LAJMI I FUNDIT:

22 vjet nga Masakra e Dubravës, Telegrafi ju sjell rrëfimet e ish-burgosurve politik

22 vjet nga Masakra e Dubravës, Telegrafi ju sjell rrëfimet e ish-burgosurve politik
Foto: Ridvan Slivova

Në Burgun e Dubravës 22 vjet më parë është kryer njëra nga masakrat më të mëdha kundër shqiptarëve të Kosovës nga ana e regjimit të Sllobodan Millosheviqit. Masakra në Burgun në Dubravë është kryer prej datës 19 deri më 24 maj 1999, ku janë vrarë 160 të burgosur shqiptarë dhe janë plagosur mbi 300 të tjerë.

Për këtë ngjarje Telegrafi në vazhdimësi ka publikuar rrëfime të ndryshme të të ish burgosurve politikë të cilët i përjetuan ditët e tmerrit në këtë masakër.

Njëri ndër ta është dhe Bislim Zogaj, i cili kishte thënë për Telegrafin se  skenari i përgatitur nga ana shtetërore e Serbisë kishte një qëllim makabër: vrasjen e të burgosurve politikë dhe akuzimin e forcave të NATO-s se ata kryen krime ndaj të burgosurve shqiptarë.


Bislim Zogaj /Foto: Ridvan Slivova
Masakra e Dubravës dhe sakrifica për të plagosurit: Shpëtimtari, Bislim Zogaj (Foto)
Lexo po ashtu Masakra e Dubravës dhe sakrifica për të plagosurit: Shpëtimtari, Bislim Zogaj (Foto)

“Kam qenë në pavijonin B. Ishim 43 të burgosur politikë. Ishin edhe ca të burgosur të lirë të vendosur në një tjetër pavijon. Në mesin e tyre ishte edhe Istref Hasani. Ata kishin transistor dhe dy herë kemi arritur që të informohemi për situatën në Kosovë përmes tyre. Metoda e arritjes deri tek informacioni ishte përmes bukës. Istrefi i shkruante informacionet në letër dhe i vendoste në mes të bukës. Një i burgosur, i cili e sillte ushqimin, na e bënte me dije se në bukë ka diçka. Lajmëtari njëherë i drejtuar Avni Klinakut dhe herën tjetër Nait Hasanit”.

Edhe pse informacionet ishin të zbehta dhe jo me përmbajtje të madhe, për ta ishin lajme motivuese dhe domethënëse: lufta po vazhdon, shpresa nuk ka humbur!’, thoshte Zogaj.

Një tjetër ish i burgosur është edhe Avni Klinaku i cili ka thënë se dita e 19 majit ishte ai çast kur forcat serbe i kanë bërë shqiptarët ‘mish për top’ për bombat e NATO-s.

Masakra e Dubravës (2): Na bënë mish për top (Foto)
Lexo po ashtu Masakra e Dubravës (2): Na bënë mish për top (Foto)

“Më 19 maj, në orën 10:00 të mëngjesit, NATO ka bombarduar për herë të parë në burgun e Dubravës. Dubrava është një prej masakrave më të mëdha që ka ndodhur në Kosovë, sidomos kur njerëzit kanë qenë duarlidhur dhe nuk kanë pasë në asnjë mënyrë mundësinë e mbrojtjes. Na kanë bërë mish për top për bombat e NATO-së. Fillimisht, ata kanë goditur pavijonin C, ku kanë qenë të burgosurit e izoluar. Kanë mbetur të vrarë Enver Topalli, Abdullah Tahiri e Gjokë Ndrecaj. Ndërmjet pavijonit C dhe B, ishte pavijoni i zbrazët i cili u godit pas 10 minutave. E, pas kësaj, logjikisht prisnim goditjen e pavijonit B, ku kam qenë unë. Në ato momente askush s’ka qenë i qetë. Kemi mësyrë dyert e burgut me ndihmën e të burgosurve të pavijonit A. Ndihmën më të madhe e ka dhënë Istref Hasani (i burgosur për vrasje). I kemi hapur dyert për të dalë në oborr. Çuditërisht, pavijoni B nuk është sulmuar atë ditë. Kemi dhënë ndihmën tonë ashtu si kemi mundur. Ai që më shumë e ka organizuar ndihmën në aspektin mjekësor, ka qenë Bislim Zogaj”.

