Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Paris Guri, ishte i ftuar së fundmi në emisionin “Shok Podcast” të ish-banorit të Big Brother VIP Kosova 1, Fis Juniku. Biseda e tyre nisi me një moment të papritur dhe të shoqëruar me humor: Fisi e ngacmoi Parisin duke nxjerrë 20 euro nga xhepi dhe ia kthyer si borxh publikisht.

“Paris, unë e di që ti je goxha një farë borxhlie i keq, dhe pastaj ma bën ‘ktheji paratë’. Njëherë t’i pata marrë 20 euro dhe ja ku po t’i kthej”, tha Fisi mes të qeshurash.


Deputeti Paris Guri e pranoi kthimin e shumës me humor, por gjithashtu dha një mesazh serioz për përgjegjësinë ndaj parave të shtetit.

“Faleminderit shumë që ma ktheve borxhin, por borxhi ndaj meje mundet edhe të mos kthehet sepse ti këto mi ke pasur borxh privat. Por kur t’ia marrësh shtetit, kur t’ja vjedhësh, ajo është nevojë shumë më urgjente për t’i kthyer paratë. Pastaj duhet ngritur zëri shumë më shumë që të kthehen paratë. Paratë e shtetit, buxheti i shtetit, duhet të konsiderohet i shenjtë për secilin qytetar të Republikës së Kosovës”, tha Guri.

Ky moment u perceptua si një referencë ironike ndaj një rasti të kaluar në Kuvend, ku deputeti kishte përballur me pyetje të ngjashme deputeten tjetër, Fitore Pacolli. Nga foltorja e Kuvendit, ai i kishte drejtuar asaj pyetjen: “A i ke kthyer 200 mijë euro?”, në një kohë kur opozita akuzonte deputeten se familjarët e saj i kishin fituar këto para në mënyrë të kundërligjshme për shkak të nepotizmit.

Biseda në “Shok Podcast” tregoi anën më të lehtë dhe humoroze të Paris Gurit, duke krijuar një kontrast interesant me debatet e tensionuara politike që shpesh e shoqërojnë në Kuvend. /Telegrafi/

- YouTube youtu.be