LAJMI I FUNDIT:

Detyrat e vendeve të Ballkanit për anëtarësim në BE

Detyrat e vendeve të Ballkanit për anëtarësim në BE

Pas udhëtimit në Ballkan të Presidentit të Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker në javët e fundit këtë të enjte ishte sërish radha e takimit të 28 ministrave të brendshëm të Bashkimit Evropian.

Ata miratuan planet e veprimit për afrimin e Serbisë, Malit të Zi, Shqipërisë, Maqedonisë, Bosnjë-Hercegovinës dhe Kosovës në një anëtarësim të mundshëm me BE, plane të paraqitura nga Komisioni i BE në “strategjinë e Ballkanit Perëndimor”.

Secili nga shtetet, sipas mendimit të ministrave të Brendshëm të BE duhet të miratojë në fushën “siguria dhe imigrimi” një program prej 14 pikash. Synimi është që të luftohen më mirë migrimi ilegal, kriminaliteti i organizuar dhe tregtia e armëve, për t’iu afruar standardeve të BE.


Shumë detyra deri në 2020

Detyrat e shtëpisë që u formuluan në plan shtrihen deri në vitin 2020. Në këtë kohë, BE do të rishqyrtojë se cilat përparime janë bërë në fushën e sigurisë së brendshme, për çdo vend, pikë për pikë. Një raport i ri do të tregojë se cili vend duhet të bëjë përmirësime dhe në cilat drejtime. E gjitha kjo bëhet duke pasur parasysh datën e synuar 2025, të cilën shefi i Komisionit të BE Jean-Claude Juncker e ripërsëriti edhe njëherë në Sofje në fund të udhëtimit të tij në Ballkan.

“Po të ec gjithçka në mënyrë optimale, Serbia dhe Mali i Zi vërtet mund të anëtarësohen deri në 2025 në BE. Shqipëria, Maqedonia, Kosova dhe Bosnjë-Hercegovina mund të bëjnë përparime të mëdha në asociim”, u shpreh Juncker.

“Unë kudo kam ndjerë vullnetin që të ndërmerren reforma, për të hyrë në BE”, tha Juncker në Sofje. “Të gjitha kushtet duhet të plotësohen”.

Kur kjo nuk funksionon menjëherë në njërin vend ose në tjetrin, kjo nuk do të thotë neglizhim. Tashmë janë arritur shumë përparime. Por e nevojshme është, u shpreh Juncker, një luftë më e fortë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Gjermania kundër datës konkrete

Me vitin 2025 që përmendi si objektiv Junckeri nuk qenë dakord të gjithë ministrat e Brendshëm në takim. Ministri i Brendshëm Gjerman që po largohet, Thomas de Maiziere (CDU) kritikoi radhën e gabuar të hapave. “Unë kam pak mirëkuptim për faktin që të përmendim data dhe të themi që deri në vitin 2025 duhet të jetë kryer gjithçka. Rruga e drejtë duhet të jetë që shtetet, që duan të anëtarësohen në BE duhet t’i plotësojnë kushtet me veprimet e tyre. Pastaj mund të vendosësh, nëse ata janë të përshtatshëm për Evropën.”

Projekte për luftimin e krimeve dhe sigurimin e kufijve

Më parë tani duhet të zbatohet me shtetet ballkanike një plan me 14 masa të veçanta deri në vitin 2020. Në projektet e kërkuara bëjnë pjesë ndër të tjera:

– Të ngrihen ose të forcohen koordinatorët kombëtarë ose institucionet për luftimin e radikalizimit islamik në kuadër të mbrojtjes nga terrorizmi. Koordinatorët duhet të lidhen në rrjet dhe të bashkëpunojnë në të gjithë Ballkanin.

– Kualifikimi i policisë dhe hetuesve duhet të forcohet me ndihmën e agjencive të BE, për të luftuar në mënyrë më të fokusuar kundër krimit të organizuar, trafikimit të njerëzve dhe tregtisë së drogës.

– Shtetet e Ballkanit dhe autoritetet e policisë së BE duhet të krijojnë ekipe të përbashkëta misionesh, të cilat hetojnë krimet dhe konstatojnë dorasit.

– Autoriteti Policor Evropian (Europol) do të ngrejë zyra ndërlidhëse në të gjashtë shtetet e Ballkanit.

– Shtetet e Ballkanit duhet të integrohen plotësisht në projektin në vazhdim të BE për luftimin e kriminalitetit të organizuar dhe të marrin pjesë në mbledhjet e institucioneve evropiane të hetimeve.

– Duhet të ngrihen koordinatorë kombëtare për kontrolle më të mira kufitare dhe të lidhen me njëri-tjetrin, për të përmirësuar ruajtjen e kufijve dhe për të frenuar të ashtuquajturin migrim ilegal.

Në këtë kuadër, BE do të rrisë subvencionet në kuadër të reformës dhe zgjerimit të infrastrukturës dhe personelit në shtetet e Ballkanit. Këtë vit, gjashtë shteteve ballkanike do t’u paguhen më shumë se një miliardë euro “ndihma paraanëtarësimi”. Nga 2007 deri në 2017 janë shpenzuar gjithsej nëntë miliardë euro.

Përparimet që kanë bërë Shqipëria dhe Maqedonia mund të bëjnë që BE të shpallë që në verë një datë konkrete për nisjen e negociatave të anëtarësimit. Me Serbinë dhe Malin e Zi tashmë zhvillohen negociata. Kosova dhe Bosnjë-Hercegovina janë relativisht larg këtij hapi, thanë diplomatë evropianë të pranishëm në takim. /DW/

Në trend Lajme

Më shumë
Droni i policisë iu heq nga duart shqiptarëve 2.8 milionë paund, burg pas zbulimit të “fabrikës” së drogës në Angli

Droni i policisë iu heq nga duart shqiptarëve 2.8 milionë paund, burg pas zbulimit të “fabrikës” së drogës në Angli

Lajme
Zbardhen detaje nga vrasja e 43-vjeçarit në Tropojë, viktima dhe autori ishin shokë

Zbardhen detaje nga vrasja e 43-vjeçarit në Tropojë, viktima dhe autori ishin shokë

Lajme
Ish-deputetët e LVV-së kritikojnë kryeministrin Kurti për mungesën e fokusit në bashkimin kombëtar

Ish-deputetët e LVV-së kritikojnë kryeministrin Kurti për mungesën e fokusit në bashkimin kombëtar

Lajme
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Kronika e Zezë
Philip Reeker: Dialogu Kosovë-Serbi nuk do të jetë prioritet për administratën e Trumpit

Philip Reeker: Dialogu Kosovë-Serbi nuk do të jetë prioritet për administratën e Trumpit

Lajme
Guri për padinë e Pecit: Absolutisht e pa logjikshme, në asnjë vend nuk mundesh me padit paditësin

Guri për padinë e Pecit: Absolutisht e pa logjikshme, në asnjë vend nuk mundesh me padit paditësin

Lajme
Kalo në kategori