LAJMI I FUNDIT:

Administrata gjyqësore do të protestojë para Ministrisë së drejtësisë

Administrata gjyqësore do të protestojë para Ministrisë së drejtësisë

Sindikata e SPOGJ dhe Shoqata e administratës gjyqësore prej nesër do ta bëjnë më radikale protestën përmes të cilës kërkojnë rritje të shtesave të pagës për 35 për qind njëjtë siç është paraparë për gjykatësit, prokurorët publikë dhe nëpunësit e prokurorive publike, transmeton Telegrafi Maqedoni.

Prej nesër në ora 11 të punësuarit në administratën gjyqësore, të cilët gjatë 10 ditëve të kaluar kanë protestuar në rrethin e gjykatave, pakënaqësinë e tyre do ta shprehin para Ministrisë së Drejtësisë. Nga e premtja gjykatat nuk do të japin vërtetime me vulë, ndërsa nga e hëna nuk do të përpunohen procedurat për sigurim të dëshmive.


Përfaqësuesit e Sindikatës së SPOGJ në konferencën e sotme për shtyp theksuan se kanë vendosur për një hap të këtillë për shkak se tanimë rreth 10 ditë po zgjat protesta e administratës gjyqësore, ndërsa nuk ka interes për negociata nga ana e punëdhënësit.

Sindikata e SPOGJ po ashtu akuzoi se bëhet presion ndaj të punësuarve në gjykata edhe nga ana e kryetarit të ri të Këshillit buxhetor gjyqësor, Zoran Karaxhovski./Telegrafi/