eksperti-banner

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka identifikuar shkelje të rregulloreve komunale sa i përket ndarjes së subvencioneve në Komunën e Skenderajt për vitin 2025. Sipas raportit të ri të auditimit, të nënshkruar nga Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, kjo komunë ka subvencionuar dy herë brenda të njëjtit vit buxhetor të njëjtën Organizatë Jo-Qeveritare (OJQ), në kundërshtim me rregullat në fuqi.

Neni 19, pika 4 e Rregullores së Komunës për ndarjen e subvencioneve përcakton qartë se përfituesit mund të subvencionohen vetëm një herë në vit. Nga ky rregull përjashtohen vetëm personat fizikë në fushën e shëndetësisë (për nevoja të shërimit dhe sigurimit të ushqimeve, mirëqenies sociale) dhe në fushën e bujqësisë.


Megjithatë, Auditori ka gjetur se Komuna e Skenderajt ka ndarë mjete financiare në dy raste të ndryshme për të njëjtën organizatë brenda vitit.

"Komuna gjatë vitit 2025 ka subvencionuar dy (2) herë brenda vitit të njëjtën OJQ. Financimi është bërë për realizimin e aktivitetit 'Juaji i mërgatës' në vlerë 5,000€ dhe 'Aktivitete rinore dhe kulturore' në vlerë 7,500€", thuhet në raportin e ZKA-së.

Sipas ZKA-së, kjo situatë ka ndodhur si rezultat i mungesës së kontrolleve të mjaftueshme nga ana e zyrtarëve përgjegjës gjatë shqyrtimit dhe aprovimit të kërkesave, si dhe mungesës së një mekanizmi efektiv për verifikimin e përfitimeve paraprake të përfituesve brenda vitit buxhetor.

Rreziqet dhe rekomandimi i Auditorit

ZKA ka tërhequr vërejtjen se ndarja e subvencioneve në kundërshtim me rregulloren komunale rrit rrezikun e trajtimit jo të barabartë të përfituesve dhe mund të kufizojë mundësitë e përfitimit për OJQ-të e tjera.

Lidhur me këtë gjetje, Auditorja e Përgjithshme ka dhënë rekomandim të qartë për krerët e komunës.

"Kryetari duhet të sigurojë se, para aprovimit të subvencioneve, të kryhet verifikimi i plotë i përfitimeve paraprake të përfituesve, në mënyrë që të parandalohet subvencionimi më shumë se një herë brenda vitit për të njëjtët përfitues", rekomandon ZKA.

Nga ana tjetër, menaxhmenti i Komunës së Skenderajt është pajtuar plotësisht me këtë gjetje të Auditorit. /Telegrafi/