LAJMI I FUNDIT:

AAK dhe NISMA zyrtarizojnë marrëveshjen e koalicionit parazgjedhor

AAK dhe NISMA zyrtarizojnë marrëveshjen e koalicionit parazgjedhor

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe NISMA të mërkurën kanë lidhur zyrtarisht koalicion parazgjedhor.

Kjo u bë e ditur përmes një konference të përbashkët për media.

Pas nënshkrimit, Haradinaj tha se bashkimi i tyre vjen si pasojë e një ndjenje të përgjegjësisë ndaj qytetarëve të Kosovës, të cilët, sipas tij, janë anashkaluar dhe madje braktisur në disa raste nga ekzekutivi aktual.


“Ne kemi ardhur në përfundimin se qytetarët e Kosovës janë ndjerë të braktisur dhe në disa raste edhe të shtypur nga ata që duhet të ishin garantues të mirëqenies së tyre. Ky shtypje shfaqet qartë në trajtimin e sektorit të lirisë; marrim për shembull mënyrën se si janë trajtuar mësimdhënësit gjatë grevave të sindikatës. Kjo është vetëm një nga shembujt e shumtë që tregojnë indiferencën e Qeverisë ndaj nevojave të qytetarëve,” u shpreh Haradinaj.

“Sot, qytetarët tanë paguajnë tarifat më të larta të rrymës në rajon, ndërsa kjo Qeveri ka qenë një kundërshtar i hapur i investimeve në sektorin e energjisë,” shtoi ai, duke kritikuar politikën ekonomike të Qeverisë aktuale.

“Jemi në gjendje të vështirë ekonomike sepse Qeveria po përfiton në mënyra që nuk i shërbejnë popullit,” theksoi Haradinaj.

Nga ana tjetër, Limaj vlerësoi koalicionin parazgjedhor si një zhvillim pozitiv për skenën politike të Kosovës dhe për të gjithë qytetarët e saj.

“Ky bashkim parazgjedhor është pa dyshim një lajm i mirë për Kosovën dhe qytetarët e saj. Jemi dëshmitarë të gjendjes aktuale të vendit, i cili ka nevojë për unifikimin e forcave që kanë diçka për të ofruar dhe që dëshirojnë të ndryshojnë mënyrën si zhvillohet dhe pozicionohet vendi. Ka shumë çështje të rëndësishme për njerëzit e Kosovës që ata dëshirojnë të përmirësohen”, u shpreh Limaj.

“Kosova tani më shumë se kurrë ka nevojë për një energji të re bashkuese, një bashkim në diversitet dhe iniciativa të reja. Kemi nevojë për një dinamikë të re në opozitë, një opozitë të angazhuar që kritikon ku është e nevojshme dhe ofron alternativa të qarta,” deklaroi Limaj.

Kjo marrëveshje koalicioni bëhet për zgjedhjet e përgjithshme të radhës (2024-2025).

Sipas marrëvshjes, të dyja partitë dakordohen që të krijojnë Rreshtin (Frontin) e përbashkët për Shtetin e Kosovës dhe përcaktohen të hapura për zgjerim të koalicionit me të gjitha ato parti politike, nisma qytetare apo shoqata që përfaqësojnë sfera të ndryshme interesi e që për synim kanë ndaljen e degradimit të shtetit, rikthimin e demokracisë si parakusht të një zhvillimi të qëndrueshëm e afatgjatë, si dhe integrimin e Kosovës në strukturat euro-atlantike, kjo në partneritet të përhershëm me aleatët strategjikë, SHBA dhe BE.

Aty thuhet se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Social Demokrate, garojnë në një Listë të Përbashkët dhe marrin përsipër që të harmonizojnë platformën politike dhe Programin për zgjedhjet e përgjithshme, kurdo që të mbahen ato.

Objektivat politike dhe aspektet teknike të këtij koalicioni, specifikohen me një aneks të veçantë që do t’i bashkohet marrëveshjes.

