Vetëm gjatë pandemisë rreth 400 mijë kilogramë produkte të cilat nuk i kanë plotësuar kushtet për konsum, janë asgjësuar me vendim nga Agjencia Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV).

Kështu ka thënë zëdhënësi i AUV-it, Lamir Thaçi, duke shtuar se fokusi kryesor sa i përket shëndetit publik është ruajtja e sigurisë ushqimore.

“Pa marrë parasysh çfarëdo situate që mund t’i vijë vendit tonë edhe kjo e pandemisë autoriteti jonë ka mandatin kryesor shëndetin publik ku hynë ruajtja e sigurisë ushqimore e shëndetit të kafshëve dhe të bimëve. Në çfarëdo situate që mund të gjendemi sigurinë ushqimore nuk mund ta lëmë anash në asnjë minutë. Gjatë gjithë kohës produktet ushqimore në Kosovë i kemi kontrolluar dhe kanë qenë të nivelit të sigurt. Kontrolli në kufi ka vazhduar në masën 100 për qind. Vetëm kemi pasur një zhvendosje të inspektoratit sanitar, frekuenca e kontrollit ka qenë më e ulët në markete dhe janë zhvendosur Inspektorët sanitar në teren duke kontrolluar sigurinë ushqimore. Ne edhe gjatë pandemisë kemi larguar produkte nga tregu dhe kemi konfiskuar vetëm që produktet të dyshimtë mos të lejojmë që të dalë në treg. Edhe gjatë kësaj kohe ne kemi pasur rreth 400 mijë kilogram produkte të asgjësuara të cilat nuk i kanë plotësuar kushtet për konsum. Përveç kontrollit tonë të vazhdueshëm që kemi në teren ne bazohemi edhe nga lajmërimet që na vijnë nga organizatat e ndryshme ndërkombëtare dhe çfarëdo forme që na vije lajmërimi produkti largohet nga tregu”, tha Thaçi për EO.

Ai theksoi se fusha e kontrollit është shumë komplekse dhe secili duhet të ketë kujdes duke përfshirë edhe konsumatorin sepse produktet ushqimore nuk janë produkte që i mbikëqyrë shteti.

Tutje, ai tha se vlera e mallrave në kufi vlerësohet nga ana e Doganave ndërsa brenda nga ATK-ja.

“Kontrollet ushqimore në Kosovë janë kontrolle standarde të cilat realizohen në të gjitha vendet e tjera. Aktet ligjore në fushën e sigurisë ushqimore janë të harmonizuara me ato të BE-së dhe produktet kontrollohen njëjtë në Kosovë. Fusha e kontrollit është shumë komplekse dhe secili akter duhet të ketë kujdes duke përfshirë edhe konsumatorin sepse produktet ushqimore nuk janë produkte që i kontrollon shteti dhe pastaj garantohet siguria e tyre deri në fund. Secili nga ne duhet të ketë kujdes sa i përket ushqimit. Ne kalkulimet i bëjmë vetëm në aspektin e sasisë dhe kjo është vetëm një kalkulim që dëshirojmë ta mbajmë me publikun, përndryshe vlerën e mallrave nuk jemi autoritet që e vlerësojmë. Vlera e mallrave në kufi vlerësohet nga ana e doganave ndërsa brenda nga ATK-ja. Për neve mandat kryesor është siguria e ushqimit. Ndërsa si sasi janë rreth 400 mijë kilogram varësisht prej njësisë matëse të produktit ndërsa 100 mijë kilogram janë në produkte me origjinë shtazore”, tha ai.

Sipas tij, çdo informatë që ka pasur AUV-i e ka dorëzuar te organet e drejtësisë.

“Ne gjithçka që është kërkuar nga autoritet ynë. Çdo informatë që kemi pasur sigurisht e kemi dorëzuar pran autoritetit për ndjekje të rasteve të vjedhjes. Gjithçka ka kaluar në përgjegjësinë e autoriteteve ndjekëse dhe është duke vazhduar ndjekja nga ta”, shtoi ai.

Thaçi tha se vazhdimisht kërkojnë rritje buxhetore dhe shtim të stafit sidomos të inspektorëve.

“Ne si autoritet kemi bërë projeksionet buxhetore ashtu qysh kërkohet dhe bëjmë kërkesa të vazhdueshme të kemi rritje të buxhetit, të numrit të stafit sidomos në numër të inspektorëve të veterinarisë. Përveç buxhetit kemi edhe të hyra vetanake sepse kontrollet në kufi paguhen në bazë të rregullores për caktimin e vlerave të taksave në kontrolle kufitare”, përfundoi Thaçi. /Telegrafi/