LAJMI I FUNDIT:

“Zoti ju ndihmoftë!”

Bisedimet e Brukselit midis kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Ivica Dacic, me ndërmjetësimin e baroneshës Catherine Ashton, si përfaqësuese e Këshillit të Bashkësisë Evropiane, u zhvilluan disa muaj, në dhjetë raunde dhe përfunduan me dakordimin e palëve negociuese dhe me “parafimin” e Marrëveshjes, më 19 prill 2013 në Bruksel. Me këtë akt, opinioni dhe politika ndërkombëtare e mirëpriti dhe vlerësoi se përfundoi një etapë e gjatë dhe e vështirë e armiqësisë në Ballkan, midis shqiptarëve dhe serbëve. Madje, shumëkush e quajti këtë marrëveshje si “historike”.

Mirëpo, bisedimet rreth masave të implementimit të kësaj marrëveshje hasën menjëherë si “sharra në gozhdë”, meqë ato dështuan gjatë javës së fundit. Dhe natyrisht, si çdo herë deri më tani, pala serbe ishte ajo e cila kishte vendosur kushte shtesë, duke insistuar se duhet zhvilluar bisedime të mëtutjeshme politike për koncesione politike të reja ndaj saj.

Njohësit e rrethanave, ky qëndrim serb aspak nuk i befasoi. Përkundrazi, po të ndodhte e kundërta, pra implementimi i pakusht i Marrëveshjes nga pala serbe, do të na befasonte (për të mirë) të gjithëve me një kthesë aq të madhe dhe me sinqeritetin dhe konsekuencën parimore të asaj politike. Atëherë do të mendonim dhe do të bindeshim se me të vërtetë ka ndodhur diçka e madhe tek politikanët serb, një kthesë e pabesueshme dhe radikale e tyre. Por, natyrisht se nuk ndodhi një kthesë e tillë dhe sipas të gjitha gjasave, thënia se “ujku qimen e ndërron, por hujin s’e harron”, u vërtetua fuqishëm edhe tani. Gjithashtu, edhe pala shqiptare dhe kryeministri Thaçi na befasonte me qëndrimin e tij “parimor” dhe “të vendosur” se “nuk do të ketë bisedime të reja” dhe se tani palët negociuese duhet të përkujdesen për implementimin “pikë për pikë” të Marrëveshjes, duke na “siguruar” se nuk do të ketë lëshime dhe koncesione të reja për palën serbe.

Kështu, edhe pala shqiptare, d.m.th. kryeministri Thaçi, nuk kaloi as dy ditë dhe deklaroi se, megjithatë “do të ketë bisedime politike”, ashtu si kishte bërë edhe shumë e shumë herë më parë me paraqitjen e tij të vendosur, por edhe me demantimin e menjëhershëm të vetvetes. Shyqyr Zotit, tani më jemi mësuar me këto avaze dhe nuk asnjë shans që të na befasojë ndokush me “premtime” të tilla. Për ne do të ishte befasia më e madhe sikur ato premtime të realizoheshin pa kurrfarë arsyetimesh dhe kushtesh shtesë, duke sjellë dhe vendosur normalitet në jetën politike të këtij shteti më të ri në Evropë.

Prandaj, mund të konkludojmë se politika ballkanase ashtu e ka: politikën e shikon si veprimtari shoqërore që shërbehet me josinqeritet, moskonsekuencë, korrupsion dhe mashtrime. Sidomos kjo vlen për ekipin negociator të serbëve, të cilët janë duke realizuar shpërnguljen e heshtur të atyre pak shqiptarëve fatkeqë që kanë mbetur akoma në Serbi, pa ia trazuar fare “tymin” askush. Ata kështu vepruan në gjysmën e dytë të shek. XIX, kur gjatë mbajtjes dhe pas përfundimit të Kongresit të Berlinit për vendosjen e kufijve midis shteteve në Ballkan, duke i shpërngulur rreth 750 fshatra shqiptare nga një sipërfaqe më e madhe se Kosova e sotme si dhe me një numër dyfish më të madh të shqiptarëve në krahasim me Kosovën e atëhershme, duke i mbyllur veshët ndaj reagimeve të diplomacisë angleze dhe asaj turke.

