Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka thënë se Gjykata Komerciale nuk e ka pezulluar vendimin për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike.

Kryesuesi i bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu, tha për Telegrafin se nuk është pezulluar vendimi për daljen në treg të lirë të bizneseve, duke thënë shkurtimisht se "vendimi ka të bëjë vetëm me një rast individual".


Fejzullahu po ashtu tha se shumë shpejt do të dalë me sqarim.

Ndryshe, Oda Ekonomike e Kosovës ka njoftuar se Gjykata Komerciale në Prishtinë ka marrë vendim për pezullimin e njoftimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) lidhur me daljen e detyrueshme të bizneseve në tregun e lirë të energjisë elektrike.

Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se bazuar në këtë vendim, OEK i kërkon ZRrE-së që të pezullojë njoftimin për daljen në tregun e lirë të energjisë dhe të ndalojë çdo veprim që mund të ndikojë negativisht në funksionimin e bizneseve.

“OEK fton ZRrE-për bashkëpunim të ngushtë për të hartuar së bashku një fazë tranzitore të drejtë dhe të zbatueshme, duke theksuar se OEK nuk është kundër daljes në tregun e lirë, por ka kërkuar vazhdimisht që ky proces të realizohet me një plan të qartë tranzicioni, që siguron stabilitet për bizneset dhe qytetarët e Kosovës”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/