Deklarata Politike AAK-Nisma

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Social Demokrate, krijojnë Rreshtin (Frontin) e përbashkët për Shtetin e Kosovës, në aleancë me gjithë ata që janë kundër degradimit të saj dhe në partneritet me aleatët strategjikë që i patëm pranë në momentet më kritike të historisë sonë!

Me qëllim që të mos lejojmë rrezikimin e pavarësisë së vitit 2008;

Me qëllim të mbrojtjes së karakterit unitar të shtetit;

Me qëllim të arritjes së marrëveshjes me Serbinë në pajtueshmëri të plotë me Kushtetutën e Republikës Kosovës;

Me qëllim që të ndërpresim degradimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve me SHBA-në dhe BE-në, që janë garanci e paqes, sigurisë dhe prosperitetit për tërë Ballkanin Perëndimor;

Ashtu siç ishim të vendosur për krijimin e Ushtrisë së Kosovës, sot jemi të vendosur p֝ër anëtarësimin e plotë në NATO;

Me qëllim që t’i japim fund logjikës së funksionimit kontrollit partiak neokomunist dhe të kthimit të Kosovës në kursin euro-atlantik;

Me qëllim që t’i japim fund logjikës që nxitë konfliktet e vazhdueshme brenda shoqërisë sonë dhe të promovojmë bashkërenditjen e energjive tona kombëtare e shoqërore në interes të përgjithshëm.

Pajtohemi që Aleanca dhe Nisma, të krijojmë një front të përbashkët politik dhe ftojmë të gjitha partitë politike, nismat qytetare, shoqatat, grupet e ndryshme të interesit, intelektualë të profileve të ndryshme dhe të gjithë ata që janë të bindur në domosdoshmërinë e bashkimit të forcave dhe energjive kombëtare dhe shoqërore që të bashkohen në këtë front për t’i dhënë fund rrezikut që i kanoset shtetit të Kosovës nga kjo qeverisje e keqe, e t’i kthehemi normalitetit, zhvillimit dhe prosperitetit si shtet e si komb.

Vetëm të bashkuar mund ta ndalim të keqen dhe të hapim perspektiva për një jetë të sigurt, të begatshme dhe në harmoni e ku do të respektohet dinjiteti i çdo qytetari të Kosovës.

1. Jemi përcaktuar që mashtrimin me shifra fiktive te rritjes ekonomike, ta shndërrojmë ne zhvillim real e rritje dyshifrore ekonomike;

2. Ndihmat sociale do t’i shndërrojmë në paga e pensione të dinjitetshme, që nënkupton dyfishimin e tyre;3. Kosova nuk do të jetë më vend me shëndetësi të sëmurë, ku qytetarët e saj, sëmundjen e marrin në vendin e vet, e shërimin e paguajnë jashtë. Nuk do të jetë vend pa sigurime shëndetësore. Është zotim yni, që sistemi shëndetësor të jetë, të paktën si i vendeve të rajonit;

4. Arsimi nuk do të jetë kurrë më, i renditur në vendet e fundit të PISA-s, por do t’i nënshtrohet një reforme thelbësore, e cila do të garantojë cilësi;

5. Do të ndalet njëherë e përgjithmonë poshtërimi i kategorive të lirisë dhe ata do të trajtohen me dinjitet e me paga të dinjitetshme;

6. Do të jetë përkushtim e investim yni i vazhdueshëm që ta ndalim trendin e braktisjes së vendit dhe të largimit të kuadrove që me aq mund i ka krijuar Kosova;

7. Nuk do të lejojmë njeri që ta ndajë këtë shoqëri, siç po bën klasa politike në pushtet;

8. Do të marrë fund trajtimi armiqësor i komunave që nuk i përkasin partisë në pushtet;

9. Ata që nuk e kanë bërë as edhe një hap për lirinë e këtij vendi, nuk mund të na tregojnë se sa e shtrenjtë është liria; por janë të lirë ta gëzojnë lirinë;

