Sqarimi i mistereve tuaja “të pashpjegueshme” ...

Nga: Sarah Knapton dhe Joe Pinkstone / The Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com


Ndërsa hetonin gjithçka, nga rastësitë e çuditshme deri te takimet e habitshme, Sarah Knapton, redaktore shkencore, dhe Joe Pinkstone, korrespondent shkencor i gazetës sonë [The Telegraph], kanë zbuluar se përvojat në dukje të mbinatyrshme priren të kenë shpjegime krejtësisht racionale.

Tani ata duan t’ju ndihmojnë edhe juve.

Në këtë seri ata zbërthejnë historitë tuaja më të çuditshme personale, duke përdorur shkencën, psikologjinë dhe paksa mendjen e shëndoshë për të gjetur logjikën prapa çmendurisë - megjithëse ndonjëherë në fund mbetet edhe një grimcë misteri.

Sot, për një botim të veçantë të Krishtlindjes, dyshja jonë peshojnë një pyetje të vjetër sa vetë koha: A ekziston Babadimri? [Is Santa Claus real?]

Të dashur Sarah dhe Joe,

“Nëse Babadimri është i vërtetë, si ia del ai të shpërndajë të gjitha dhuratat për fëmijët e botës për një natë të vetme? Mua nuk më duket e mundur, dhe asnjëherë nuk e kam parë, ndaj mendoj se është i trilluar”.

Isobel, shtatë vjeçe.

Sarah dhe Joe përgjigjen:

Sigurisht që Babadimri është i vërtetë, Isobel, por po, aventurat e tij në mbrëmjen e Krishtlindjes priren të sfidojnë fizikën, kështu që e kuptojmë pse mund të vësh në dyshim ekzistencën e tij.

Në fakt, deri vonë askush nuk e dinte se si ia dilte mbanë Babadimri të vizitonte të gjithë fëmijët e botës - derisa shkencëtarët nuk e kombinuan Teorinë e Relativitetit të Ajnshtajnit dhe mekanikën kuantike në atë që tani njihet si Teoria e Madhe e Bashkuar e Babadimrit [Grand Unified Theory of Santa] - ose shkurt, GUTS.

Në vitin 2016, Dr. Katy Sheen, fizikane në Universitetin e Ekseterit, zbuloi se Babadimri dhe drerët e tij udhëtojnë nëpër botë me një shpejtësi aq të lartë saqë ata tkurren, duke mundësuar që Babadimri dhe thesi i tij i madh i dhuratave të futen edhe në oxhaqet më të ngushta.

Dr. Sheen zbuloi gjithashtu një shpjegim shkencor përse Babadimri rrallëherë shihet nga fëmijët - edhe pse miliona prej tyre përpiqen të qëndrojnë zgjuar, në Natën e Krishtlindjes, për të kapur një pamje të kostumit të tij të kuq.

Është aq i shpejtë saqë bëhet i padukshëm

Fizikania përllogariti se Babdimri do të duhej të udhëtonte me rreth 10 milionë kilometra në orë, për të dorëzuar dhuratat për çdo fëmijë që pritet të festojë Krishtlindjet brenda 31 orëve - duke marrë parasysh zonat kohore në botë.

Një shpejtësi e tillë do ta bënte atë të ndryshonte nga ngjyra e kuqe në të gjelbër dhe, me rritjen e shpejtësisë, përfundimisht do të zhdukej plotësisht. Në këtë rast, është efekti i Doplerit ai që e bën Babadimri të ndryshojë ngjyrën, sepse valët e dritës që reflektohen mbi të shtrydhen në një shpejtësi kaq të madhe.

Efekti i Doplerit gjithashtu shpjegon se pse fëmijët nuk e dëgjojnë Babadimri kur ai mbërrin.

Teksa Babadimri dhe saja e tij afrohen, tingulli i zileve dhe “ho, ho, ho”-ja e thellë do të ngrihen gjithnjë e më lartë në tonalitet derisa bëhen të padëgjueshme, sepse zëri i tij lëviz përtej diapazonit të dëgjimit njerëzor.

Dhe, nëse fëmijët dëgjojnë një zhurmë të fortë Natën e Krishtlindjes, mund të jetë ndonjë dre i Babadimrit që ka thyer murin e zërit, duke krijuar një bum sonik.

Dr. Sheen ka thënë: “Ndodhin disa gjëra të çuditshme, pasi fillon të udhëtosh kaq shpejt. Së pari, koha ngadalësohet. Së dyti, Babadimri ngjeshët, që do të thotë se ai mund të futet më lehtë në një oxhak”.

Ekspertët gjithashtu besojnë se Babadimri ndonjëherë përdor ndërlidhjen kuantike për të qenë i sigurt se të gjithë fëmijët do ta marrin dhuratën në kohë.

