LAJMI I FUNDIT:

Administrata Trump ngre padi për të vonuar botimin e librit të zotit Bolton

Administrata Trump ngre padi për të vonuar botimin e librit të zotit Bolton

Administrata Trump paditi të martën ish-këshilltarin e Sigurisë Kombëtare, John Bolton, me qëllimin për të vonuar botimin e një libri për të cilin Shtëpia e Bardhë thotë se përmban informacione të klasifikuara.

Libri pritet ta përshkruajë nën një dritë jo pozitive vendimmarrjen në politikën e jashtme të Presidentit Trump.

Procedimi gjyqësor në gjykatën federale të Uashingtonit vjen pas paralajmërimesh të Presidentit Donald Trump se zoti Bolton mund të përballet me një “çështje penale” nëse nuk i ndal planet për botimin e librit, i cili është planifikuar të publikohet javën e ardhshme.


Padia është përplasja më e fundit në një marrëdhënie problematike mes zotit Trump dhe zotit Bolton, i cili u shkarkua papritur nga Shtëpia e Bardhë shtatorin e kaluar pas mosmarrëveshjesh të përsëritura për çështje të sigurisë kombëtare.

Tashmë do të jetë gjykata që duhet të vendosë nëse zoti Bolton ka anashkaluar procedurat e duhura lidhur me publikimin e librit, diçka që avokati dhe botuesit e librit e kanë mohuar me forcë.

Shtëpia botuese “Simon & Schuster” e quajti padinë “asgjë më shumë se një seri përpjekjesh për një kohë të gjatë të administratës për të hequr dorë nga botimi i një libri që presidenti nuk e sheh të përshtatshëm”.

Në një deklaratë të martën në mbrëmje thuhej se zoti Bolton kishte punuar me zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë për të adresuar shqetësimet e tyre dhe se “mbështet plotësisht të drejtën e tij bazuar në Amendamentin e Parë të Kushtetutës” për të treguar historinë e tij.

Në mënyrë të ngjashme, avokati i zotit Bolton, Chuck Cooper, ka thënë se ai ka punuar për disa muaj me specialistë të informacioneve të klasifikuara për të shmangur lëshimin e informacioneve sekrete. Ai akuzoi Shtëpinë e Bardhë se po gjen një pretekst për të censuruar zotin Bolton.

Në padinë e tij Departamenti i Drejtësisë pretendon se ish-këshilltari i Sigurisë Kombëtare nuk ka kryer një procedurë të rishikimit përpara publikimit, për të siguruar që dorëshkrimi nuk përmban materiale sekrete.

Padia kërkon që një gjykatë federale të urdhërojë zotin Bolton “të udhëzojë ose të kërkojë” që botuesi i tij të vonojë botimin e librit për t’i dhënë mundësi përfundimit të një procesi rishikimi nga këndvështrimi i sigurisë kombëtare si dhe të verë në dispozicion kopje të librit që do të jenë të pranueshme për qeveria.

Departamenti i Drejtësisë gjithashtu po kërkon të parandalojë që zoti Bolton të sigurojë përfitime nga libri, veçanërisht nëse ai “refuzon të përfundojë procesin e rishikimit të librit përpara publikimit si dhe të marrë autorizimin e kërkuar paraprak me shkrim përpara se të vazhdojë me publikimin e tij”.

Në padinë e tij, Departamenti i Drejtësisë argumenton se puna e zotit Bolton nënkuptonte se ai “ishte rregullisht në kontakt me informacione më të ndjeshme të klasifikuara të qeverisë amerikane”.

Zyrtarët thonë që dorëshkrimi i zotit Bolton përbëhet nga më shumë se 500 faqe dhe se ishte “i mbushur me informacione sekrete, që ai parashikon t’i bëjë publike”.

“Shtetet e Bashkuara nuk po kërkojnë të censurojnë ndonjë aspekt të ligjshëm të dorëshkrimit, thjesht kërkon një urdhër nëpërmjet të cilit t’i kërkohet të pandehurit të përfundojë procesin e rishikimit përpara botimit si dhe të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për të siguruar që publikut t’i shpërndahet vetëm një dorëshkrim që është autorizuar zyrtarisht përmes këtij procesi dhe pa informacione të klasifikuara”, thuhet në padi.

Libri i zotit Bolton “Dhoma ku ndodhi: shënime biografike të Shtëpisë së Bardhë”, ishte parashikuar të dilte në treg në muajin mars. Data u shty dy herë dhe tashmë Simon & Schuster ka vendosur që librin ta publikojë javën tjetër.

