LAJMI I FUNDIT:

1 miliard e 400 milionë euro borxh imagjinar i Serbisë

1 miliard e 400 milionë euro borxh imagjinar i Serbisë

Deklaratave të kryeministrit të Serbisë, Aleksandër Vuçiqit, se në bisedimet në mes të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel do të insistojë që autoritetet e Kosovës të mos e miratojnë ndonjë ligj nëpërmjet të cilit “Trepça” do të shndërrohej në ndërmarrje publike, u janë kundërpërgjigjur drejtori i ndërmarrjes “Trepça”, Ahmet Tmava dhe njohës të fushës ekonomike në vend.

Ata kanë thënë për gazetën “Epoka e re” se për ndërmarrjen “Trepça” pyetën autoritetet e Kosovës, e jo Vuçiqi. Ata kanë apeluar që sa më shpejt të zgjidhet çështja e statusit të “Trepçës” dhe të hyjë në fuqi zbatimi i ligjit për këtë gjigant ekonomik. Ndërsa sa i përket borxhit për të cilin pretendon Serbia, ata janë shprehur se ky është një borxh imagjinar. Madje, sipas tyre, Serbia ka marrë fonde kinse për zhvillim të “Trepçës”, ndërkaq e ka përdorur për qëllime ushtarake.

Drejtori i ndërmarrjes “Trepça”, Ahmet Tmava, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se Kosova është shtet i pavarur, kryeministër i Kosovës është Isa Mustafa dhe Kuvendi i Kosovës vendos për çdo gjë. “Ne s’na intereson Serbia, pasi po të pyetej ajo, ne do të ishim ende siç kemi qenë”, ka thënë Tmava.


Ai ka bërë me dije se të dielën është zhvilluar një takim konsultativ për çështjen e statusit të “Trepçë”-s. “Mendoj se ne duhet të merremi më shumë me obligimet që na takojnë si shtet. Ne sot (e diel) e kemi një takim konsultativ dhe po mendojmë që nga nesër të fillojë procedura për status të ‘Trepçë’-s. Pres që në këtë takim të konkretizohen hapat konkretë dhe të mblidhet grupi ndërministror për përpunim të Ligjit në mënyrë që i njëjti të procedohet sa më parë në Kuvend. Unë po pres që deri në qershor më së largu të aprovohet Ligji për ‘Trepçë’-n”, ka thënë Tmava.

Anëtari i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, Raif Qela, ka thënë se “Trepça” ka potencial të madh që të bëhet ndër shtyllat kryesore të zhvillimit ekonomik të Kosovës prandaj, sipas tij, Ligji për “Trepçë”-n duhet të nxirret brenda afatit ligjor të përcaktuar. “Ligji për ‘Trepçë’-n duhet të bëhet pavarësisht presioneve eventuale që mund të vijnë nga Serbia apo qarqet dhe lobet e caktuara brenda dhe jashtë Kosovës, që synojnë ta bëjnë pasurinë e Kosovës ‘rrush e kumbulla’! Kombinati ‘Trepça’ ka potencial të madh të bëhet ndër shtyllat kryesore të zhvillimit ekonomik të Kosovës. Ligji për ‘Trepçë’-n duhet të nxirret brenda afatit ligjor të përcaktuar”, ka thënë Qela për gazetën “Epoka e re”.

Ndërkaq sa iu përket deklaratave të kryeministrit serb Aleksandër Vuçiq, Qela ka thënë se deklarimet e fundit të kryeministrit serb flasin edhe një herë se përse Kosova ka qenë aq gjatë nën sundimin kolonial të Serbisë dhe përse Kosova vazhdon të pretendohet ende nga Serbia.

“Nuk kanë qenë kishat serbe ato për të cilat Serbia ka thënë se Kosova është zemra e Serbisë, por kanë qenë pasuritë natyrore ato që Kosovën e kanë mbajtur në sundimin serb dhe vazhdojnë ende ta mbajnë të gjallë synimin për mbetjen e rrënjëve kolonialiste në Kosovë”, është shprehur ai, duke shtuar se institucionet e

Kosovës duhet të jenë të përgjegjshme dhe të vendosura sa i përket çështjes së “Trepçë”-s.
Sipas tij, nëse deri më 2 nëntor nuk zgjidhet kjo çështje, atëherë Qeveria e Kosovës duhet të japë dorëheqje. “Ligji mbi ‘Trepçë’-n duhet të bëhet brenda afatit kohor të përcaktuar. Nëse kjo çështje mbetet zvarrë dhe nëse nuk nxirret Ligji për ‘Trepçë’-n deri më 2 nëntorit, kur rrezikon të shkohet me automatizëm në likuidim, pra nëse nuk nxirret prej këtij ingranazhi në të cilin është futur padrejtësisht dhe nëse s’e nxjerrin nga administrimi i tanishëm i AKP-së, kjo Qeveri dhe të gjitha institucionet përgjegjëse duhet t’i bëjnë gati biletat për të shkuar në shtëpi, sepse institucione të papërgjegjshme nuk i nevojitën vendit”, ka deklaruar Qela.