10. Nga përpjekja për kontrollin absolut të të gjitha pushteteve, ato do të jenë të ndara e të paprekshme;

11. Gjyqësori do të trajtohet me dinjitet, e jo me sulme të hapura të qeverisë ndaj tij;

12. Policia dhe Forca e Sigurisë së Kosovës, do të jenë ndër kategoritë më të vlerësuara dhe më të paguara, e nuk do ndodhë asnjëherë që njësitë elite të policisë të protestojnë para qeverisë;

13. Me në fund do të ndërpritet diktati i pushtetit mbi shoqërinë civile, mediat, institucionet e pavarura, mësimdhënësit, mjekët e infermierët, policinë, prokurorinë e deri te Gjykata Kushtetuese;

14. Në këtë vend do të marrin fund sulmet e “brigadave të paguara” të rrjeteve sociale ndaj njerëzve të ndershëm dhe secili do të përgjigjet për fjalën e vet;

15. Do të ndalen mashtrimet me dialogun Kosovë-Serbi. “Jo e pranova jo se pranova…”

Marrëveshja me Serbinë, vetëm në përputhje me Kushtetutën dhe me garanci të SHBA dhe BE;

16. Talljet më shtetet mike, që kanë ndihmuar lirinë tonë e që edhe sot janë garant të saj, do kthehen në partneritet e në miqësi pa hile;

17. Nuk do të ketë forcë që mund ta devijojë rrugën e Kosovës në kursin e saj euro-atlantik, me marrëdhënie të posaçme me Amerikën. Kosova në NATO, në BE dhe OKB, nuk është vetëm orientim politik, por edhe popullor i këtij vendi;

18. Sanksionet e BE-se ndaj Kosovës, do të largohen bashkë me këtë qeveri. Sot është koha që njerëzit të mendojnë lirshëm dhe të çlirohen nga mashtrimi hipnotizues i Albin Kurtit dhe më në fund të jenë të lirë.

Jemi të vetëdijshëm që kjo nuk është punë e lehtë. Prandaj jemi përcaktuar që ta krijojmë rreshtin e gjithë atyre njerëzve, qytetarëve, grupeve e individëve, burra e gra, në vend e në diasporë, që ta shpëtojmë këtë vend të mos bie në greminë.

Ne jemi përcaktuar të punojmë më pasion e pa arrogancë për këtë synim dhe e kërkojmë ndihmën e secilit prej jush. Na priftë e mbara!/Telegrafi

Në trend Lajme

Më shumë
​Dyfishohet numri i të prekurve me HIV në Kosovë, 29 raste të reja për vitin 2024

​Dyfishohet numri i të prekurve me HIV në Kosovë, 29 raste të reja për vitin 2024

Shëndetësi
Krasniqi: Arrestimi i veteranëve të UÇK-së në Maqedoninë e Veriut, cenon raportet ndërshtetërore

Krasniqi: Arrestimi i veteranëve të UÇK-së në Maqedoninë e Veriut, cenon raportet ndërshtetërore

Lajme
Aksidenti mes trenit dhe veturës në Pejë, vdes gruaja që kishte pësuar lëndime

Aksidenti mes trenit dhe veturës në Pejë, vdes gruaja që kishte pësuar lëndime

Kronika e Zezë
Deputetja e LVV-së: Asociacioni nuk sjell normalizim, duhet nënshkruar marrëveshjen e Brukselit

Deputetja e LVV-së: Asociacioni nuk sjell normalizim, duhet nënshkruar marrëveshjen e Brukselit

Lajme
Detaje nga rrahja në Ranillug ku u përfshi një zyrtar policor

Detaje nga rrahja në Ranillug ku u përfshi një zyrtar policor

Kronika e Zezë
Policia kërkon bashkëpunimin e qytetarëve për identifikimin e tre personave për shpërdorim të pasurisë

Policia kërkon bashkëpunimin e qytetarëve për identifikimin e tre personave për shpërdorim të pasurisë

Kronika e Zezë
Kalo në kategori