Avni Klinaku /Foto: Ridvan: Slivova

Klinaku ishte shprehur se tmerri i vërtetë ishte kur në mëngjesin e datës 22 maj, kishin ardhur forcat serbe për t’i ekzekutuar.

Rrëfimin e njëjtë për Telegrafin e ka treguar edhe ish i burgosuri politikë, Raif Qela i cili në regjimin serb është burgosur për afro 15 vite për veprimtarinë e tij patriotike.

Raif Qela

Qela tha se gjithçka ndodhi ashtu siç serbët e kishin planifikuar “NATO bombardon burgun, serbët kryejnë krimet makabre”.

“Serbia ka ditur shumë mirë se çfarë është duke bërë, ndaj e ka përgatitur një skenar të tmerrshëm”, thoshte Qela.

Këtë tmerr e ka përjetuar edhe Liburn Aliu, që atëherë ishte vetëm 24 vjeç. 19 maji ishte dita kur filluan bombardimet e para të NATO-s. Ishte ky fillimi i masakrave serbe ndaj të burgosurve të pambrojtur shqiptarë.

Liburn Aliu /Foto: Ridvan Slivova

“Sulmi i parë i NATO-s ka ndodhur diku në mesditë. Kam qenë në pavijonin B. Përnjëherë e kanë goditur pavijonin C, me të burgosur brenda. Nuk vonoi asnjë minutë dhe u bombardua kuzhina. Iu thashë të burgosurve që të mos rrinë tek grilat. Fati deshi të mos goditemi. Gardianët ishin të gjithë jashtë, në momentin që bombardonte NATO. Pas bombardimeve, u qetësuam”.

Liburn Aliu, i mbijetuari i Masakrës së Dubravës: E lypnim vdekjen, veç të gjallë të mos biem në duar të serbëve
Lexo po ashtu Liburn Aliu, i mbijetuari i Masakrës së Dubravës: E lypnim vdekjen, veç të gjallë të mos biem në duar të serbëve

Mirëpo Aliu thoshte se pas bombardimeve të NATO-s, gardianët serb kishin një plan tjetër për të burgosurit shqiptarë “ekzekutimin e tërësishëm”.

Rrëfimet e të burgosurve për Masakrën e Dubravës të cilat janë plot trishtim, e ka lënë edhe ish të burgosurit Nexhdet Syla me pasoja në tërë trupin e tij.

Nexhdet Syla, copat e granatës në trupin e tij

Syla për Telegrafin pati thënë se objekti i parë që ka bombarduar NATO ishte pavijoni C, aty ku ishte edhe vet ai.

“Komplet tavani i betonit u shndërrua në zhavorr. Një pjesë e tavanit të betonit i ra në shpinë Mehmet Ademajt. Aq shumë ishte bërë pluhur, sa që njëri-tjetrin nuk e shihnim. Vetëm me zë u merrnim vesh. Me ndihmën e të burgosurve të tjerë të lirë, kemi thyer derën e dhomës. Ka pasur të vrarë dhe të lënduar. Personeli i burgut, kur ka bombarduar NATO, ka qenë brenda në objekt. Më pas ata ikën për t’u kthyer kur ndaluan bombardimet. Të lënduarve u kemi dhënë ndihmë, ashtu si kemi mundur”.

Nexhdet Syla /Foto: Ridvan Slivova

Bombardimi i dytë filloi pas dy ditësh. Përderisa gjatë bombardimit të parë u vranë tre persona, këtë herë numri i tyre, më 21 maj, u katërfishua.

Por, edhe këtë herë ai mbijetoi. Plagët më të madh i ka marrë një ditë më pas, më 22 maj.

