Zyra e BE-së në Kosovë me analizë për ekonominë ruse: Po përballet me goditje të thellë nga sanksionet


Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka theksuar se pavarësisht rritjes së çmimeve të naftës si pasojë e tensioneve me Iranin, ekonomia e Rusisë vazhdon të përballet me presione të thella strukturore.
Sipas një deklarimi të publikuar, fitimet e papritura nga nafta janë zbutur nga forcimi i valutës dhe subvencionet për kompanitë e naftës dhe rafineritë, duke kufizuar ndikimin pozitiv në ekonominë ruse.
"Në katër muajt e parë të vitit 2026, deficiti buxhetor i Rusisë ka arritur në 5.9 trilionë rubla, dukshëm më i lartë se 3.8 trilionë rubla sa ishte planifikuar për të gjithë vitin. Po ashtu, raportohet se mbi 200,000 biznese janë mbyllur që nga janari", thuhet në njoftimin e zyrës së BE-së.
Sipas të dhënave të publikuara, normat e interesit në Rusi mbeten të larta, borxhi korporativ është rritur ndjeshëm që nga fillimi i luftës në Ukrainë, ndërsa vendi po përballet edhe me mungesë të fuqisë punëtore, rritje të taksave dhe rënie të kërkesës së brendshme.
BE thekson se sanksionet e vendosura përmes 20 paketave vazhdojnë të kufizojnë qasjen e Rusisë në teknologji, financa, logjistikë dhe tregjet energjetike, duke krijuar kosto afatgjata për ekonominë e saj.
Në deklaratë shtohet se rritja e çmimeve të naftës mund të sjellë lehtësim afatshkurtër, por nuk e zhbën dëmin strukturor ekonomik, ndërsa presioni ndaj Rusisë vazhdon. /Telegrafi/


































