Paris Saint-Germain ka shënuar një tjetër fitore në betejën ligjore me Kylian Mbappe, pasi gjykata ka refuzuar apelimin e paraqitur nga avokatët e futbollistit lidhur me sekuestrimin e llogarive bankare të klubit, raporton Mundo Deportivo.

Gjykata franceze e punës pritet ende të japë vendimin përfundimtar lidhur me padinë në vlerë prej 55 milionë eurosh, të ngritur nga përfaqësuesit ligjorë të Mbappe kundër PSG-së. Sulmuesi francez këmbëngul se nuk ka pranuar kurrë të heqë dorë nga një pjesë e kontratës së tij për t’u larguar nga klubi si lojtar i lirë.


Nga ana tjetër, PSG argumenton se shuma në fjalë është mbajtur mbi bazën e fjalës së vetë Mbappe, pavarësisht se nuk ka ekzistuar asnjë marrëveshje formale me shkrim mes palëve. Klubi thekson se marrëveshja ka qenë verbale dhe se veprimet janë ndërmarrë në mirëbesim.

Në muajin maj, Paris Saint-Germain arriti të rrëzojë vendimin për ngrirjen e 55 milionë eurove në llogaritë e tij, një masë e vendosur fillimisht nga gjykata, por që më pas u anulua. Ky vendim u apelua nga pala e Mbappe, megjithatë pa sukses.

Këtë javë, Gjykata e Apelit e hodhi sërish poshtë apelimin, duke urdhëruar avokatët e Kylian Mbappe të paguajnë shpenzimet gjyqësore, si dhe një shumë prej 3 mijë eurosh në favor të PSG-së.

Avokati i klubit parisien, Renaud Semerdjian reagoi pas vendimit, duke theksuar se gjykatat kanë qenë të qarta në vlerësimin e çështjes.

“Gjykatat kanë konfirmuar për herë të dytë mungesën e bazës ligjore në pretendimet e Kylian Mbappe”, deklaroi Semerdjian.

Çështja mbetet ende e hapur sa i përket vendimit final për padinë prej 55 milionë eurosh, por për momentin PSG duket se po del fituese në çdo raund të kësaj sage juridike./Telegrafi

telegrafi sport app