Vetëm një ditë pasi shënoi në finale të FA Cup në ‘Wembley’, Alejandro Garnacho ka edhe diçka më shumë për të festuar.

Argjentinasi ka fituar çmimin ‘Goli më i mirë i sezonit’ në Ligën Premier falë super golit që ka shënuar ndaj Evertonit vitin e kaluar.


Ky gol që tashmë është shpallur më i miri i sezonit, ishte emëruar si goli më i mirë i muajit nëntor, muaj kur ishte zhvilluar ndeshja mes Evertonit dhe Manchester United, që përfundoi me rezultat 3-0 në të mirë të ‘Djajve të Kuq’.

Për të fituar këtë çmim, në garë ishin edhe tre lojtarë të tjerë të Manchester Unitedit, por mund të themi se Garnacho e fitoi me shumë meritë.

Bruno Fernandes ishte në mesin e kandidatëve falë super golit të shënuar me vollej goditje ndaj Burnleyt në muajin tetor, ndërsa pjesë e listës ishin edhe Kobbie Mainoo me golin e shënuar ndaj Wolvesit në muajin shkurt si dhe Marcus Rashford me golin ndaj Manchester Cityt në ‘Etihad Stadium’ gjatë muajit mars.

Goli që kishte shënuar Garnacho ishte pothuajse i ngjashëm me atë që kishte shënuar Wayne Rooney ndaj Manchester Cityt dhe që konsiderohet si goli më i mirë në histori të Ligës Premier./Telegrafi/

telegrafi sport app