dedikuara për detyrat ditore të personelit të APK-së – nga vëzhgimi i operacioneve në pyje deri te transporti dhe tregtimi i produkteve pyjore. Ato kontribuojnë drejtpërdrejt në luftimin e veprimtarive të paligjshme pyjore”, shtoi Krasniqi. /Telegrafi/


















































