LAJMI I FUNDIT:

Bie besimi në ekonominë shqiptare në nivelin më të ulët gjatë këtij viti

Bie besimi në ekonominë shqiptare në nivelin më të ulët gjatë këtij viti

Besimi i bizneseve dhe konsumatorëve në ekonominë shqiptare bie në shtator, duke rënë në nivelin më të ulët të këtij viti.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, treguesi i ndjesisë ekonomike (TNE) për shtatorin pësoi një rënie të mëtejshme me 1.9 pikë në muajin shtator.

Treguesi i ndjesisë paraqitet në rënie për të tretin muaj radhazi, duke reflektuar kryesisht efektet negative të rritjes së çmimeve në vlerësimet e bizneseve dhe konsumatorëve shqiptarë.


Rënia e TNE-së reflektoi rënien e besimit në sektorët e ndërtimit dhe të shërbimeve, si dhe përkeqësimin e besimit të konsumatorëve. Nga ana tjetër, treguesit e besimit për sektorët e industrisë dhe tregtisë shënuan përmirësime të lehta në muajin shtator.

Treguesi i besimit në ndërtim shënoi një rënie prej 5.3 pikë përqindjeje në muajin shtator. Rënia u shkaktua nga përkeqësimi i vlerësimit të bizneseve për aktivitetin e tyre ndërtues. Nga ana tjetër, vlerësimi i tyre për kontratat porositëse ishte në rritje në këtë muaj. Pritjet e bizneseve të ndërtimit për punësimin dhe pritjet për çmimet që do të vendosin në të ardhmen shënuan rënie.

Treguesi i besimit në shërbime ra me 3 pikë përqindje në muajin shtator, për të tretin muaj radhazi. Kjo u përcaktua nga rënia e të dy komponentëve përbërës, vlerësimet për ecurinë aktuale të aktivitetit të tyre dhe vlerësimet për kërkesën. Pritjet e bizneseve të shërbimeve për çmimet që do të vendosin në të ardhmen janë rritur në këtë muaj.

Edhe treguesi i besimit konsumator u përkeqësua me 3.1 pikë përqindje në muajin shtator. Rënia u ndikua kryesisht nga përkeqësimi i pritjeve për situatën e përgjithshme ekonomike, dhe rënia e balancave si për blerjet aktuale ashtu edhe për blerjet e pritura. Vlerësimet e konsumatorëve për situatën e pritur financiare mbetën pothuajse të pandryshuara.

Treguesi i besimit të industrisë u rrit me 1 pikë përqindje në muajin shtator. Kjo rritje u ndikua nga përmirësimi i kërkesës së huaj dhe asaj të brendshme, ndërkohë që vlerësimet për prodhimin aktual shënuan rënie. Gjithashtu, edhe pritjet e bizneseve të industrisë për prodhimin në të ardhmen kanë pësuar rënie. Pritjet e bizneseve të industrisë për çmimet e produkteve që do të prodhojnë janë rritur në muajin shtator.

Edhe treguesi i besimit në tregti u rrit me 1 pikë përqindje në muajin shtator. Rritja u ndikua nga vlerësimet më optimiste të bizneseve të këtij sektori për ecurinë aktuale të biznesit, ndërkohë që pritjet për punësimin në muajt e ardhshëm mbetën pothuajse të pandryshuara. Pritjet për çmimet që do të vendosin në të ardhmen kanë pësuar rritje edhe në këtë sektor. /Telegrafi/