Ndërkaq, shqiptarët e Luginës së Preshevës, si “specie” në zhdukje, edhe pse tani kemi dy shtete sovrane të shqiptarëve në Ballkan, ata i janë lënë vetvetes. Qeveria e Kosovës atyre u “sugjeron” që të angazhohen politikisht dhe t’i kërkojnë të drejtat e tyre kombëtare në bisedime (fantome) me Serbinë. Kurse, në anën tjetër ajo zhvillon bisedime intensive me Qeverinë e Serbisë për serbët e Kosovës. Ky është kulmi i absurdit!! Duket sikur ekziston një marrëveshje e heshtur midis palëve negociuese shqiptaro-serbe që të sakrifikohen ata pak shqiptarë në Serbi dhe ta lënë politikën dhe qeverinë kosovare, si dhe atë serbe rahat. Por edhe faktorin ndërkombëtar. Sepse, siç e dimë, Medvegja pothuajse e kreu “misionin”, sepse atje 90% e tyre janë shpërngulur, ashtu si edhe Malësia e Bujanocit dhe Preshevës. Numri i nxënësve në shkolla është përgjysmuar edhe në rrafshin e Bujanocit dhe atë të Preshevës. Pra, bërthama kombëtare e shqiptarëve në Luginë është e rrezikuar nga shpërngulja e përmasave biblike, duke i boshatisur dhe duke i lënë shkretë këto troje të tyre stërgjyshore.

Por, ajo që i dhemb më së shumti shqiptarëve të kësaj pjese të Shqiptarisë është “këshillimi” nga qeveria e Kosovës që t’i drejtohen qeverisë së Serbisë. Ky është absurd i papranueshëm. Pse atëherë nuk u thotë qytetarëve të vet serbë që të bisedojnë me Qeverinë e Kosovës, por zhvillon bisedime me Qeverinë e Serbisë, bile pa pjesëmarrjen e përfaqësuesve të serbëve të Kosovës, duke mos këmbëngulur në vendosjen e parimit të reciprocitetit midis shqiptarëve të Serbisë dhe serbëve të Kosovës. Dhe nëse këtë parim nuk e respekton Qeveria e Kosovës, nga kush do të presim ne shqiptarët e Luginës së Preshevës që ta realizojë? Ndoshta nga Serbia, apo ne vet ta realizojmë në luftë kundër makinerisë shtetërore, ushtarake e policore serbe?!

Derisa serbëve të Kosovës askush nuk ua heq barrikadat që i kanë bllokuar rrugët dhe nuk lejojnë funksionimin e shtetit të Republikës së Kosovës, neve shqiptarëve të Luginës nuk na lejohet as që t’i respektojmë me dinjitet eshtrat e dëshmorëve tanë. Gjendja e tanishme e mjerueshme e shqiptarëve të Luginës dhe mbështetja e tyre nga Shqiptaria, d.m.th. nga Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë më tepër i ngjason lypësit të lëmoshës në novelat e Migjenit, ku zotërinjtë “koprracë” ia kthejnë me cinizëm e fodullëk: “Zoti ju dhashtë”, duke mos denjuar t’u japin as një “kacidhe” dhe asnjë ndihmë të vetme, përveç ndonjë deklarate “bombastike” kohë pas kohe, sa për të kënaqur opinionin e brendshëm dhe elektoratin e vet. Kurse, Qeveria e Serbisë, përveç ndihmës së madhe ekonomike që jep për serbët e Kosovës, që krahasuar me atë sa marrin shqiptarët e Luginës nga Serbia, të cilës i paguajnë tatime dhe taksa, kurse serbët e Kosovës pa i paguar askujt asnjë cent tatim dhe taksa, marrin mbi 13 herë të ardhura për kokë banori (per capita) në krahasim me shqiptarët e Luginës! Pastaj, ata marrin edhe nga buxheti i Kosovës!

Shqiptarët e kësaj pjese të Shqiptarisë nuk marrin asnjë cent nga Kosova. E për ndihmë në aspektin e sigurisë, të mos flasim fare. Vallë, a kështu mendojmë ta mbrojmë, ruajmë dhe kultivojmë shqiptarinë?!

Në trend

Më shumë
Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Lajme
Akulli polar po shkrihet dhe po ndryshon rrotullimin e Tokës - çfarë do të thotë kjo për njerëzimin

Akulli polar po shkrihet dhe po ndryshon rrotullimin e Tokës - çfarë do të thotë kjo për njerëzimin

Botë
Hamza: Jam më i mirë se Kurti në qeverisje, kam përvojë më shumë se Abdixhiku - Haradinaj s’do të jetë kryeministër

Hamza: Jam më i mirë se Kurti në qeverisje, kam përvojë më shumë se Abdixhiku - Haradinaj s’do të jetë kryeministër

Lajme
Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës,

Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës, "Octopus": Urgjentisht të koordinohen veprimet me ndërkombëtarët

Siguri
Publikohen videot intime në zyre të ushtarakut ukrainas - ai po kërkohet për tradhti kombëtare në Kiev

Publikohen videot intime në zyre të ushtarakut ukrainas - ai po kërkohet për tradhti kombëtare në Kiev

Evropa
Reagon babai i Olti Hysenit, pas deklaratës 'bombastike' të lojtarit të talentuar

Reagon babai i Olti Hysenit, pas deklaratës 'bombastike' të lojtarit të talentuar

Përfaqësuesja e Kosovës
Kalo në kategori