Ai është shprehur i bindur se borxhin, të cilin e pretendon Serbia, s’është as përafërsisht i vërtetë. “Jam i bindur se çështja e borxheve, sadopak qofshin, duhet të shtrohet me seriozitet. Borxhet reale ne duhet t’i pranojmë. Duhet të çojmë mesazh të qartë për këtë çështje. Kosova duhet ta zgjidhë çështjen e borxheve sepse as përafërsisht nuk është ajo që pretendohet. Pretendohet se i ka një miliard e 400 milionë euro borxh, por realisht nuk janë as 100 milionë euro apo jo më shumë se 50 milionë euro borxhe”, ka thënë ai, duke shtuar se Serbia pretendon se ka marrë borxhe kinse për zhvillim ekonomik të “Trepçë”-s por, në fakt, i ka shfrytëzuar ato fonde për qëllime ushtarake.

“Serbia ka përfituar nga ‘Trepça’, duke bërë marrëveshje fiktive e të dyshimta në kohën kur ka qenë nën embargo ndërkombëtare për të fituar fonde për luftë e jo për ta zhvilluar ‘Trepçë’-n. Çështja e borxheve reale, deshëm apo jo ne, duhet të zgjidhet. Kreditorëve realë duhet t’u përgjigjemi. Vetëm kështu mund t’i heqim pengesat për hapjen e rrugës që kombinatit ‘Trepça’ t’i hapet rruga që të bëhet ndër potencialet kryesore të zhvillimit ekonomik të Kosovës”, është shprehur Qela.

Drejtori i Qendrës për Hulumtime Strategjike dhe Sociale, STRAS, Ibrahim Rexhepi, ka thënë se borxhi i pretenduar nga Serbia është imagjinar dhe, sipas tij, Kosova s’duhet të frikësohet. “Çdo borxh real Qeveria duhet ta pranojë dhe pastaj të hyjë në negociata me kreditorë. Duhen gjetur format e pagesës me afate të zgjatura. Larja e borxheve nuk duhet të jetë problem apo të frikësohet dikush prej tyre meqenëse shumat e borxheve të përmendura më shumë janë imagjinare sesa të verifikuara. Ky është një proces që kërkon verifikim dhe borxhi real duhet të pranohet”, ka thënë ai.

Ndërkaq sa iu përket pretendimeve të Vuçiqit, Rexhepi ka thënë se nuk është befasi çfarëdo që deklaron Vuçiqi. “Ai nuk heq dorë nga aspiratat që Serbia ka ndaj Kosovës dhe ndaj pasurisë së saj. Është faktori politik i Kosovës i cili duhet të dijë se si të sillet rreth këtij problemi. Ata duhet me çdo kusht, edhe nëse dështon dialogu, që çështjen e ‘Trepçë’-s mos ta fusin në negociata me Serbinë. ‘Trepça’ është pasuri e Kosovës dhe e tillë duhet të mbetet”, ka thënë ai. /Epoka e Re/Telegrafi/

Në trend Ekonomi

Më shumë

"Mund të shkojë deri në 1 milion dollarë?": Ekspertët tregojnë se çfarë mund të ndodhë, nëse SHBA nën Trump krijon një 'rezervë kombëtare me bitcoin'

Botë
Vite më parë hodhi aksidentalisht në mbeturina hard diskun me Bitcoin, britaniku thotë se tani do të vlen 633 milionë dollarë

Vite më parë hodhi aksidentalisht në mbeturina hard diskun me Bitcoin, britaniku thotë se tani do të vlen 633 milionë dollarë

Botë
Spitali që po thyen tabutë e trajtimit të varësive në Kosovë tani me emër dhe vizion të ri

Spitali që po thyen tabutë e trajtimit të varësive në Kosovë tani me emër dhe vizion të ri

Ekonomi
Këto janë TOP konkurset e kësaj jave

Këto janë TOP konkurset e kësaj jave

Ekonomi
Al Trade feston 25 vite suksese dhe shpërblen besimin tuaj!

Al Trade feston 25 vite suksese dhe shpërblen besimin tuaj!

Ekonomi
Black Friday në AZTECH: Zbritje spektakolare deri në -60%!

Black Friday në AZTECH: Zbritje spektakolare deri në -60%!

Ekonomi
Kalo në kategori