Kjo bëhet e ditur nga zyra e kryeprokurorit të shtetit, pas interesimit të Top Channel për rastet e kësaj natyre. Thuhet se deri më 31 mars të këtij vitit, Prokuroria Speciale ka pasur në punë gjithsej 10 raste të terrorizmit me 22 persona të përfshirë.

Ndërsa, gjatë tremujorit të dytë, prill-qershor, janë dorëzuar edhe tri kallëzime penale me 13 persona për vepra penale të terrorizmit, çka do të thotë se në punë deri në fund të qershorit kanë qenë 13 raste me 35 persona.


“Prej tyre, për 34 persona është nxjerrë vendimi për fillimin e hetimeve dhe për dy persona është ngritur aktakuzë pas procedurës hetimore”, thuhet në përgjigjen e zyrës së kryeprokurorit.

Top Channel ka mësuar se nga Kryeprokuroria është kërkuar krijimi i një grupi të veçantë hetuesish të cilët do të punonin vetëm me rastet e terrorizmit. Por, kjo siç duket nuk ka ndodhur.

Sipas zyrës së institucionit të akuzës, në Prokurorinë Speciale nuk ka departament të veçantë për terrorizëm dhe as prokuror të veçantë, të cilët i trajtojnë vetëm këto raste. Në këtë organ punojnë prokurorë nga misioni i EULEX-it si dhe dhjetë prokurorë vendas. /Top Channel/