Masakra e Dubravës (5): Të gjithë prisnim... vdekjen! (Foto)
Lexo po ashtu Masakra e Dubravës (5): Të gjithë prisnim... vdekjen! (Foto)

“Të nesërmen, në pesë të mëngjesit, një gardianë nga karakolli na ka thënë që të rreshtohemi për dy apo për katër, në mënyrë që të na numëronin për të na tërhequr nga aty. U çuam. Ishim afër 1000 veta. Ende nuk ishim rreshtuar si duhej, kur ka filluar sulmi me lloj-lloj arsenali mbi trupat tanë: minahedhës, kallashnikovë, snajperë… Ka pas të vrarë dhe shumë të plagosur. Unë jam dëmtuar në shpinë, në shpatull në anën e djathtë, si dhe në këmbë me copa të granatave. Nuk e di se si kam mundur të largohem nga aty. Vetëm fuqia e Zotit më ka ndihmuar. Kam shkuar tek shokët, në një strehimore në korridor ku më humbi vetëdija. Shokët më kanë dhënë ndihmën e parë: më dhanë ujë dhe më pastruan plagën. Gjatë atij tmerri, në burg nuk e kam menduar që do të dalim gjallë. Mirëpo, Agron Tolaj dhe Nait Hasani janë marrë me ne duke na dhënë kurajo që ta mbanim veten e mos të bënim ndonjë gjë”, tregonte për Telegrafin, Syla.

Edhe Shaban Beka, i burgosur nën akuzën për veprimtari armiqësore kundër shtetit jugosllav, e që vuante dënimin në burgun e Sremit, kishte rrëfyer tragjedinë e ndodhur pas transferit të tij në burgun e Dubravës.

Masakra e Dubravës (4): Të rrethuar nga vdekja
Lexo po ashtu Masakra e Dubravës (4): Të rrethuar nga vdekja

Një rrëfim tjetër të vuajtjeve dhe tmerreve kishte përjetuar edhe Isak Shabani i cili ishte arrestuar më 7 shkurt 1997, si pjesëtar i UÇK-së, në grupin me Nait Hasanin e të tjerët.

Isak Shabani /Foto: Ridvan Slivova

Shabani thoshte se ishte pikërisht 19 maji ku do të forcat e NATO-s bombarduan burgun e Dubravës, duke lënë tre të vdekur e shumë të lënduar.

“Bombardimi i parë i NATO-së ka qenë më 19 maj, mbi pavijonin C. Disa paramilitarë të veshur me uniforma, menjëherë kanë ikur. Më vonë e kanë bombarduar edhe pavijonin e zbrazët – në mes të pavijonit C dhe pavijonit B. Ndërkohë, disa persona të burgosur të tipit të lirë kanë ardhur dhe i kanë thyer grilat e burgut, me mjetet rrethanore që kanë pasur. Dy ditë ka bombarduar NATO, më 19 dhe 21 maj. Unë kam qenë në pavijonin B. Nga bombardimet e NATO-së vdiqën 25 deri në 30 të burgosur. Njërin të plagosur e kemi marrë dhe e kemi vendosur në një dyshek që ta ndihmonim. Por, vetëm kur pamë që të plagosurit i ra një pjesë e raketës dhe ia këputi kokën”.

Masakra e Dubravës (3): Krim institucional i Serbisë (Foto/Video, +18)
Lexo po ashtu Masakra e Dubravës (3): Krim institucional i Serbisë (Foto/Video, +18)

Kur kanë dalë të burgosurit para ndërtesave të burgjeve, qëllimi ka qenë që të shihen rastësisht nga NATO që aty ka të burgosur.

“Pasi bombardimi u krye, menjëherë kemi menduar qysh me u dalë në ndihmë të plagosurve. Është një moment që s’do ta harroj asnjëherë: njëri e kishte këmbën e hequr dhe ka kërkuar ndihmë nga ne duke na thënë: ‘Mos na leni vet’. E ne nuk kishim si t’i ndihmonim”.

Edhe Maki Begolli si 22-vjeçar përjetoi Masakrën e tmerrshme në Burgun e Dubravës. Pasojat e tmerrit që pushteti serb ua shkaktoi shqiptarëve, i vuan ende me trupin e tij.

“Isha duke luajtur shah me Fejzën e Runikut. Është gjuajtur bomba e parë në pavijonin C. Aty mbetën tre të vrarë dhe disa të tjerë të plagosur. Ndër të parët kam shkuar me Blerim Krasniqin dhe Arsim Kullashin për të dhënë ndihmë. I kemi thyer dyert e hekurit, që në kushte normale nuk mund të thyhen. Në mesin e të plagosurve e kam tërhequr Gazmend Zekën, ushtar i UÇK-së. Gardianët kanë dalë jashtë. Brenda kemi mbetur veç ne”, ka thënë ai.

Maki Begolli

Ajo ditë ishte sfiduese. Begolli me të tjerët janë kujdesuar për të plagosurit, duke u munduar të gjejnë ushqim për ta.