Zoti Bolton mbulon një sërë temash, nga kaosi në Shtëpinë e Bardhë por edhe vlerësime të aktorëve kryesorë, procesi i vendimmarrjes jo i qëndrueshëm i presidentit, marrëdhëniet e tij me aleatët dhe armiqtë nga Kina, Rusia, Ukraina, Koreja e Veriut, Irani, Mbretëria e Bashkuar, Franca e Gjermania”.

“Nuk arrij të gjej ndonjë vendim të rëndësishëm të zotit Trump gjatë mandatit tim, që nuk nxitej nga përllogaritjet për rizgjedhje”, shkruan zoti Bolton në libër, sipas një njoftimi të shtëpisë botuese.

Libri i cili pritet prej kohësh me interes të madh, veçanërisht pas daljes së lajmit gjatë gjyqit në Kongres që synonte shkarkimin e zotit Trump, se dorëshkrimi ofronte informacione rreth përpjekjeve të presidentit për t’i bllokuar ndihmën ushtarake Ukrainës në këmbim që zyrtarët e këtij vendi ta ndihmonin atë me hetimet ndaj rivalit politik të zotit Trump, Joe Biden.

Këto pretendime përbënin thelbin e çështjes për shkarkimin e Presidentit, që përfundoi në muajin shkurt me shpalljen e tij të pafajshëm në Senat.

Zoti Cooper nuk i ka kthyer përgjigje një kërkese për komente rreth padisë. Më parë ai ka thënë se e kishte dërguar dorëshkrimin e zotit Bolton tek specialistja që merret me informacionet e klasifikuara në Shtëpinë e Bardhë, Ellen Knight në fund të muajit dhjetorit dhe se zonja Knight dhe zoti Bolton kishin shpenzuar gati katër muaj duke e shqyrtuar librin madje disa herë “rresht për rresht”.

Sipas padisë, zonja Knight e kishte përfunduar rishikimin e librit në fund të prillit dhe kishte përcaktuar se ai nuk përmbante informacione të klasifikuara.

Por në fillim të muajit pasues, Michael Ellis, drejtor i Këshillit të Sigurisë Kombëtare për Zbulimin nisi një tjetër proces rishikimi të dorëshkrimit dhe gjeti në të informacione të klasifikuar, thuhet në padi.

Rishikimi ishte ende në proces në fillim të këtij muaji ndërsa media njoftoi se zoti Bolton do të bënte përpara me planet për publikimin e librit.

Në një deklaratë të martën, organizata për Liritë Civile të Amerikane tha që “padia ka gjasa të dështojë”.

Një nga përfaqësuesit e saj, Ben Wizner, tha se Gjykata e Lartë kishte refuzuar një gjysmë shekulli më parë përpjekjet e administratës Nixon për të bllokuar botimin e atyre që u quajtën Dokumentet e Pentagonit dhe shtoi se është e mirëpërcaktuar se kufizimet paraprake mbi botimin janë anti-kushtetuese.

“Si zakonisht, kërcënimet e qeverisë nuk kanë asnjë lidhje me ruajtjen e sigurisë kombëtare, por gjithçka ka të bëjë me shmangien e një skandali dhe një situate të sikletshme”, tha zoti Wizner. /VOA/

Në trend Botë

Më shumë
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës

Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës

Azia
Edhe një problem për Trumpin, policia konfirmon dyshimet për sulm seksual të kandidatit për Sekretar të Mbrojtjes

Edhe një problem për Trumpin, policia konfirmon dyshimet për sulm seksual të kandidatit për Sekretar të Mbrojtjes

Amerika
Zëdhënëses së ministrisë së Jashtme ruse i cingëron telefoni në konferencë, dikush e urdhëron të mos flasë për sulmin me raketë ndërkontinentale në Ukrainë

Zëdhënëses së ministrisë së Jashtme ruse i cingëron telefoni në konferencë, dikush e urdhëron të mos flasë për sulmin me raketë ndërkontinentale në Ukrainë

Evropa
Pamje të reja të raketës balistike ndërkontinentale ruse që godet Ukrainën

Pamje të reja të raketës balistike ndërkontinentale ruse që godet Ukrainën

Evropa
Memoaret e Angela Merkelit - çfarë thotë për Donald Trumpin dhe Ukrainën

Memoaret e Angela Merkelit - çfarë thotë për Donald Trumpin dhe Ukrainën

Evropa
Gaetz tërhiqet prej kandidaturës për prokuror të përgjithshëm, reagon  Trump

Gaetz tërhiqet prej kandidaturës për prokuror të përgjithshëm, reagon Trump

Amerika
Kalo në kategori