Qeveria e Kosovës në mbledhjen e së enjtes ka marrë një sërë vendimesh, ku u miratua edhe propozim vendimi për bartjen e Zyrës për çështjet e kategorive të dala nga lufta nga UÇK-ja në kuadër të Ministrisë për Punë, Familja dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë se bartja e zyrës synon forcimin e përkujdesjes institucionale dhe koordinim të drejtpërdrejtë.


“Duke vlerësuar lartë luftën për liri dhe pavarësi të popullit, për herë të parë vlerat e luftës çlirimtare i kemi vendosur në emërtimin e një ministrie të cilës sot do ia kalojmë një zyrë të rëndësishme. Bartja e zyrës për çështjet e kategorive të dala nga lufta e UÇK-së në kuadër të ministrisë për punë, familje dhe vlera të luftës çlirimtare synon forcimin e përkujdesjes institucionale dhe koordinim më të drejtpërdrejtë të politikave të dala nga lufta”, tha Kurti.

Në këtë mbledhje u miratua edhe shqyrtimi i propozim vendimit për themelimin dhe funksionimin e sistemit për zbatimin e mbështetjes së Bashkimit Evropian për Kosovën përmes instrumentit për reforma dhe rritje ekonomike për Ballkanin Perëndimor.

Kurti emëroi koordinator kombëtarë për instrumentin për reforma dhe rritje ekonomike, këshilltarin e tij politik Jeton Zulfaj, raporton kp.

“Nëpërmjet këtij vendimi vendosim sistemin kombëtar për zbatimin së mbështetjes së BE përmes instrumentit për reforma. Jeton Zulfaj këshilltar politik i kryeministrit, përmes këtij vendimi, emërohet koordinator kombëtarë për instrumentin për reforma dhe rritje ekonomike”, tha Kurti.

Një tjetër miratim ishte edhe zgjatja për tre muaj për mandatin e komisionit për verifikimin e diplomave të lëshuara nga Universiteti i Mitrovicës së Veriut.

Ministri për komunitete dhe kthim, Nenad Rashiq tha se janë verifikuar 220 diploma dhe kanë mbetur edhe 700 të tilla.

Në këtë periudhë që në janar janë kontrolluar 220 diploma që janë dhënë për verifikim ministrisë së arsimit, tani kemi diku 700 diploma që presin për verifikim. Puna e komisionit është shumë me rëndësi”, tha Rashiq.

Disa vendime të tjera që u miratuan në këtë mbledhje ishin edhe kërkesa për Presidenten për dhënien e autorizimit për ministren e drejtësisë për nënshkrimin e marrëveshjes për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështjet penale me Qeverinë e Mbretërisë së Belgjikës, pagesa e 37 specializantëve me vetëfinancim nga Lugina e Preshevës, Mali i Zi dhe Shqipëria.

Po ashtu u ndanë 138 mijë euro nga fondi për promovimin e vendit, për fëmijët e orkestrës “Amadeus” që do të përfaqësojnë Kosovën në Spanjë dhe Çeki. /KP/