“Më datën 21 më ka ardhur informacioni që në pavijonin e pranimit janë disa të burgosur gjakovarë që nuk duan të dalin jashtë. Kam shkuar me Blerim Krasniqin, diku rreth orës 20:00 të mbrëmjes. Me vete kam pasur disa bukë, sepse e kemi thyer furrën. Kërcita në derën, mirëpo nuk e hapnin. Më thanë : ‘Nuk guxojmë, ju jeni spiunë. Kështu na kanë thënë gardianët’. Ndërkohë e kam hapur dritaren e bodrumit. Aty më ka parë Yll Kusari dhe Mithat Guda. Në njohën. Në atë moment, prej karakollit më kanë gjuajtur me kallash. Fal zotit që kemi qenë të stërvitur dhe kemi shpëtuar. Hymë brenda. Aty e pash edhe dajën tim”, tregonte ai një nga momentet e errëta të Dubravës.

Të gjithë të burgosurit ishin të frikësuar nga gjendja në të cilën ndodheshin. E, në momentin që të burgosurit kanë dalë nga pavijoni i pranimit, ka bombarduar sërish NATO.

“Labinot Guda, Burim Kryeziu e Hasan Hoda u plagosën. Kemi ikur secili që të shpëtojmë. Pastaj u kthyem që të japim ndihmë. Ka qenë rëndë i plagosur Mujë Tafilaj, nga Komuna e Klinës. Ai e ka pasur arterien kryesore të dëmtuar. Ia kemi ndal disi gjakun”, tha ai, duke shtuar se kur e kanë dërguar Tafilajn në spital, atë e kanë mbytur motrat medicinale.

Maki Begolli, i mbijetuari i Masakrës së Dubravës: Kujtimi që të ndjek si mallkim
Lexo po ashtu Maki Begolli, i mbijetuari i Masakrës së Dubravës: Kujtimi që të ndjek si mallkim

Bombardimet zgjatën tërë ditën. Të nesërmen, të gjithë të burgosurit nga frika kanë qëndruar jashtë.

“Thirrën nga karakolli për t’u bërë rresht, se donin gjoja të na numëronin. Sapo jemi rreshtuar, kanë gjuajtur me të gjitha llojet e armëve. Kam filluar të vrapoj. Në atë moment ka mbetur i plagosur Nazmi Shala, të cilin e kam tërheq. Në dorë ma vranë. E kam qit në një pjerrtësi. Kur e pash që s’ka shenja jete, ia kam mbuluar fytyrën, ia këndova një dua dhe vazhdova”, rrëfen Begolli, përderisa në sytë e tij edhe sot shihet tmerri që ka përjetuar.

Të gjithë të burgosurit filluan të organizoheshin për t’u përkujdesur ndaj të plagosurve, por edhe ndaj të tjerëve.

“Na kanë ndihmuar shumë Sheremet Ahmeti, Avni Klinaku, Nait Hasani, Bislim Zogaj etj. Jemi nda secili për të dhënë kontributin e vet. Disa nga traumat kanë bërë vetëvrasje”, thotë ai, duke treguar një rast të tillë. “Isha me dajën tim, Afrim Cakën, ku njëri (nuk më kujtohet emri) ka qenë i plagosur. Ai kërkoi që unë të qëlloja mbi të pasi isha shqiptar, meqë nuk donte që ta vrisnin serbët. Mirëpo, daja më ndaloi duke më thënë: ‘Nuk je ti nga ta’. Nuk e bëra atë që kërkoi. Kur kemi dal, atë e kanë vra”, thoshte Begolli.

Sali Bytyçi për herë të dytë arrestohet në maj të vitit 1998. Profesori i Gjimnazit të Rahovecit, ndërpret punën e tij për t’ju bashkuar forcave të UÇK-së. Ai do të bie në pritë të forcave serbe në Gexhë dhe do të dënohet me pesë vite burg. Menjëherë pas arrestimit, Bytyçi do të jetë viktimë e maltretimeve të mëdha e të vazhdueshme fizike e psikike. Ai e përjetoi dhe mbijetoi një nga momentet më të rënda të historisë së fundit të shqiptarëve – masakrën e Dubravës.

