LAJMI I FUNDIT:

Dy raste me COVID-19 në Këshillin Prokurorial, një pjesë e stafit vetëizolohen

Dy raste me COVID-19 në Këshillin Prokurorial, një pjesë e stafit vetëizolohen

Dy zyrtarë të administratës të Këshillit Prokurorial të Kosovës kanë dalë pozitiv me virusin COVID-19, ndërsa rastet tjera të kontaktit edhe pse rezultuan negativ, janë liruar nga puna për të qëndruar në vetë izolim.

Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin, Astrit Kolaj, nga zyra e informimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Sipas tij, Këshilli Prokurorial i Kosovës në koordinim dhe bashkëpunim me IKSHP-në, i ka marrë gjitha veprimet e duhura, ku ka testuar të gjithë personat që dyshohej për infektimin me coronavirus.


“Është e vërtetë që dy persona nga administrata e Këshillit Prokurorial të Kosovës kanë dalë pozitiv me COVID 19. Pas rasteve të paraqitura, Këshilli Prokurorial i Kosovës në koordinim dhe bashkëpunim me IKSHP-në ka marrë gjitha veprimet e duhura, ku ka testuar të gjitha kontaktet e personave të dalë pozitiv, ndërsa të gjithë kontaktet kanë dalë negativ. Të gjitha rastet e kontaktit edhe pse kanë dalë negativ në testin e bërë, janë liruar nga puna për të qëndruar në vet izolim”, ka thënë Kolaj për Telegrafin.

Kolaj po ashtu shtoi se Këshilli Prokurorial i Kosovës ka bërë dezinfektimin e objektit dhe gjitha masat tjera të nevojshme për mbrojtje nga COVID-19.

“Këto raste nuk i kemi mbajtur të fshehura, por kemi vepruar në bazë të rekomandimeve të institucioneve përkatëse për të marrë gjitha masat e nevojshme mbrojtëse”, ka thënë ndër të tjera, Astrit Kolaj. /Telegrafi/