LAJMI I FUNDIT:

Zjarri në një lokal në QKUK, parandalohet djegia e një pjese të objektit të Dekanatit të Mjekësisë

Zjarri në një lokal në QKUK, parandalohet djegia e një pjese të objektit të Dekanatit të Mjekësisë

Një zjarr ka shpërthyer sot rreth orës 07:15 në një lokal në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), i cili i ka përfshirë edhe disa objekte ndihmëse përreth tij.

Kështu tha në një prononcim për Telegrafin zëvendësi i komandantit të Brigadës së Zjarrfikësve në Prishtinë, Malë Gashi.

Sipas tij, zjarri kishte filluar të ndizej edhe në një pjesë të objektit të Dekanatit të Mjekësisë.


“Sot, në ora 07:15, kemi pranuar informatë se është duke u ndezur zjarr në një lokal. Ekipet e zjarrfikjes dhe shpëtimit menjëherë kanë dal në vendin e ngjarjes. Zjarri kishte shpërthyer në një lokal dhe kishte përfshi objektet ndihmëse përreth tij. Kishte filluar të ndizej edhe një pjesë e objektit të Dekanatit të Mjekësisë”, tha Gashi.

Ai tha se zjarrfikësit kanë reaguar në mënyrë të shpejtë dhe profesionale, për kohë shumë të shkurtë zjarri është vënë nën kontroll.

Ndryshe, edhe zëdhënësja e Policia e Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti për Telegrafin tha se sot rreth orës 07:00, është raportuar se në QKUK në Prishtinë, një objekt (lokal) është përfshirë nga zjarri.

Ajo tha se Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, po ashtu edhe zjarrfikësit.

“Nuk raportohet për persona të lënduar. Aktualisht policia ka nisur ndërmarrjen e veprimeve hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave që karakterizojnë ngjarjen”, tha ajo. /Telegrafi/