Sali Bytyçi

Pas arritjes në “destinacion”, në burgun e Dubravës, të burgosurit që në fillim u “mirëpritën” me dajak. Por, përkundër kësaj dhune, atë që e mbante të fortë Bytyçin ishte sërish qëndrimi në vendin e tij.

Masakra e Dubravës (1): Krimi që nuk duhet të harrohet (Foto ekskluzive)
Lexo po ashtu Masakra e Dubravës (1): Krimi që nuk duhet të harrohet (Foto ekskluzive)

“Na dhanë dajak që përfundoi tek kur u lodhën policët dhe gardianët serbë. Pas gjysmë ore, pasi u vendosëm në pavijon, e kuptuam se ishim në Dubravë, pra në Kosovë e jo në Serbi. Kisha dhembje të madhe në gjoks, sepse më kishin goditur rënd me këpucë, por fakti se ishim në vendin tonë sikur më jepte forcë për të përballuar dhimbjen. Po të njëjtën ditë me ne i kishin sjellë këtu edhe të burgosurit nga burgu i Mitrovicës së Sremit dhe ai i Nishit. Shumica prej tyre e kishin nga një fashë në fytyrë apo në kokë, pasi një kamion ushtarak, një ditë më parë në Carrallukë, u kishte dalë para dhe avionët e kishin goditur. Ushtarët serbë nëpër autobusë, që t’i vrisnin, por përgjegjësi u ishte lutur duke thënë se ishin nën përgjegjësinë e tij. Në shenjë hakmarrjeje, ushtarët të burgosurve ua kishin bërë nga një prerje në fytyrë dhe në kokë”.

Ai pati thënë se sistemimi i të burgosurve në burgun e Dubravës, gjatë kohës së bombardimeve, hynte në skenarin morbid serb për t’i eliminuar të burgosurit politikë shqiptarë.

Më 16 maj, ditë e diel, “u lëshua” nga burgu i Dubravës Ukshin Hoti. Tri ditë më vonë, më 19 maj pasdite, aeroplanët e NATO-s bombarduan së pari pavijonin C, pas pak edhe pavijonin e dytë me radhë i cili ishte i zbrazur. Me këtë rast, në pavijonin C mbetën të vrarë tre veta (Enver Topalli, Abdullah Tahiri e Gjokë Ndrecaj), ndërsa disa të tjerë u plagosën.

“Nga frika se do të vinin prapë aeroplanët dhe do të bombardonin edhe pavijonin e tretë në vazhdim, B-në, ku isha edhe unë, të burgosurit u ngritën dhe me ndihmën edhe të të burgosurve nga pavijoni A, që ishin të lirë në hapësirat e burgut (në mesin e të cilëve dallohej një i burgosur me ngjyrë, të cilit i rridhnin djersët çurg, ngase u mëshonte hekurave sa të mundte me kazmë), i thyen dyert e burgut dhe dolëm në oborr. Në momentin sa po dilnim, Sherifi (Ilazi) më tha: ‘Tashti në mal, a?’. I thashë mos të tentonte, se nuk kishte shpëtim. Pasi kaloi vala e bombardimeve, me urdhër të gardianëve të armatosur, në mesin e të cilëve tani hynë edhe të burgosur ordinerë serbë, u kthyem në pavijone. Prej këtij momenti, pasi njëherë hanim në Kuzhinë, racionin e dytë – buka pa asgjë – na jepej me vete”.

Bytyçi rrëfente se në bombardimin e dytë të NATO-s, viktimat u shtuan në numër.

Ndërsa, datën 22 maj ai e përshkruante si “ Dita e masakrës në burgun e Dubravës, gjendje tmerri, frike, por edhe force”.

Edhe ish i burgosuri politik si dhe pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) që nga dita e parë e fillimit të luftimeve – i plagosur në vijën e frontit në Loxhë të Pejës – ku kishte marr shtatë plagë në trup, Naim Lushi nga Qyshku i Pejës në një rrëfim për Telegrafin ka treguar përjetimin e tmerrshëm në Burgun e Dubravës.

Naim Lushi

Lushi tregoi se pranë portës së Dubravës gjetën “mikpritjen” e zakonshme, “vetëm se me një ‘bujari’ më të madhe dhune”.

