LAJMI I FUNDIT:

A janë ndryshimet kushtetuese kushti i vetëm për anëtarësimin e RMV-së në BE?

A janë ndryshimet kushtetuese kushti i vetëm për anëtarësimin e RMV-së në BE?

Përfshirja e pakicës bullgare në preambulën e Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut nuk është kushti i vetëm për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian. Kështu vlerëson Instituti Maqedonas për Demokraci, pas analizimit të konkluzioneve të Këshillit të Evropës, të miratuara pas nënshkrimit të Protokollit me Bullgarinë në korrik të vitit të kaluar.

Nënshkrimi i këtij protokollit pason marrëveshjen mes dy shteteve – bazuar në propozimin francez për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërmjet dy vendeve dhe heqjen e vetos bullgare për nisjen e bisedimeve me BE-në.


Sipas këtij instituti, edhe pse nuk përmenden në mënyrë eksplicite, aty janë përfshirë edhe çështje të tjera që Shkupi duhet t’i përmbushë, si çështjet historike në tekste shkollore, dallimet gjuhësore dhe gjuha e urrejtjes, mospërmbushja e të cilave, sipas institutit – në një fazë të mëvonshme – mund të pengojë procesin e integrimit evropian të vendit.

“Përfshirja e bullgarëve në preambulën e Kushtetutës duhet të ndodhë deri në tetor apo në nëntor të këtij viti. Por, përveç ndryshimeve kushtetuese kemi edhe kritere tjera, çështjet e historisë të hapura nga Bullgaria, ndryshimet në programet e historisë, tekstet e reja, mbishkrimet në disa monumente, tabelat, materialet informative në muze dhe objekte të tjera me rëndësi arsimore dhe kulturore”.

“Duke marrë parasysh procesin e ndryshimeve të tilla esenciale, afati i caktuar prej dy vjetësh është shumë i shkurtër dhe mund të sjellë anashkalimin e institucioneve të caktuara që nuk janë nën ombrellën e Qeverisë dhe rrjedhimisht të kemi mosrespektim të afateve”, thotë Marko Troshanovski, drejtor i Institutit për Demokraci, Societas Civilis.

Por, me vlerësimet e tilla nuk pajtohet Andreja Stojkovski nga Instituti i Prespës – i cili merret me analiza politike që kanë të bëjnë me politikën e jashtme, por edhe çështje të tjera lidhur me integrimin evropian të vendit.

Edhe pse nuk pret që procesi i anëtarësimit të shkojë pa probleme, ai megjithatë thotë se amendamentet kushtetuese janë kushti i vetëm për mbajtjen e Konferencës së dytë ndërqeveritare, pas së cilës duhet të fillojë hapja formale e kapitujve.

“Kur bëhet fjalë për mbajtjen e konferencës së dytë ndërqeveritare, aty thuhet qartë se ajo do të ndodhë menjëherë pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese. Pengesa tjera nga Sofja nuk do të ketë. Korniza e negociatave është miratuar, konkluzionet janë të qarta dhe nuk ka nevojë për konfirmim formal juridik të kornizës”, thotë Stojkovski.

Në selinë e BE-së në Bruksel, më 19 korrik u mbajt konferenca e parë ndërqeveritare, në të cilën Maqedonia e Veriut zyrtarisht i hapi negociatat për anëtarësim në BE.

Xhelal Neziri, njohës i çështjeve politike thotë për Radion Evropa e Lirë se procesi i integrimit është i gjatë dhe në këtë rrugëtim Maqedoninë e Veriut e presin sfida të shumta.

“Propozimi francez nuk përmban si detyrim vetëm ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në preambulën e saj, por ka një listë të gjatë të detyrave që duhet të zbatohen. Në mesin e atyre detyrimeve është edhe historia, kultura, ndryshimi i emrave, rishkrimi i teksteve shkollore, aspekte ekonomike. Pra, janë një sërë çështjesh që në të ardhmen mund të jenë burim serioz i bllokadave të mundshme për Maqedoninë e Veriut”.

“Veç atyre, me Bullgarinë kemi edhe obligime që dalin nga Marrëveshja e Prespës me Greqinë, për ndryshmin e emrit. Procesi i integrimit në BE përmban detyrime e kushte të shumta që duhet të përmbushen në këtë rrugëtim të vendit”, vlerëson Neziri.

Autoritetet bullgare në disa raste kanë bërë me dije se reagimet nga ana e tyre janë të mundshme, por pa përmendur ndonjë bllokadë të re.

Sofja thotë se Shkupi nuk ka marrë masa të mjaftueshme për të zbatuar detyrimet e Marrëveshjes së Fqinjësisë së Mirë, që lidhen me të kaluarën e saj, si etiketimin e bullgarëve si bashkëpunëtorë të Gjermanisë naziste, hapjen e arkivave të aparatit represiv shtetëror kundër pakicës bullgare para vitit 1991, si dhe çështje tjera historike që pretendohen nga pala bullgare

Zëvendëskryeministri për Çështjet Evropiane, Bojan Mariçiq, ka thënë disa herë se kushtet, në të cilat do të zhvillohet konferenca e dytë ndërqeveritare janë të përcaktuara qartë dhe kanë të bëjnë me ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e saj, ku edhe mbyllet kontesti me Bullgarinë.

Maqedonia e Veriut, aktualisht, po kalon në fazën e skriningut, apo të harmonizimit të ligjeve me ato të Bashkimit Evropian./REL/

Në trend Lajme

Më shumë
Tension në Kuvend mes PDK-së e LVV-së, Shala ia ndalon fjalën Kusari-Lilës – nënkryetarja thërret sigurimin

Tension në Kuvend mes PDK-së e LVV-së, Shala ia ndalon fjalën Kusari-Lilës – nënkryetarja thërret sigurimin

Lajme
“Ju kemi njohur para lufte...ju njohim edhe tash”, Haxhiu, opozitës: Milionerë nuk ishit, jeni bërë vetëm duke qenë në qeveri

“Ju kemi njohur para lufte...ju njohim edhe tash”, Haxhiu, opozitës: Milionerë nuk ishit, jeni bërë vetëm duke qenë në qeveri

Lajme
Vrasja e Liridona Ademajt - edhe dy muaj paraburgim për Naim Murselin dhe dy të tjerët, i dyshuari i katërt mbrohet në liri

Vrasja e Liridona Ademajt - edhe dy muaj paraburgim për Naim Murselin dhe dy të tjerët, i dyshuari i katërt mbrohet në liri

Drejtësi
Siljanovska: Nuk do t'i largojë tabelat Maqedonia e Veriut, dhe do ta përdor vetëm Maqedonia

Siljanovska: Nuk do t'i largojë tabelat Maqedonia e Veriut, dhe do ta përdor vetëm Maqedonia

Politikë
Murati i përgjigjet opozitës: Në raportin e DASH-it ka përgjysmim të korrupsionit me këtë Qeveri

Murati i përgjigjet opozitës: Në raportin e DASH-it ka përgjysmim të korrupsionit me këtë Qeveri

Lajme
Britania e Madhe kërkon t’i kushtohet më shumë vëmendje rreziqeve të konfliktit në Ballkan

Britania e Madhe kërkon t’i kushtohet më shumë vëmendje rreziqeve të konfliktit në Ballkan

Lajme
Kalo në kategori