Abdixhiku për Samitin në Tiranë: Kosova pa institucione, po vazhdojmë rënien - të tjerët po vazhdojnë ecjen

Tirana sot mirëpret Samitin e gjashtë të Komunitetit Politik Evropian, një ngjarje që zhvillohet për herë të parë në një vend të Ballkanit Perëndimor.
Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka shkruar në Facebook se sot Evropa po zbarkon në Tiranë, me plotë 47 liderët e saj, transmeton Telegrafi.
"Evropa sot po zbarkon në Tiranë. E gjitha. Me plot 47 liderët e saj. Në Tiranën që tashmë, si epiqendër e re rajonale, është bërë shtëpi nga ku po gdhendet e ardhmja e vet kontinentit. Në këtë të ardhme, pa dyshim, po i bëhet vendi dhe vendit të shqipeve", shkroi Abdixhiku.
Kreu i LDK-së shton tutje se Kosova vazhdon të mbetet nën masa e sanksione.
"Vazhdon të mbetet dhe pa institucione. Mbi të gjitha, vazhdon të mbetet pa ndjenjën e urgjencës për kohën. Nuk ka urgjencë mu tha! Të tjerat, si zhvillimi, mirëqenia, si progresi shoqëror janë të pakapshme për ata që kanë kapur të ardhmen e vendit tash e sa kohë. Sepse për ta shijimi i jetës së pushtetit, është vet qëllimi. Të tjerat presin. Sepse kemi rënë. Po vazhdojmë rënien. Të tjerët po vazhdojnë ecjen. Të tjerët po ndërtojnë. Të tjerët po bëhen pjesë e së ardhmes së bukur evropiane që tani u shfaqet vetëm pak vite larg", theksoi ai.
Tutje, ai ka pohuar se "Rizgjimi kombëtar ndonjëherë kërkon kohë".
"Por sot, ky rizgjim Kosove, kërkon urgjencë. Kjo urgjencë nuk vjen nga ata që nuk e njohin nevojën. Vjen nga populli i Kosovës që rizgjohet! Shqipërisë, vetëm përgëzime"./Telegrafi/



