Mirëpo, “tuneli i gjallë”,  ishte ndërtuar në atë mënyrë që nga të dyja anët qëndronin gardianë e policë serbë, të pajisur me armë e mjete të forta të lloj-llojshme, me të cilat i godisnin derisa të burgosurit shqiptarë kalonin përmes tij.

Lushin e kanë nxjerr shpesh nga qelia për ta torturuar, të cilit i thoshin: ”A e di se sa nëna serbe ka mbetur duke qarë për shkak tëndin”.

Mirëpo, kjo fjali për Lushin edhe pse i dërmuar ishte si t’i jepnin një medalje.

Lushi tha se zhurma e avionëve dhe bombat që u binin përreth burgut trazuan edhe njëherë tmerrin dhe shpresën e tyre.

Në fillim siç tha ai, dy bomba bombarduan pavijonin C dhe të burgosurit ishin të tmerruar.

Të burgosurit edhe pse të lodhur, pa ushqim e të stërmunduar nga torturat që i përjetonin, me aq forcë sa ju kishte mbetur u përpoqën që të hapnin dyert e burgjeve.

Të burgosurit shqiptarë arritën të dilnin jashtë në oborr, dhe Lushi thotë se për pak minuta u rrethuan nga forca të armatosura të policëve dhe paramilitarëve serb.

Lushi tha gardianët serbë u thanë të qëndronin aty dhe të mos dilnin jashtë burgut, pasi do të vriteshin pa paralajmërim.

Masakra e Dubravës, rrëfimi i Naim Lushit nga Peja: Unë qëndroja i shtrirë, njerëzit e vrarë mbi mua
Lexo po ashtu Masakra e Dubravës, rrëfimi i Naim Lushit nga Peja: Unë qëndroja i shtrirë, njerëzit e vrarë mbi mua

“Zatën këtë e dinim edhe ne vet, por edhe po të donim ishte e pamundur ta kalonim gjithë atë murë të lartë, aq më tepër që shumë nga ne mezi lëviznim nga lodhja e mundimi i tepërt. Vendosëm të qëndrojmë së bashku, me njëri-tjetrin dhe për njëri-tjetrin deri në fundin e përbashkët. Natën e kaluam në qiell të hapur, pa ushqim e pa përkujdesje mjekësore e cila për pothuajse secilin ishte e nevojshme. Bislim Zogaj ishte ndër të paktët që kuptonte pak a shumë nga mjekësia, pasi me profesion ishte radiolog, ndaj mori përsipër detyrën e përkujdesjes ndonëse nuk kishte asnjë pajisje që do të ja mundësonte atë. Së paku moralisht i ndihmonte secilit në nevojë. Të nesërmen u futem në spitalin e burgut ku morëm gjithçka që mund të na duhej për ndihmë mjekësore. Në të vërtetë, gjithçka që kishte. E ndjenim që më e keqja akoma nuk ka ardhur”, tha ai.

Mëngjesin e 21 Majit të vitit 1999, Lushi tregoi se filluan sërish bombardimet e NATO-s, arsyen e së cilës nuk e dinin. Por atë e mësuan më vonë.

Mundësia për t’ju treguar forcave të NATO-s se nuk janë ata cak i tyre, dhe se janë viktimë e kurthit të pushtetit serb, ata me disa llampa të neonit të cilat i gjetën në pavijonet e burgjeve, i dhanë një sinjal avionëve të NATO-s.

Lushi tha se veprimi i tyre doli i suksesshëm pasi drejtimi i bombardimeve mori kahje tjetër.

Mirëpo, siç tha ai nga ky moment filloi ekzekutimi i të burgosurve nga gardianët serb.

Prapa grilave dhe gjembave të Dubravës: Vendi ku numërohet çdo ditë e çdo moment (Foto)
Lexo po ashtu Prapa grilave dhe gjembave të Dubravës: Vendi ku numërohet çdo ditë e çdo moment (Foto)

…Tregimet për Dubravën janë identike, por dallojnë vetëm në tonet që u japin dramat individuale… /Telegrafi/ 

Skica e burgut të Dubravës

Në trend Lajme

Më shumë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Politikë
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost

“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin

Lajme
Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Lajme
Analistët komentojnë adresimin e presidentes Osmani në Kuvend

Analistët komentojnë adresimin e presidentes Osmani në Kuvend

Lajme
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Kronika e Zezë
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve

Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve

Drejtësi
Kalo në kategori