LAJMI I FUNDIT:

Agatha …

Agatha …
Agatha Christie

Nga: Daut Dauti

Sipas një hulumtimi, në literaturën fiktive gratë janë shkrimtare larg më të mira se burrat shkrimtarë. Ato kanë imagjinatë më të madhe se burrat, por edhe stil më të mirë të shkrimit. Kjo dëshmohet në literaturën angleze që fillon me Jane Austenin e deri te J K Rowling – autoren e “Hari Poterit”.


Por, shkrimtarja më e njohur dhe më e lexuara në botë është Agatha Christie, që ka shkruar 66 romane kriminalistike. Romanet e saja janë përkthyer në më shumë se 100 gjuhë dhe janë shitur më shumë se katër miliardë ekzemplarë. Me fjalë tjera, më shumë se gjysma e botës i ka lexuar romanet e saj. Me këto romane, ajo e ka themeluar strukturën e romanit kriminalistik që sot përcillet nga shkrimtarët e këtij zhanri.

Njeriu do të thoshte se duhet bërë shumë shkollë për t’u bërë shkrimtare e tillë. Përkundrazi, Agatha Christie nuk ka shkollë më shumë se filloren. Shkoi në shkollë te mesme, por e braktisi menjëherë se nuk i duronte shabllonet dhe disiplinën shkollore. Prandaj, nisi të udhëtonte. U mahnit me Egjiptin, Irakun, Sirinë dhe Turqinë. Nga Londra e deri në Irak udhëtoi me tren ku e gjeti frymëzimin për romanin e saj më të njohur, “Murder on the Orient Express” (Vrasja në Orient Ekspres). Qindra milionë ekzemplarë të këtij romani janë lexuar në më shumë se 120 gjuhë, kurse në anglisht është ribotuar dhjetëra herë. Janë bërë edhe disa filma artistikë e dokumentarë për këtë vepër si dhe libra e dizertacione.

Në këtë roman treni niset nga Stambolli për Londër. Detektivi i famshëm belg, Hercule Poirot – të cilin e krijoi ajo – vjen nga Halepi (Siria) për ta zënë këtë tren dhe për të qëlluar në të kur vrasja ndodhë diku mes Vinkovcit dhe Sllavonski Brodit. Pastaj vazhdon mënyra se si Poirot e zbulon vrasësin.

Me këtë roman u popullarizua ky tren dhe u shpeshtuan udhëtimet në këtë relacion. Sidomos u bë i famshëm hoteli i njohur “Pera Palace” në Stamboll ku besohet se i shkroi skicat e para të romanit. Edhe sot ruhet dhoma ku ka qëndruar shkrimtarja e famshme Agatha Christie dhe njerëzit shkojnë për të qëndruar aty, mu për këtë arsye. /Telegrafi/