LAJMI I FUNDIT:

Boshnjaku kujton momentin kur si tetëvjeçar i doli para Mlladiqi: Çokollata, gënjeshtra dhe gjenocid

Boshnjaku kujton momentin kur si tetëvjeçar i doli para Mlladiqi: Çokollata, gënjeshtra dhe gjenocid

Izudin Aliq ishte tetë vjeç kur kreu i Ushtrisë Serbe të Bosnjës, Ratko Mlladiq, takoi atë dhe fëmijë të tjerë boshnjakë në Srebrenicë në vitin 1995, ku u dha çokollata dhe i gënjeu duke u premtuar se çdo gjë do të shkonte mirë.

Më 11 korrik 1995, ndërsa forcat serbe të Bosnjës zbarkonin në “zonën e sigurt” të Srebrenicës të mbrojtur nga OKB-ja, tetëvjeçari Izudin Aliq ishte me gjyshin e tij pranë bazës së paqeruajtësve të OKB-së në Potoçar ku mijëra boshnjakë u përpoqën të kërkonin strehim.


“Gjyshi im më dërgoi të merrja ujë dhe pashë një grup fëmijësh. Mbaj mend që pashë disa ushtarë që po shpërndanin diçka. Vrapova dhe një burrë me uniformë serbe më preku flokët, më pyeti për emrin dhe moshën dhe më dha disa çokollata”, kujton Aliq. “Nuk kisha frikë dhe nuk e dija se kush ishte ai. Më interesonte vetëm çokollata dhe e hëngra menjëherë”.

Një regjistrim në video i komandantit ushtarak serb të Bosnjës ndërsa hynte në Srebrenicë më 11 korrik 1995 dhe teksa u jepte ëmbëlsira dhe çokollata fëmijëve u pa në të gjithë botën. Ajo u filmua në fillim të një operacioni ushtarak, i cili do të zgjaste për ditë me radhë dhe do të merrte jetën e më shumë se 7,000 burrave dhe djemve boshnjakë dhe do të rezultonte në dëbimin e 40,000 grave, fëmijëve dhe të moshuarve.

Mlladiqi e pyeti Aliqin se si e kishte emrin dhe sa vjeç ishte.

“Mbaj mend që i thashë se quhesha Izudin dhe se isha 12 vjeç. Nuk e di pse gënjeva për moshën time. Mendoj se doja të isha më i rritur. Nuk e di. Di që më tha se çdo gjë do të shkonte mirë, që nuk ishte e vërtetë”, tha ai.

Aliqi para luftës jetonte në Prohiq pranë Srebrenicës, në kufi me Serbinë. Pasi ushtarët serbë sulmuan fshatin në vitin 1993, familja e tij u largua për në Srebrenicë ku ata qëndruan deri në korrik 1995. Pas sulmit në Srebrenicë, Aliqi shkoi me nënën dhe vëllezërit, motrat dhe gjyshërit e tij në Potoçar, ndërsa babai i tij, xhaxhai dhe kushëriri u arratisën në pyll duke kërkuar siguri në qytetin e Tuzlës, që kontrollohej nga forcat boshnjake.

“Isha tetë vjeç dhe kur përpiqem ta kujtoj, nuk e kuptoj se çfarë po ndodhte. Në Potoçar kishte kaos, shumë ushtarë, shumë burra,” tha Aliq.

Në mes të kaosit në Potoçar, u mblodhën me mijëra boshnjakë që përpiqeshin të arratiseshin dhe pikërisht atëherë ndodhi që Aliç shkoi të mbushte ujë dhe takoi Mlladiçin. Pas kësaj, Aliqi e kaloi pjesën e mbetur në luftës në një qendër refugjatësh në Tuzëll dhe pastaj u kthye në Prohiq ku jeton edhe sot. Babai dhe kushëriri i tij nuk i mbijetuan dot gjenocidit për të cilin Mlladiç akuzohet sot.

“Nuk e di se ku dhe si u vranë. Babanë dhe xhaxhanë i varrosa menjëherë pas luftës. Ata u gjetën në Kamenica, pranë Zvornikut. Kushëriri im s’u gjet kurrë,” tha Aliqi.

Ai tha se sot mendon për Mlladiqin e atyre ditëve dhe pyet veten nëse ish-komandanti ushtarak serb i Bosnjës, i cili tani është në gjyq në Hagë, e mban mend atë.

“Shpesh pyes veten për këtë kur e shoh në Hagë. Pyes veten nëse ai e dinte që të gjithë ata burra do të vriteshin. Babai dhe xhaxhai im, të gjithë ata…” tha ai.

Mlladiqi akuzohet si përgjegjës për gjenocidin në Srebrenicë dhe krime të tjera lufte. Vendimi pritet të merret në nëntor.

“Çfarë ndiej për të? Asgjë. Thjesht jam i lumtur që e kanë arrestuar dhe që ka dalë në gjyq”, përfundoi Aliq. “Ai duhet të përgjigjet për çdo gjë që bëri në Srebrenicë”! /Erna Maçkiq/BIRN/

Në trend Botë

Më shumë
Një nga qytetet më të mëdha në botë po fundoset - do të shpenzohen 35 miliardë dollarë për ndërtimin e një kryeqyteti të ri

Një nga qytetet më të mëdha në botë po fundoset - do të shpenzohen 35 miliardë dollarë për ndërtimin e një kryeqyteti të ri

Botë
Rikthimi i Vulinit në qeverinë e Serbisë, analistët në Beograd: Provokim i drejtpërdrejtë ndaj SHBA-së

Rikthimi i Vulinit në qeverinë e Serbisë, analistët në Beograd: Provokim i drejtpërdrejtë ndaj SHBA-së

Serbia
Ukrainasit shkatërrojnë dy sisteme të mbrojtjes kundërajrore të rusëve – i goditën me dronët kamikaz

Ukrainasit shkatërrojnë dy sisteme të mbrojtjes kundërajrore të rusëve – i goditën me dronët kamikaz

Evropa
Problemi i karburantit i Putinit, si Ukraina po ia pakëson naftën dhe benzinën e Rusisë?

Problemi i karburantit i Putinit, si Ukraina po ia pakëson naftën dhe benzinën e Rusisë?

Evropa
Rusia humb kontrollin e ishullit kyç

Rusia humb kontrollin e ishullit kyç

Botë
Vuçiq humb kontrollin gjatë konferencës, analisten amerikane Ivana Stradner e quan të çmendur

Vuçiq humb kontrollin gjatë konferencës, analisten amerikane Ivana Stradner e quan të çmendur

Serbia
Kalo në kategori