Mekanika kuantike merret me sjelljen e grimcave shumë të vogla, dhe ato mund të ekzistojnë në një gjendje të ndërlidhur - që do të thotë se mund të jenë të lidhura, pavarësisht se sa larg ndodhen në botë.

Shkencëtarët mendojnë se Babadimri ndonjëherë i vendos dhuratat në një gjendje të veçantë “të ndërlidhur”, që do të thotë se kur fëmija i parë hap dhuratën në mëngjesin e Krishtlindjes, të gjithë fëmijët marrin dhuratën e tyre në të njëjtën kohë.

Për shkak se ndërlidhja është e brishtë, Babadimri shqetësohet nëse ajo mund të prishet, që do të thotë se do të humbasë lidhja speciale që garanton shpërndarjen e dhuratave. Kjo është arsyeja se pse fëmijët duhet të jenë në shtrat dhe në gjumë - herët në Natën e Krishtlindjes.

Pamja e konfirmuar

Ekzistenca e Babadimri u konfirmua në vitin 2023, kur një video rrodhi nga një bisedë mes zonjës Angela McClean, këshilltare kryesore shkencore e Qeverisë, dhe Michelle Donelanit që ishte ministre e Shkencës në atë kohë.

- YouTube Sekreti i fuqisë magjike të Babadimrit zbulohet nga këshilltarja kryesore shkencore e Qeverisë ...

Zonja Angela, duke menduar se kamerat ishin fikur, u xhirua duke thënë se ishte thelbësore që fëmijët të binin herët në gjumë në Natën e Krishtlindjes, për të mos e prishur metodën shkencore të Babadimrit.

E pyetur nëse ajo e dinte se si ia del mbanë Babadimri të futet në të gjithë oxhaqet e botës, ajo tha: “Është e qartë që ai nuk mund të shkelë ligjet e fizikës, por ka disa gjëra që mendojmë se ai mund të jetë duke i përdorur për ta ndihmuar në atë punë të rëndësishme, për të dorëzuar dhuratat për çdo fëmijë në gjithë botën. Pra, ajo që mendojmë se ai bën është se ai merr lodrat që ka prodhuar në Polin e Veriut dhe i vendos ato në një gjendje të veçantë - që quhet gjendje e ndërlidhur - dhe kjo do të thotë se kur fëmija i parë hap dhuratën në mëngjesin e Krishtlindjes, kjo siguron që çdo fëmijë në botë do të marrë një dhuratë. Kjo ndodh sepse ai përdor këtë lidhje shumë të veçantë midis gjërave, gjë që dimë se mund të ndodhë sipas fizikës kuantike dhe që quhet ndërlidhje”.

Shkenca funksionon vetëm nëse fëmijët janë në kohën e duhur në gjumë

E pyetur nëse kjo metodë shkencore funksionon vetëm nëse fëmijët flenë me kohë, zonja Angela shtoi: “Oh, absolutisht po, nëse dikush do ta shihte Babadimrin, kjo do të prishte gjendjen e ndërlidhur. Kjo është arsyeja se pse ne duhet të këmbëngulim që fëmijët të jenë me kohë në shtrat në Natën e Krishtlindjes”.

Në atë kohë, Departamenti për Shkencë, Inovacion dhe Teknologji (DSIT) tha se ishte “i zhgënjyer” që pamjet e një bisede private ishin bërë publike dhe fajësoi elfët e Babadimrit të cilët nuk komentuan për akuzën kur u kontaktuan nga ditorja The Telegraph.

Në vitin 2017, Universiteti i Uorikut sugjeroi gjithashtu se Babadimri mund të përdorë "tunelin kuantik" për të hyrë dhe për të dalë nga shtëpitë.

Dr. George Knee, fizikan teorik, argumentoi se duke ngrënë shumë ëmbëlsira me fruta, Babadimri është shëndoshur shumë për të hyrë nëpër oxhaqe, ndaj ka nevojë të përdorë mekanikën kuantike.

“Sipas fizikës kuantike, atomet në trupin e Babadimrit kanë një pozicion të pasigurt - një lloj mjegulle që mund të lëvizë si lëng”, tha ai. “Megjithëse tingëllon absurde, është plotësisht e mundur që pasiguria e trupit të Babadimrit të rrëshqasë përmes hapësirave të cilat përndryshe janë të pamundura. Kjo do të thotë që, në teori, Babadimri kuantik mund të shfaqet drejtpërdrejt në oxhak. Kjo teori shpjegon gjithashtu se si arrin Babadimri te njerëzit që nuk kanë oxhak. Ai thjesht përdor tunelin kuantik për të rrëshqitur poshtë derës ose përmes deriçkës së maceve”.

Përfundimi: Gjithçka e shpjegueshme!

/Telegrafi/