Aeroporti më i ngarkuar në mars, u realizuan mbi një mijë fluturime
Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar statistikat e transportit për muajin mars 2026, ku evidentohet rritje e aktivitetit në transportin ajror dhe rënie në transportin hekurudhor.
Sipas raportit të ASK-së, gjatë muajit mars janë realizuar 1,082 fluturime, ose 1.7% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.
Po ashtu, numri i përgjithshëm i udhëtarëve në transportin ajror ka arritur në 338,528, duke shënuar rritje prej 5.9% në raport me marsin e vitit të kaluar.
Nga numri total i udhëtarëve, 175,973 ishin në ardhje, me rritje prej 7.3%, ndërsa 162,555 në shkuarje, që paraqet rritje prej 4.3%.
Ndërkohë, në transportin hekurudhor është regjistruar rënie e numrit të udhëtarëve. Gjatë marsit 2026, trenat janë shfrytëzuar nga 6,844 udhëtarë, ose 5.1% më pak se në mars 2025.
Raporti i ASK-së po ashtu thekson se gjatë kësaj periudhe nuk është realizuar transport i mallrave përmes hekurudhës. /Telegrafi/





























