Siç njofton Prokuroria e Tiranës, 6 persona janë dërguar në gjyq për veprat penale të falsifikimit të dokumenteve dhe ndihmës për kalim të paligjshëm të kufijve, pas hetimeve që zbuluan një rrjet që organizonte largimin e shqiptarëve drejt SHBA-ve dhe Kanadasë me dokumente të falsifikuara, kundrejt pagesës prej 35 mijë eurosh.

Sipas Prokurorisë, shtetasi H.M., i hetuar më parë për kontrabandë njerëzore, ka organizuar këtë aktivitet duke përdorur rrugë nga Shqipëria dhe Europa drejt Karaibeve, dhe prej aty me dokumente false drejt SHBA-ve dhe Kanadasë. Ai ka pajisur disa shtetas me pasaporta dhe letërnjoftime të falsifikuara.


Hetimet zbuluan gjithashtu rolin e bashkëshortes së tij L.M., vëllait A.P., shoferit C.N., punonjëses së një agjencie turistike E.N. dhe A.M., të cilët kanë ndihmuar në prodhimin dhe shpërndarjen e dokumenteve false.

Gjithashtu, H.M. ka përdorur telefonët për të komunikuar nga burgu duke shkelur rregullat e paraburgimit.

Personat e dërguar në gjyq janë:

H.M., akuzuar për falsifikim dokumentesh, ndihmë për kalim të paligjshëm dhe shkelje të rregullave të paraburgimit.

L.M., akuzuar për falsifikim dokumentesh dhe ndihmë për kalim të paligjshëm.

A.P., akuzuar për falsifikim dokumentesh dhe ndihmë për kalim të paligjshëm.

C.N., akuzuar për falsifikim dokumentesh.

A.M., akuzuar për ndihmë për kalim të paligjshëm.

E.N., akuzuar për ndihmë për kalim të paligjshëm.

Prokuroria ka mbledhur prova të shumta, përfshirë interceptime telefonike dhe dokumente, që vërtetojnë përfshirjen e tyre në këtë aktivitet kriminal./Tv Klan